Hahn: Javën e ardhshme nisin përgatitjet në Tiranë e Shkup

HahnKomisari i BE, Johannes Hahn thotë për DW se javën e ardhshme do të asistojë në Tiranë e Shkup në procesin përgatitor të nisjes eventuale të negociatave për BE. Për liberalizimin e vizave për Kosovën pritet raporti i BE.

DW: Në Londër po zhvillohet tani takimi i pestë i Ballkanit Perëndimor. Në qendër është tema e sigurisë dhe e stabilitetit. Cilat pika themelore do të jenë arritur në fund?

Johannes Hahn: Siguria është njëri aspekt dhe tjetri është zhvillimi ekonomik. Për këtë kemi pasur një konferencë javën e kaluar në Vjenë. Kur bëhet fjalë për sigurinë është çështja e bashkëpunimit midis njësive përkatëse në rajon dhe organizatave përkatëse në nivel evropian, si në çështjen e luftimit të terrorizmit, të luftës kundër kriminalitetit të organizuar, larjes së parave, trafikut të qenieve njerëzore etj. Kjo është një gjë që në thelb funksionon shumë mirë, por që ende mund të përmirësohet.

A mund ta sqaroni pak më konkretisht për rajonin, çfarë do të thotë kjo për sigurimin e kufijve, çfarë marrëveshjesh janë lidhur, si do të angazhohet Frontex-i në të ardhmen më fort?

Dihet që aktualisht në BE po zhvillohet një diskutim për mënyrën si duhet trajtuar migrimi, valët e ardhshme të migrimit. Dhe e përbashkëta që theksohet është, që për këtë, do të na duhet të përgatitemi. Dhe pjesë e këtyre përgatitjeve është që të vazhdojë bashkëpunimi këtu me vende partnere në Ballkanin Perëndimor, të cilat luajtën një rol shumë konstruktiv në valën e migrimit në 2015-ën. Prej viteve 2013-2014 BE ka investuar më shumë se 320 milionë euro në trajnimin dhe në pajisjen si dhe në mbështetjen financiare për këto vende, kur bëhet fjalë për trajtimin e migrimit. Këtë mbështetje do ta vazhdojmë të tillë. Tani është fjala që në një rast urgjent, punonjës të Frontexit të mund të vendosen në këto vende.

Në lidhje me luftimin e terrorizmit ka që tani diskutime dhe marrëveshje me Europolin. Si do të jetë ky bashkëpunim në të ardhmen?

Këtu ka marrëveshje që Europol të hapë në kryeqytetet e veçanta nga një Zyrë Ndërlidhjeje, që të bashkëpunojë ngushtë me forcat lokale policore dhe të garantojë në këtë mënyrë që të funksionojë komunikimi.

Pikërisht nga Austria vjen diskutimi për itinerarë të rinj refugjatësh në Ballkan, megjithëse shifrat nuk flasin fare për këtë, por kjo është një temë që dominoi fort edhe këtu në samit. Krahas aspekteve të sigurimit të kufirit, për çfarë u ra dakord në lidhje me pranimin apo përcjelljen e refugjatëve?

Bosnjë-Hercegovina është aktualisht veçanërisht në fokus, sepse këtu, disa vetë, më të vërtet disa vetë, përpiqen që të hyjnë në BE. Ne këtu e mbështesim qeverinë dhe administratën e Bosnjë-Hercegovinës p.sh. për vënien në dispozicion të strehimeve, që për dimrin p.sh. të merren masat e duhura, po të jetë e nevojshme që njerëzit këtu të kenë strehim dhe ushqim.

Nga ana tjetër, fjala është që ne të bashkëpunojmë me institucionet lokale, që në rast nevoje të bëhen riatdhesime, në mënyrë që këtu të mos krijohet fare situata, që njerëzit që nuk kanë fare perspektivë që të marrin azil të kthehen në vendet e origjinës së tyre.

Tiranë e Shkup: “Javën e ardhshme nis procesi përgatitor për negociatat”

Një temë që u diskutua këtu është edhe afrimi me BE, vazhdimi i negociatave të anëtarësimit, të ravijëzuara me Maqedoninë dhe Shqipërinë. Që javën e ardhshme kjo punë do të kalojë në një fazë konkrete.Çfarë mund të na thoni që tani konkretisht për këtë aspekt?

Javën e ardhshme do të jem si në Shkup, ashtu edhe në Tiranë, për të asistuar, kur të përgatisim procesin përgatitor, të ashtuquajturin screening për fillimin e mundshëm të negociatave vitin e ardhshëm. Është patjetër e nevojshme që ne të bëjmë një lloj inventari se ku ndodhet vendi përkatës kandidat në të gjitha aspektet e tij juridike në krahasim me gjendjen juridike në BE, dhe në bazë të gjendjes të caktojmë objektin e negociatave.

Kjo është një punë shumë e gjerë dhe do të varet shumë që sa të angazhuar do të kontribuojnë të dyja vendet për këtë, por gjithsesi kjo është diçka që besoj se do të jetë e tillë.

Problemi i sundimit të ligjit është një problem i rëndësishëm në të gjitha negociatat. Në vendet e Ballkanit Perëndimor ka ngecje në vend e edhe hapa pas. Cilat janë hapat e ardshëm që shihni këtu?

Secili vend ka detyrat e tij të shtëpisë. Shqipëria, për shembull, ka në këtë drejtim arritje për t’u shënuar me reformën e saj të gjerë të drejtësisë, e cila tani ndodhet në fazën e zbatimit me asistencë ndërkombëtare. Kjo vlen në fakt për të gjitha shtetet e rajonit, veçanërisht përsa i përket rritjes së pavarësisë, cilësisë, profesionalizmit dhe të transparencës së drejtësisë, për të fituar edhe besimin e qytetareve dhe qytetarëve në këto institucione. Kjo pasqyrohet në fund në tërheqjen e investorëve të huaj, kur ata mund të kenë besim te një drejtësi funksionuese dhe e pavarur.

Muajin e ardhshëm përfundon raporti për liberalizimin e vizave për Kosovën

Ju ravijëzuat që që muajin e ardhshëm do të bëhet hapi pasues për liberalizimin e vizave për Kosovën. Kur do të ndodhë kjo dhe cilat do të jenë hapat e ardhshëm?

Ne ndodhemi në redaktimin përfundimtar të raportit tonë, sepse dihet që Kosova kishte edhe dy pika të hapura. Njëra është zgjidhur, pra vendimi dhe adaptimi përkatës në kushtetutë i një konflikti kufitar me Malin e Zi. Kjo tani është sqaruar.

Dhe e dyta është një zhvillim i qendrueshëm i vazhdueshëm në luftë kundër kriminalitetit, kundër kriminalitetit të organizuar. Nga ana jonë në maj dërguam një mision dhe tani raporti është në fazën përfundimtare. Sapo të përfundojë kjo dhe unë besoj që do të përfundojë pozitivisht, ne do të japim përfundimisht dritë të gjelbër.

Kufiri detar Greqi – Shqipëri: Hahn “Jam shumë optimist”

Si një përparim ju ravijëzuat edhe një sukses në grindjen kufitare midis Greqisë dhe Shqipërisë. Çfarë mund të na tregoni për këtë?

Hahn: Midis Greqisë dhe Shqipërisë ka një sërë çështjesh ende të hapura. Edhe këtu ka pasur për disa muaj negociata të mira dhe njëra nga temat është sqarimi i kufijve detarë midis Shqipërisë dhe Greqisë. Shpresoj që këtu të prezantohet së shpejti një zgjidhje, sepse edhe kjo bën pjesë në këtë grup temash, që një anëtar të ri ne mund dhe duam ta pranojmë vetëm atëherë kur janë zgjidhur të gjitha konfliktet bilaterale. Po unë jam shumë optimist, që kjo do të jetë e mundur të realizohet në javët e ardhshme.

Procesi i Berlinit – bilanc i ndërmjetëm

Pra përsa i përket procesit të zgjerimit ka përparime, në një kohë që procesi i Berlinit ka ngecur pak. Si e shihni të ardhmen e procesit të Berlinit?

Unë në asnjë mënyrë nuk shoh që procesi i Berlinit të ketë ngecur, sepse procesi i Berlinit ka ofruar iniciativa mjaft të rëndësishme dhe ka dhënë shtysa të tilla, veçanërisht përsa i përket bashkëpunimit rajonal.

Me të vërtetë ne kemi përparime të mira në projektet ndërkufitare infrastrukturore, masat e para ndërtimore janë vënë në rrugë të mbarë, përsa u përket rrugëve dhe shinave; kemi pasur një takim të nivelit të lartë për digjitalizimin shumë premtues. Nga njëra anë aty u bë fjalë për hardware, për infraskturë të IT, por edhe për software.

Ajo ku jemi me të vërtetë pak mbrapa, dhe që ishte njëri nga pikësynimet, është bashkëpunimi në fushën energjetike, si përsa i përket prodhimit të energjisë, ashtu edhe përsa i përket shpërndarjes së saj. Nga ana tjetër kemi shënuar përparime të mira në zhvillimin e një hapësire ekonomike, sepse për shumë vjet këtu nuk ka pasur përparime në vëllimin e tregtisë, në një kohë kur tregtia me Evropën është dyfishuar në dhjetë vitet e fundit në 46 miliardë euro. Por në vitin 2017 kemi pasur rritjen e parë, 13 përqind të tregtisë ndërrajonale dhe kjo mund të rritet edhe më tej po të arrijmë që ta zhvillojmë këtë hapësirë të përbashkët ekonomike, ku të eleminohen barrierat e kontrollet doganore, ku të kemi një njohje reciproke të çertifikatave e kështu me radhë, këtu ka ende shumë për të bërë.

Pra procesi i Berlinit vazhdon, vitin e ardhshëm në Poloni. Cilat do të jenë për mendimin tuaj pikërëndesat?

Hahn: Kjo duhet diskutuar me miqtë polakë. Mendoj që polakët kanë një përvojë të shkëlqyer me përdorimin e mjeteve të fondeve strukturore – po ta shikoni Poloninë ajo është një vend që lulëzon, jo së fundi edhe me mbështetjen e BE. Po për këtë duhen edhe njohuri, ekspertizë në vend që mjetet të mund të tërhiqen. Dhe nga kompetenca ime e mëparshme si komisari përgjegjës e di që kjo është një sfidë. Që të përballesh që herët me këto gjëra është gjithmonë mirë. Në plan afatgjatë, synimi duhet të jetë që të gjitha konferencat përkatëse, që kanë të bëjnë me rajonin të zhvillohen po në rajon, sepse kjo e forcon mendimin e autorësisë.

Johannes Hahn është Komisari për Zgjerimin i BE. Intervistën e zhvilloi në Londër Adelheid Feilcke.

(dw)

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>