Parlamenti i Kosovës mund të mbajë një seancë të jashtzakonshme për të shfuqizuar ligjin për Gjykatën Speciale për krime lufte në Kosovë.
Ambasadorët e vendeve të QUINT-it reagojnë ashpër ndaj përpjekjes së 43 deputetëve të kuvendit të Kosovës që me një seancë të jashtzakonshme ta shfuqizojë ligjin për Gjykatën Speciale për krime lufte në Kosovë. Zhvillimet dramatike ndodhën në mbrëmjen e sotme (22.12), kur deputetët e kuvendit të Kosovës mblodhën 43 nënshkrime për të thirrur një seancë të jashtzakonshme. Të menjëhershme ishin reagimet e vendeve të QUINT-it të cilat përpjekjen për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën e cilësuan si ngjarje të paprecedent. Ambasadori i SHBA-së, Greg Delawie, tha se “Shtetet e Bashkuara kundërshtojnë çdo përpjekjeje për të ndryshuar apo shfuqizuar ligjin për Gjykatën Speciale”.
“Më duhet të them se jam vërtetë i dëshpëruar që kjo doli nga asgjëkundi gjatë disa ditëve të fundit. Pa debat publik për një çështje me interes thelbësorë për qytetarët e Kosovës. Është e turpshme nga pikëpamja ime. Këto përpjekje, nëse kanë sukses, do të kenë ndikime të thella negative për të ardhmen e Kosovës si pjesë e Evropës. Kjo do të konsiderohet nga Shtetet e Bashkuara si një thikë pas shpine. Kosova do të zgjedhë izolimin në vend të bashkëpunimit dhe më duhet të them se do të urrenim kthimin e orës prapa për Kosovën në përparimin e saj deri këtu. Mbështetja ndërkombëtare për Kosovën është ndërtuar mbi idenë që Kosova do të merret me drejtësi me individët që kanë kryer krime lufte.
Lëkundja nga ky angazhim do të ketë ndikime jashtëzakonisht negative për Kosovën, për qytetarët e saj dhe për marrëdhëniet e saj me Shtetet e Bashkuara”, thuhet në deklaratën e ambasadorit amerikan Delawie.
Nismë shumë e dëmshme për Kosovën
Në të njëtën linjë u shpreh edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Kristian Heldt, i cili thotë se “Gjykata Speciale është pjesë e rëndësishme e sundimit të ligjit në Kosovë”. “Angazhimi për sundimin e ligjit është një gur themeli për zhvillimin e Kosovës. Gjykatat e Specializuara janë pjesë e rëndësishme e sundimit të ligjit të Kosovës. Çdo përpjekje për të ndryshuar këtë ligj mund ta zhvendosë Kosovën prapa në kursin e saj Euro-Atlantik dhe të dëmtojë marrëdhëniet me miqtë e saj më të afërt”, tha ambasadori gjerman Kristian Heldt.
Edhe ambasada britanike u shpreh e tmerruar me nismën e papritur për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale. Ambasadori, Ruari O’Conell, thotë se “Kosova i ka dhënë besën BE-së dhe botës dhe nëse shfuqizohet tash ligji, reagimi do të jetë shumë i madh dhe dëmton dhe shkatërron Kosovën. Kemi investuar shumë në Kosovë për të pasur një shtet të qëndrueshëm dhe të fortë, kemi interes për të parë Kosovën shtet të ligjit. Nëse kjo ndodh, kush mund të besojë që Kosova është shtet i ligjit. Shpresoj që çdo deputet do të marr parasysh interesin e shtetit të Kosovës. Shpresoj që ky bashkëpunim do të vazhdojë dhe sonte mund të jetë nata më e rrezikshme për Kosovën që nga përfundimi i luftës”, u shpreh ambasadori britanik nga hapësirat e kuvendit të Kosovës.
Reagim pati edhe nga shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova. Ajo tha se “nisma e tillë është e tmerrshme dhe shumë e dëmshme për Kosovën. Një veprim i tillë do të rrezikonte të gjithë punën e përbashkët gjatë viteve të kaluara në sundimin e ligjit dhe drejtësisë dhe do të dëmtonte të gjithë ata që ngriheshin për t’i dhënë fund mosndëshkimit”, tha Apostolova.
LDK kundërshton idenë për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale
I vetmi subjekt politik brenda kuvendit të Kosovës që kundërshtoi idenë për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale, është Lidhja Demokratike e Kosovës. Në një konferencë të jashtzakonshme për medie, nënkryetari i kësaj partie Kujtim Shala, tha se “hapat e nxituar mund të prodhojnë situata të reja që do të rrezikonin qëndrueshmërinë dhe do të dëmtonin subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës”.
“LDK e sheh si jetike për vendin ruajtjen e raportit të miqësisë me SHBA-të, me vendet e BE-së dhe NATO-n. Kosova është vendi dhe shteti ynë që e kemi ndërtuar bashkë me miqtë tanë dhe së bashku do të ecim në rrugën e integrimeve euro-atlantike”, thuhet në reagimin e LDK-së.
Nisma për shfuqizim e ligjit për Gjykatën Speciale, pasoi nënshkrimin e një peticioni të organizuar nga shoqatat e veteranëve të luftës së ish-UCK-së të cilët mblodhën 16 mijë nënshkrime dhe kërkuan nga kuvendi që ta ndryshojë ligjin për Gjykatën speciale për krime lufte. (dw)