Të mërkurën, komiteti i Parlamentit Evropian për Liritë qytetare, drejtësi dhe punë të brendshme, i njohur si komiteti LIBE, paralajmëroi se Parlamenti Evropian do të votojë të enjten rekomandimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Votimi në parlament u hap rrugën bisedimeve me vendet anëtare të Bashkimit Evropian për këtë çështje. Negociatat do t’i zhvillojë raportuesja e Parlamentit Evropian, Tanja Fajon.
Komiteti LIBE, i cili votoi më 30 gusht në favor të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, tha se votimi i së enjtes bëhet me kërkesë të disa grupeve parlamentare. Fillimisht ishte paraparë që kjo të ndodhte gjatë muajit tetor.
Më 18 korrik, Komisioni Evropian, kishte dhënë rekomandim pozitiv për liberalizimin e vizave, duke theksuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet nga procesi i dialogut për këtë çështje.
Propozimi i parë nga Komisioni Evropian qe dhënë në maj të vitit 2016, por procesi i u bllokua për shkak të mos ratifikimit të marrëveshjes për shënimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.
Pas gati tri vjet debatesh e përplasjesh në parlamentin e Kosovës, por edhe jashtë tij, marrëveshja u ratifikua në mars të këtij viti.
Qytetarët e Kosovës aktualisht janë të vetmit në rajonin e Ballkanit perëndimor që duhet të kërkojnë viza për të udhëtuar në vendet e Bashkimit Evropian. (voa)