Harta politike e ndryshuar e Evropës

djathtistetVendet e BE me parti të djathta populiste në parlamente

Në gjithnjë e më shumë shtete të BE populistët e djathtë korrin frytet e problemeve të pazgjidhura të migrimit. Një zgjidhje evropiane është gjithnjë e më e vështirë. Tendenca është në veprime të veçuara nacionale.

Në Bruksel, Zyra belge për Azilin në Stacionin Verior të trenit është vetëm pak kilometra larg përfaqësisë kryesore të BE. Herë pas here atje sheh migrantë në radhë të gjata, që ose paraqesin një kërkesë për azil, ose që duan të udhëtojnë sa më shpejt që të jetë e mundur përmes Francës për në Britaninë e Madhe. Shumë nga afrikanët që sheh atje, sipas të dhënave të tyre kanë ardhur në Bruksel nga Italia, ose kanë ardhur me autobuz, veturë ose tren përmes Austrisë, Gjermanisë ose Francës – në kundërshtim me të gjitha rregullat e Dublinit. Në thelb sipas rregullave evropiane ata duhet ta kishin paraqitur në Itali kërkesën e tyre për azil. Sistemi që është përpjekur të reformojë deri tani BE nuk funksionon.

Këtë e ka pranuar prej kohësh edhe ministri i Brendshëm belg Jan Jambon i partisë nacionalkonservatore N-VA. Ai kërkon të veprojë më me forcë kundër migrantëve me qëndrim të paligjshëm në Belgjikë. Në zgjedhjet e fundit në 2014, N-VA, të cilën mund ta quash parti populiste, mori shumë vota dhe u bë për herë të parë pjesë e koalicionit qeveritar.

Partitë kritike ndaj migrimit në shumë shtete të BE

Belgjika përfaqëson një tendencë në Evropë. “Kriza e refugjatëve ose e migrimit” ka bërë në shumë shtete të BE që të përballemi me parti të forta populiste të djathta, si në Francë, në Holandë, në Danimarkë, në Suedi ose në Gjermani. Në disa shtete, populistët e djathtë janë në qeveri, si në Belgjikë, në Finlandë, në Austri e në Greqi. Në një sërë shtetesh të BE partitë populiste janë e gjithë qeveria, si në Poloni, në Hungari, në Çeki ose së fundi në Itali. Për Stefan Lehne-n, ekspert për Evropën në Fondacionin Carnegie në Bruksel, është e qartë se kriza e migrimit bën pjesë në modelin e biznesit të partive populiste.

“Ata kanë gjetur këtu një temë, e cila shkakton emocione të forta, që shkakton një polarizim të fortë dhe ato nuk shkëputen nga tema”, thotë Stefan Lehne në bisedë me DW.

Shefi i Grupit Parlamentar të Populistëve të djathtë në Gjermani, Alexander Gauland (Alternativa për Gjermaninë) e quajti rrymën e refugjatëve, e cila kulmin e saj e kishte në 2015, si “dhuratë” për partinë e tij. Ajo është partia më e madhe opozitare në Bundestagun Gjerman dhe në disa rajone gjermanolindore në sondazhe është në vend të parë.

“BE para humnerës”

Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian në Bruksel, Frans Timmermans, është i shqetësuar që fuqia e populistëve dhe çështja e pazgjidhur e migrantëve mund të çojë jo vetëm në një krizë qeveritare në Gjermani, por se mund të rrezikojë edhe kohezionin e BE. “Po të vështrosh vitet e fundit, atëherë sheh se është tema e migrimit ajo që e ka çuar deri në buzë të humnerës BE. Migrimi luan një rol kyç në çdo shtet anëtar, pavarësisht se në secilin”, tha Timmermans të enjten e kaluar në Parlamentin Evropian. Ai natyrisht që kërkon që interesat e shteteve nacionale të spostohen në radhë të dytë dhe që të ushtrohet solidaritet. “Vetëm në nivelin evropian mund të kemi një zgjidhje të gjithëpërfshirëse, funksionuese”.

Këtë nuk e shohin më kështu shumë prej qeverive të ndikuara nga populistët e djathtë, beson eksperti i politikës dhe ish-diplomati Stefan Lehne nga Fondacioni Carnegie: “Paaftësia e fillimit e BE për ta vënë nën kontroll këtë temë ka çuar në një rinacionalizim. Shumica e populistëve, shumica e partive, të cilët janë pozicionuar kundër migrantëve, janë të pozicionuar edhe kundër BE. Prandaj kemi gjithnjë e më shumë kthim drejt masave nacionale, te kontrollet e kufirit, ndërtimi i gardheve dhe kufijtë e sipërm.” Ndoshta edhe shpresa e kancelares gjermane për të negociuar një zgjidhje në këtë drejtim deri në fund të qershorit është iluzore.

Përpjekja e Merkelit

Angela Merkel ngul këmbë për një mënyrë veprimi të koordinuar, për marrëveshje bilaterale të shteteve të BE me njëra-tjetrën dhe në fund për një autoritet evropian të vlerësimit të kërkesave për azil, i cili do të vendosë në kufijtë e jashtëm të BE. Megjithë tendencat e forta populiste, BE duhet t’u japë përgjigje këtyre pyetjeve, mendon kancelarja: “A jemi sa duhet të fortë që të kujdesemi për zhvillim atje ku vijnë njerëzit, pra në kontinentin afrikan? A do të jemi më mirë se deri tani në gjendje që t’i japim fund luftës civile në Siri, ku miliona vetë vazhdojnë të jenë në arrati? Asnjë njeri nuk e braktis me mendjelehtësi atdheun. A jemi ne në gjendje që të zbatojmë në mbarë Evropën të njëjtat procedura?”

Një problem i së djeshmes?

Që prej vitit 2015, numri i refugjatëve që vijnë në Greqi, Itali dhe Gjermani ka rënë fort, me rreth 75 përqind. Politika e migrimit ka ndryshuar gjithashtu, megjithatë partitë populiste dhe qeveritë ushqejnë përshtypjen se kufijtë po përmbyten nga migrantët. Me sa ka të bëjë kjo? Stefan Lehne nga Fondacioni Carnegie e shpjegon këtë kështu:”Me sa duket duhet të kalojë një kohë e caktuar, deri sa një shok traumatik si ai i vitit 2015 të bëjë efekt politik. Me sa duket efekti i tij është pas disa muajsh e vitesh. Pasiguria që shkaktoi në këtë mënyrë dhe që shfrytëzohet pastaj nga grupet e interesuara vazhdon.” (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>