Pezullohet për një muaj, greva e minatorëve të kompleksit metalurgjik “Trepça”. Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Qazim Jashari, drejtor i minierës me flotacion “Trepça” në Stantërg duke treguar se minatorët kanë dalë nga horizonti i tetë ku kanë qëndruar për tri ditë në grevë.Ai tha se kërkesa e minatorëve është që brenda pesë muajsh Qeveria e Kosovës të miratoj Ligjin për Ndërmarrjet Publike, në mënyrë që “Trepça” të shndërrohet në pronë të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Jashari tha se efektet e para të punës së qeverisë duhet të vërehen brenda muajit, përndryshe greva vazhdon.
“Qeveria duhet të punoj dhe Ligji që “Trepçën” e shndërron në ndërmarrje publike të miratohet brenda pesë muajsh në Kuvendin e Kosovës”, tha Jashari.
Kurse Qeveria e Kosovës e mirëpret pezullimin e grevës. Përmes një komunikate për 35, Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, përshëndeti veprimin e minatorëve.
“Kryeministri dhe Qeveria shprehin përkushtimin dhe sigurojnë minatorët dhe të gjithë qytetarët e Kosovës se janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore që sigurojnë punë normale të “Trepçës” në këtë periudhë dhe të ofrojnë zgjidhje afatgjate në të mirë të zhvillimit ekonomik të vendit,në interes të minatorëve dhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Kryeministri Mustafa po ashtu thekson përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të kërkuar përgjegjësi nga të gjithë akterët, që t’i kryejnë obligimet e tyre me kohë dhe të krijojnë kushte që “Trepça” të aktivizohet me të gjitha potencialet e saj, si një nga resurset më të çmueshme të këtij vendi”, thuhet në komunikatë.
Greva e minatorëve të këtij kombinati kishte filluar tri ditë më parë. pasi të hënën me vendim të qeverisë, Kuvendi i Kosovës hoqi nga rendi i ditës, çështjen e pronësisë se këtij kombinati, që ishte në kuadër të diskutimeve për ndryshimet në ligjin për ndërmarrjet publike.
Kurse në Kuvendin e Kosovës, është miratuar ligji për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë se tyre, më anë të cilit parashihet ri organizimi i kompleksit dhe siç është thënë nga zyrtarë të Qeverisë se Kosovës, duke evituar fillimin e procedurave për falimentim.
Kompleksi metalurgjik “Trepça” që gjendet në Mitrovicë është ndërmarrje shoqërore, që menaxhohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, kurse kërkesa e punëtorëve që kjo ndërmarrje të shndërrohet në ndërmarrje publike, mundëson kalimin e saj nga agjencia tek Qeveria e Republikës se Kosovës.
Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, të mërkurën në letrën dërguar minatorëve të “Trepçës”, ka siguruar se Qeveria e Republikës së Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe të mundshme ligjore, që statusi i “Trepçës” të zgjidhet një herë e përgjithmonë në interes të minatorëve dhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës
Me heqjen nga rendi i ditës Ligjin për Ndërmarrjet Publike, kishin reaguar edhe deputetë të opozitës, përfaqësues të shoqërisë civile dhe ekspertë për çështje ekonomike.
Gjiganti metalurgjik “Trepça” që gjendet në Mitrovicë, ka qenë nën moratoriumin e vendosur nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme, ndërsa Agjencia Kosovare e Privatizimit është administrator i saj.
Ditë më parë Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme ka marr vendim që “Trepcën” ta çojë në likuidim nga data 2 shkurt, arsye kjo për veprime të shpejta të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.
Kombinati “Trepça”, si gjigant ekonomik kosovar me asete dhe degë të ndryshme të shpërndara në rajone të ndryshme, jo vetëm në Republikën e Kosovës, por edhe jashtë saj, ka qenë një prej ndërmarrjeve më të mëdha të ish-Jugosllavisë në vitet ‘80, me mbi 20 mijë punëtorë.
Trepça është i vetmi prodhues i këtij lloji në Kosovë.
Aktualisht, merret me nxjerrjen dhe përpunimin e mineraleve, kryesisht të plumbit dhe zinkut, por është edhe ndërmarrje industriale. (rel)