Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker tha të enjten se Bashkimi Evropian është i hapur për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, por jo pa u zgjidhur të gjitha çështjet e hapura ndërmjet këtyre vendeve.
Ai i bëri këto komente në Sofje të Bullgarisë, në një takim në të cilin morën pjesë edhe udhëheqësit gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Zoti Juncker tha se asnjë vend i nuk i përmbushë të gjitha kriteret për t’u integruar në Bashkimin Evropian megjithëse sipas tij është shënuar përparim shumë i madh në këto vende.
“Dua të them, ashtu siç u kam thënë të gjithë miqve që po qëndrojnë prapa meje se të gjitha vendet që duan të integrohen në Bashkimin Evropian do të duhet t’u japin fund të gjitha konflikteve territoriale dypalëshe që janë ende të pranishme”, tha zoti Juncker duke nënvizuar se asnjë vend nuk do të mund të integrohet në Bashkimin Evropian pa i plotësuar të gjitha kriteret.
Zoti Juncker gjatë javës vizitoi rajonin dhe në Beograd e Prishtinë ritheksoi se duhet një marrëveshje gjithpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës si kusht për integrimin e tyre.
Të dyja palët pritet të vazhdojnë bisedimet rreth një marrëveshjeje të tillë mbase gjatë këitj muaji. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç u takuan edhe sot në Sofje, në një takim jorformal për të diskutuar këtë cështje.
Përvec zgjidhjes së konflikteve, vendeve të rajonit u kërkohen edhe reforma të brendshme.
“Dua ta përsërisë, se kemi nevojë të shohim besueshmëri në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit e cila është një sëmundje që po ndan shoqërinë në gjysmë”, tha zoti Juncker.
Në fillim të muajit shkurt, Komisioni Evropian shpalosi Strategjinë për Zgjerimin me vendet e Ballkanit Perëndimor, që është një nga zhvillimet e rëndësishme për rajonin gjatë këtij viti. Në muajin prill, Komisioni Evropian do të publikojë raportin e përparimit të këtyre vendeve, ndërsa në muajin maj në Sofje, pritet të mbahet takimi i lartë i vendeve të Ballkanit Perëndimorë. Strategjia e zgjerimit do të diskutohet më pas në qershor në takimin e lartë të Bashkimit Evropian, ndërsa në korrik në Londër do të mbahet takimi i radhës i vendeve të Ballkanit Perëndimorë.
Këto zhvillime shihen si një përpjekje e ripërtërirë e Bashkimit Evropian për një qasje ndryshe ndaj rajonit të trazuar për shkak të rritjes së ndikimit rus, krizës së emigracionit, rrëshqitjes së Turqisë drejt autoritarizmit dhe synimit për të forcuar integrimin evropian pas largimit të Britanisë në vitin 2019. (voa)