“Pritshmëritë për Strategjinë e BE për Zgjerimin”

Komisioni evropianDitën e martë Komisioni europian pritet të prezantjë strategjinë e tij të zgjerimit me vendet e Ballkanit perëndimor. Në Shqipëri ekspertë të procesit të integrimit, e shohin atë si një rikthim të vëmendjes së Europës drejt rajonit dhe si një mundësi e cila nuk duhet humbur, veçanërisht për Shqipërinë, për nisjen e bisedimeve për anëtarësim.

Deklaratat e para të presidentit të Komisionit europian Jean Claude Juncker pas marrjes së detyrës, pak vite me pare, nuk lanë vend për optimizëm për perspektivën e zgjerimit, kur ai u shpreh se kjo çështje nuk do të ishte pjesë e mandatit të tij. E ndërsa procesi vijoi rrjedhën e tij, qasja duket se ka ndryshuar. Strategjia e zgjerimit e cila pritet të prezantohet të martën shihet si një marrëdhënie e re që mund të krijohet mes Brukselit dhe Ballkanit perëndimor.

Për 8 vite ministre e Integrimit, zonja Majlinda Bregu, flet për një lloj rizgjimi të BE-së: “Tashmë ka një ndryshim vëmendje. Do të propozohen besooj mekanizma të rinj të një marrëdhënieje edhe më të fortë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit europian, e cila do të jetë e dyanshme. Pra ne, nuk na zbritet asgjë nga realizimi i detyrimeve tona. Por nga ana tjetër është e rëndësishme që BE-ja është zguar nga një përgjumje. Pra, kanë kuptuar tani që investimi në zgjerimin e BE-së drejt Balkanit Perëndimor, është çështje e sigurisë së vetë Europës, nuk është politikë e Jashtme, është politikë e Brendshme për të ruajtur stabilitetin dhe shmangien e të gjithë influencave të këtyre sirenave interesante që kanë qenë të pranishme në rajon”.

Edhe zoti Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit të Studimeve politike, mendon se për shkak të gjeopolitikës duket se Bashkimi Europian është i interesuar të rishikojë dhe një herë marrëdhëniet me rajonin: “Eshtë më shumë deklarim politik që i referohet Rusisë apo fuqive të tjera prezente në rajon, dhe që dëshiron ti japë një ushqim brezave të rinj që janë gati të zhgënjyer nga mungesa e një perspektive të qartë”

Gledis Gjipali i cili prej vitesh ndjek nga afër procesin e integrimit, në krye të Lëvizjes europiane në Shqipëri, vëren se në ndryshim nga pak vite më parë ka një klimë më mirëpritëse ndaj Ballkanit edhe për shkak të disa zhvillimeve pozitive në rajon: “Hap një dritë jeshile që zgjerimi do të jetë afër nëse vendet vijojnë në mënyrë progresive të rrisin ritmin e reformave, të bëjnë të ashtquajturat detyrat e shtëpisë në procesin e integrmit. Pra ka një klimë me mikpritëse nga BE-ja”.

Shqipëria shpreson të hedhë një hap të rëndësishëm me hapjen e bisedimeve për anëtarësim. Dhe të gjithë janë të një mendjeje se do të ishte një shans i humbur e me pasoja nëse nuk do të realizonte këtë objektiv. “Eshtë një rast i cili nuk duhet humbur, ndonëse shumë raste të tjera, për fat të keq, që Shqipëria ka patur i ka humbur – shprehet zoti Gjipali – Por duhet të kemi parasysh që vonësat e tanishme ndikojnë shumë në të ardhmen. Mund të bëhet fjalë për pesë apo shtatë vjecarë shtyrje në procesin e anëtarësimit”.

Zoti Krasniqi shpreson që Shqipëria të marrë një përgjigje pozitive sepse, sic shpjegon ai 3-4 vende që janë skeptike, do kenë 4 muaj në dispozicion për të marrë përgjigje nga autoritetet shqiptare: “Eshtë absurde që ne të humbim një tren i cili do jetë shumë e vështirë të kthehet pas, sepse mund të rikthehet në të ardhmen, por do tëjetë i vonuar në raport me vendet e tjera të rajonit. Unë pres që ato dy lloj kushtesh kryesore që janë reforma në Drejtësi dhe një lloj sistemi më funksional i demokracisë, janë gjëra krejt të arritshme dhe arrihen qoftë dhe me një marrëveshje të dytë politike si ajo e majit 2017. Kërkon vullnet politik dhe një lloj bashkëpunimi, të jo më shumë se dy tre aktorëve politik”.

Për zonjën Bregu, “për shumë arsye Shqipëria e ka merituar prej kohësh çeljen e negociatave”, ndonëse siç thekson ajo “për arsye të tjera nëse do të shihej vetëm si proces i zbatimit të detyrimeve, sigurisht që mund të ketë probleme të mëdha për të avancuar, por – shton ajo – një vend nuk bëhet më i mirë kur është i harruar. E di që këtu me shumë miq politik nuk ndaj të njejtin opinion, por vazhdoj të besoj që është me përfitime së brendshmi. Në kushtet aktuale, por jo vetëm, gjatë gjithë këtyre viteve të gjata të luhatjes së sitemit demokratike në Shqipëri, nuk di motor më të mirë për të çuar përpara reformat se sa e ardhmja europiane e vendit. Sikurse nuk di që të ketë monitories dhe kontrollor më të fortë për cilësinë e reformave tona, por sigurisht dhe si element i fortë së brendshmi, për të ofruar atë sfidë e cila sot në fakt i mungon Shqipërisë, atë sfidë e cila i mungon edhe Qeverisë”.

Për zonjën Bregu “përtej retorikës dhe vendimmarrjes politike, Bashkimi europian duhet të ketë dhe një arsyetim më të mirë për strategjinë financiare, sepse shpjegon ajo, sot duhen më shumë fonde sot për t’ju qasur dhe për të ngritur standartet europiane. Ndërsa nga ana tjetër, në rast të hapjes së bisedimeve vendi duhet të jetë i përgatitur për këtë proces: “Shqipëria ka kapacitete të cilat mund të mos jenë sot të gjitha në administratën shqiptare dhe për hir të ndryshimeve që kanë ndodhur gjatë gjthë këtyre votive dhe për hir të ndryshimeve të fundit të administratës për shkak të riorganizimit të saj. Por Shqipëria ka kapacitete të cilat në fakt duhen mbledhur dhe organizuar për të krijuar një grup të mirë i cili të jetë serioz për të çuar përpara negociatat”.

Nëse Strategjia e Zgjerimit pritet të jetë shtrati në të cilin procesi i integrimit do të lëvizë në të ardhmen, ecuria e afërt e secilit prej vendeve të rajonit do të mësohet pas publikimit të raporteve respektive në muajin prill. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>