Kryetarja e Gjykatës Speciale për Krime Lufte, Ekaterina Trendafilova, qëndroi të enjten në Kosovë në vizitën e saj të parë që nga emërimi në këtë post. Ajo tha se Gjykata akoma nuk ka ngritur asnjë aktakuzë.
Kryetarja e dhomave të specializuara në Gjykatën Speciale për Krime Lufte, Ekaterina Trandafilova, e shoqëruar nga administratorja e Dhomave të Specializuara, Fidelma Donlon, qëndruan të enjten me (23.11) në Kosovë. Trandafilova tha se “Gjykata Speciale që do të trajtojë pretendimet për krime lufte, akoma nuk ka ngritur asnjë akuzë dhe siguroi qytetarët e Kosovës se kjo kjo gjykatë do të merret me individë dhe jo me organizata, apo etni. Ajo tha se kushdo që ka kryer krime lufte, të cilat bien nën jurisdiksionin e Gjykatës, do të nxirren para drejtësisë, duke siguruar se “Gjykata do të jetë e paanshme dhe e pandikuar politikisht”. Këto komente, Ekaterina Tandafilova, i bëri në vizitën e saj të parë në Kosovë, që nga emërimi në krye të kësaj Gjykate. Vizita në Kosovë u tha se kishte për qëllim prezantimin e strukturës, zhvillimet më të fundit ligjore dhe punën e Dhomave të Specializuara të Gjykatës.
Gjykata e gatshme
“Rregullorja për dëshmi ka hyrë në fuqi më 5 korrik të këtij viti dhe se prej 5 korrikut dhomat e specializuara janë plotësisht funksionale dhe janë të gatshme që atëherë të fillojnë me procedura gjyqësore, nëse ngritën aktakuzat nga prokurorët”, tha Trandafilova, duke shtuar se mbrojtja e dëshmitarëve është një fushë që ka rëndësi të jashtëzakonshme.
Asnjë takim i zonjës Trandafilova me udhëheqësit më të lartë të Kosovës nuk ndodhi, pos me ministrin e Drejtësisë në qeverinë e Kosovës, Abelard Tahiri dhe disa pjesëtarë të shoqërisë civile. Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, bëri të ditur se në takim me Ekaterina Trandafilova, kanë biseduar, “për mandatin e Dhomave të Specializuara dhe bashkëpunimin me institucionet përgjegjëse të Kosovës”.
Sipas një njoftimi me shkrim nga ministria e Drejtësisë thuhet se, “ministri Tahiri vuri theksin në sigurimin e një procesi të drejtë, transparent dhe në përputhje me normat dhe standardet më të larta të të drejtave të njeriut”. Po ashtu thuhet se palët janë njoftuar “për hapat e ndërmarrë nga qeveria e Kosovës për të siguruar mbrojtje juridike dhe asistencë teknike për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që mund të paraqiten para këtyre dhomave të specializuara, sikundër konfirmohet gatishmëria e institucioneve të Kosovës për të përmbushur obligimet që rrjedhin nga Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, i miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Ideja për themelimin e Gjykatës Speciale, apo siç tashmë është emëruar me ligj nga Parlamenti i Kosovës si “Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar”, doli pas një rezolute në Këshillin e Evropës që kërkonte hetime mbi supozimet e senatorit zviceran Dick Marty, i cili pretendonte se pjesëtarë të ish-UÇK-së kanë kryer krime lufte dhe kanë trafikuar organeve të serbëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë.
Parlamenti i Kosovës i ka themeluar Dhomat
Parlamenti i Kosovës me (03.07.2015) me shumicë votash pati miratuar ndryshimet kushtetuese që mundësuan themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte, ndonëse, kjo ishte kundërshtuar fuqishëm nga partitë politike opozitare të asaj kohe, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma për Kosovën. Opozita kosovare pati deklaruar se “themelimi i Gjykatës Speciale nga kuvendi i Kosovës dhe që udhëhiqet krejtësisht nga autoritetet ndërkombëtare, përbën cenim të rendit kushtetuese dhe krijon sistem paralel të drejtësisë”. Selia e Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë do të jetë në Hagë, për faktin që siç ishte thënë,”dëshmitarët mund të ndihen të kërcënuar nëse proceset gjyqësore do të zhvilloheshin në Kosovë”.
Me një janar të këtij viti, hyri në fuqi ratifikimi i parlamentit të Holandës, që e lejon në territorin e saj, fillimin e punës së Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë. Nga hetimet e para të hetuesit të parë amerikan Clint Williamson, bëhej e ditur nga vet Williamson se ”kjo Gjykatë do të merret me të paktën 10 raste të dyshuara për krime lufte”. Tash për tash akoma nuk njoftohet se kur do të ngritën aktakuzat e para. Por mediet në Prishtinë shkruajnë se kjo mund të ndodhë në këtë vjeshtë.