Komisioni Europian del me një strategji të re për Ballkanin që të nxisë procesin e reformave. Serbia e Mali i Zi për herë të parë dëgjojnë vitin 2025 si kohë të mundshme anëtarësimi. David MacAllister thekson kushtet.
Rruga e vendeve të Ballkanit drejt integrimit në Bashkimin Europian është ndërkohë një rrugë dhjetëravjeçare. Në vitin 2003 BE i premtoi Ballkanit perspektivën e integrimit në BE, por deri më tani vetëm Sllovenia është pranuar në vitin 2004 dhe Kroacia në vitin 2013. Të tjerët në Ballkan presin me zhgënjim, por zhgënjim ka edhe në BE, sepse nuk janë bërë reformat e kërkuara. BE kërkon rregullisht forcimin e shtetit ligjor dhe luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në vendet e Ballkanit dhe pret rezultate konkrete.
Por për t’i dhënë impulse të reja integrimit të Ballkanit Perëndimor, Komisioni Europian bën të ditur më 6 shkurt në Strasburg, strategjinë e re të Ballkanit Perëndimor. KE bën fjalë për “shans historik për të lidhur të ardhmen fort e pakthyeshmëm me Bashkimi Europian”. Strategjia do të paraqitet nga komisioneri i BE-së për zgjerimin, Johannes Hahn, i cili për revistën gjermane, “Der Spiegel” tha se “dera jonë është e hapur, por për të kaluar duhet të sjellësh rezultatet e duhura.”
Strategjia që paraqitet të martën synon përshpejtimin e afrimit të Ballkanit Perëndimor me BE. Në dokumentin e Komisionit Europian me titull “Një perspektivë e besueshme zgjerimi për vendet e Ballkanit Perëndimor theksohet se “një anëtarësim i vendeve të Ballkanit Perëndimor është në interesin politik, të sigurisë dhe interesin ekonomik të unionit”, por më parë duhen bërë reformat e nevojshme. Me këtë startim të ri perspektivës së besueshme të integrimit KE kërkon krijojë një “forcë nxitëse për transformim në rajon.” BE do të ofrojëa sistencën e saj për procesin e reformave. Në dokumentin e KE nënvizohet, se “BE do të përforcojë mbështetjen për procesin e transformimit”. Komisioni ka përpiluar një “plan aksioni” të detajuar e katërfaqësh.
Serbi – Mali i Zi anëtarësim në 2025-n?
Përfituesit kryesorë në dokumentin e strategjisë pritet të jenë Serbia dhe Mali i Zi. KE nënvizon se të dyja këto vende mund të anëtarësohen në BE që në vitin 2025, nëse bëhen reformat e duhura. Duhet theksuar se është hera e parë që KE përmend një afat konkret anëtarësimi për këto vende. “Me vullnet politik, jetësimin e reformave dhe zgjidhjet që presin të grindjeve me fqinjët, Mali i Zi dhe Serbia mund të jenë gati për anëtarësim në vitin 2025″, shkruhet në dokumentin e strategjisë së Komisionit Europian.
Por viti 2025 nuk është afat i vendosur përfundimisht. Politikani gjerman, eurodeputet e kryetar i komisionit për politikën e jashtme të Parlamentit Europian, David McAllister theksoi në një intervistë për medien gjermane “Funkemediengruppe”, se afati i 2025-s është i hapur si kohë dhe synon t’i japë dinamikë procesit. “Data konkrete e anëtarësimit të një vendi të ri anëtar varet nga koha se kur “ky vend do të përmbushë vërtet kriteret e forta ligjore, politike dhe ekonomike”, kanë thënë McAllister.
Në rastin e Kosovës Komisioni Europian kërkon shprehimisht në strategjinë e re një ” marrëveshje të gjerë normalizimi, të detyrueshme ligjërisht mes Serbisë dhe Kosovës”. KE përmend në strategjinë e saj se edhe vendet e tjera të Ballkanit duhet të zgjidhin grindjet me fqinjët para anëtarësimit. Ndërsa revista gjermane “der Spiegel” bazohet në të dhëna të Komisionit Europian, kur shkruan se KE pritet të japë rekomandim për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë. E kërkon të afrojë më shumë këto vende, edhe sepse Kina dhe Rusia kërkojnë të rrisin influencën e tyre, shkruan agjencia e lajmeve dpa.
la/dpa/Spiegel/afpd