Shqipëria nënshkroi sot një marrëveshje më Agjencinë europiane të Rojes bregdetare e kufitare, FRONTEX-it për një administrim më të mirë të kufijve. Marrëveshja u firmos nga ministri I Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe Komisioneri europian për Migrimin dhe Çështjet e Brendshme Dimitris Avramopoulos, Kjo është e para e këtij lloji që Frontex arrin me një nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Palët nënshkruan dhe një marrëveshje për luftën kundër drogave, e cila do t’I lejojë Shqipërisë të përfitojë nga fondet europiane për këtë fushë
Shqipëria mbylli me shpejtësi bisedimet që çuan në firmosjen sot të marrëveshjes, e cila do të lejojë ndër të tjera ardhjen në territorin e saj të ekipeve të FRONTEX-it, Agjencisë europiane që ka përgjegjësinë e sigurimit të kufijve të jashtëm të Bashkimit Europian. Për Komisionerin europian Dimitris Avramopoulos “kjo marrëveshje do të sigurojë një menaxhim më të mirë të migracionit të parregullt në interes të përbashkët, si të Bashkimit Europian ashtu edhe të Shqipërisë. Kjo është marrëveshja e parë e cila është një model, dhe ne shpresojmë që të përmbyllim së shpejti marrëveshje të ngjashme të cilat aktualisht janë duke u negociuar me Serbinë, ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe me partnerë të tjerë kyç në të ardhmen”.
Në 2016 rajoni i Ballkanit u kthye në rrugën kryesore të kalimit të emigrantëve që largoheshin nga zonat e luftës, kryesisht nga Iraku e Siria, duke bërë që çështja e sigurisë së kufijve të Bashkimit europian të vihej në qendër të vëmendjes.
Edhe për ministrin e Brendshëm shqiptar Fatmir Xhafaj, marrëveshja e arritur është shumë të rëndësishme: “Forcimi i bashkëpunimit operativ mes vendeve të rajonit dhe Agjencisë Evropiane të Rojeve Kufitare dhe Bregdetare, ne besojmë se do të kontribuojë në menaxhimin më të mirë të migracionit të parregullt, do të rrisë më tej sigurinë në kufijtë e jashtëm të BE-së, si dhe do të forcojë aftësinë e Agjencisë për të vepruar në vendet e afërta me BE-në, siç është Shqipëria. Kjo është një marrëveshje e rëndësishme që do të na ndihmojë të marrim asistencë të kualifikuar në lidhje me menaxhimin e kufijve”.
Palët firmosën gjithashtu dhe një memorandum mirëkuptimi për luftën kundër drogave e cila do t’i japë mundësi Shqipërisë “të ketë qasje në fonde për nisma në fushën e politikave kundër drogës. Kam kënaqësinë të them që tashmë do të kemi mundësinë që të mbështesim ato iniciativa që janë të rëndësishme për luftën tonë të përbashkët kundër drogës. Ashtu si terrorizmi dhe krimi i organizuar rrjetet e drogës nuk njohin kufij. Këto çështje mund të adresohen vetëm duke punuar sëbashku në një mënyrë të koordinuar”, u shpreh komisioneri europian.
Ministri Xhafaj deklaroi se Shqipëria është e angazhuar për luftën ndaj këtyre fenomeneve. Ndërsa vitin e kaluar, pas përhapjes së gjerë të kultivimit të marijuanës, sipërfaqet e mbjella u reduktuan në mënyrë drastike, zoti Xhafaj theksoi se “rikonfirmova vendosmërinë tonë se po bëjmë gjithçka është e mundur për të garantuar përfundimisht që Shqipëria nuk do të jetë më në hartën e vendeve që kultivojnë kanabis, për të treguar vendosmëri dhe rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar përmes operacionit “Forca e Ligjit”, rezultatet e para të të cilit janë inkurajuese”. Zoti Xhafaj tha se e kishte njohur Komisionerin europian dhe me procesin e rivlerësimit që pritet të nis së shpejti në radhët e policisë.
Zoti Avramopoulos vlerësoi hapat përpara që ka bërë Shqipëria duke deklaruar se nën dritën e strategjisë së re të Zgjerimit të prezantuar nga KOmisioni europian javën e shkuar, vendi ka tashmë një dritare e mundësi historike për ta lidhur fort të ardhmen e saj me BE-në, u shpreh ai.