A do ta ketë Kosova ushtrinë e vet?

fskMinistri serb i Mbrojtjes, Aleksandër Vulin, thotë që krijimi i ushtrisë së Kosovës destabilizon rajonin, ndërsa, Prishtina zyrtare thotë se formimi i ushtrisë është në interes të paqes në rajon.

Deklarata e ndihmëssekretarit amerikan të shtetit, Wess Mitchell, dhënë në Beograd, se “Kosova ka të drejtë të themelojë forcën e saj ushtarake që nuk do të ishte kurrfarë kërcënimi për Serbinë dhe serbët” ka nxitur reagime në Serbi dhe jashtë saj. Pas takimit që pati me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili e kundërshton themelimin e ushtrisë së Kosovës, diplomati amerikan Wess Mitchell, që ishte për vizitë edhe ne Kosovë, tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës i mbështesin bisedimet Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve, ndërsa, theksoi se Kosova ka të drejtë të themelojë forcën e saj ushtarake që nuk do të ishte kurrfarë kërcënimi për Serbinë dhe serbët.

“Kosova ka të drejtë të formojë forcat e saj profesionale që do të merreshin me sigurinë dhe në të cilat do të përfshiheshin edhe serbët e Kosovës. Ne vazhdojmë të themi se askush nuk mund të vërë veto dhe të pengojë Kosovën që të zhvillojë strukturat e tilla”, tha në Beograd Wess Mitchell.

Kundër këtij qëndrimi amerikan doli menjëherë ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, i cili sipas agjencisë Tanjug, tha se “në Kosovë mund të ketë vetëm një forcë të armatosur, e ato janë forcat paqeruajtëse të KFOR-it, bazuar në rezolutën 1244 të KS-it. Derisa Këshilli i Sigurimit i OKB-së nuk ndryshon vendimin e tij kështu do të jetë, dhe për Serbinë”, tha Aleksandër Vulin. Sipas tij, cituar nga Tanjug, “ushtria e Kosovës mund të formohet vetëm me forcë brutale”. “Krijimi i formacioneve të tilla të paligjshme të armatosura përbën një kërcënim për paqen dhe stabilitetin në të gjithë Ballkanin”, thotë ministri serb i Mbrojtjes Aleksandër Vulin.

Moska mbështet Serbinë

Kundërshtimit të Serbisë për forcat e armatosura të Kosovës ju bashkua edhe Moska zyrtare. Mediet në Serbi citojnë zëdhënësen e ministrisë  së jashtme ruse, Маria Zaharova, e cila thotë se “Krijimi i Ushtrisë së Kosovës do ta ashpërsonte edhe më shumë situatën edhe ashtu të tendosur”.

“Formimi Ushtrisë i Kosovës, mënyra se si po bëhet ajo dhe qëllimet që u vunë kur u copëtua Serbia dhe kur u nda territori i një shteti sovran, mënyra se si në planin informativ e politik është forcuar ky formacion i ri dhe e gjithë ajo që e ka sjellë atë, do të jetë edhe një faktor jo stabiliteti në kontinentin europian”, citojnë zëdhënësen Zaharov mediet në Serbi.

Autoritetet në Prishtinë, tashmë e kanë bërë të qartë synimin e tyre për shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës FSK, në ushtri të Kosovës. Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, që është komandant suprem i Forcës së Sigurisë së Kosovës,  FSK, thotë se “formimi i ushtrisë së Kosovës është në interes të paqes në Kosovë dhe rajon.”

“Ky hap final i bërjes së Kosovës me Forca të Armatosura pas një periudhe të gjatë të zhvillimit të Forcave të Sigurisë, në një partneritet të shkëlqyeshëm me SHBA-në, KFOR-in dhe NATO-n, është në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës, në interes të të gjitha komuniteteve të sigurisë dhe të paqes në Kosovë dhe në rajon. Për më tepër, duhet ta bëjmë të qartë se Forcat e Armatosura të Kosovës nuk paraqesin asnjë lloj kërcënimi, ashtu siç nuk paraqet sot asnjë kërcenim FSK-ja, pra qëllimi i vetëm i FSK-së sot dhe i Forcave të Armatosura të Kosovës nesër do të jetë i njëjtë, fuqizimi i paqes dhe i sigurisë në të gjitha vendet në rajon. Ky proces i filluar vite më parë gradualisht është duke shkuar drejt fazës përfundimtare”, qe shprehur në një fjalim të tij të mëhershëm drejtuar qytetarëve, Presidenti Hashim Thaçi.

Transformimi Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës, mund të bëhet duke u ndryshuar Kushtetuta e Kosovës, që kërkon edhe dy të tretat e votave të deputetëve serbë në kuvendin e Kosovës. Dhe deputetët serbë tashmë disa herë janë shprehur kategorik kundër formimit të ushtrisë së Kosovës. I ndodhur në këtë situatë, presidenti Hashim Thaçi, në fund të vitit të shkuar, inicoi një ligj që do ta shndërronte FSK-në në ushtri të Kosovës, por pa iu ndërruar emri, duke shmangur kështu ndryshimet kushtetuese. Kjo nismë e Presidentit hasi në kundërshtimin e bashkësisë ndërkombëtare, e cila vazhdon të këmbëngulë që shndërrimi i FSK-së në ushtri duhet të bëhet vetëm me ndryshime kushtetuese. Këtë e tha në Prishtinë dy javë më parë edhe komandanti Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, James Foggo.

“Aleanca e NATO-s dhe Këshilli i Atlantikut Verior ishin këtu para disa muajsh dhe ata e bënë shumë të qartë se për NATO-n, nëse bëhet transformimi i FSK-së në Ushtri të Kosovës, duhet të bëhet pas ndryshimeve kushtetuese”, pati thënë James Foggo. Forca e Sigurisë së Kosovës e krijuar pas transformimit të TMK-së, është forcë shumëetnike. Ajo është e armatosur lehtë, ka uniformën e saj dhe mund të marrë pjesë vetëm në operacione për të shpëtuar civilë në rast krizash natyrore. Në Kosovë janë akoma të pranishme forcat e KFOR-it me rreth pesë mijë trupa. (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>