BE ka kritere të qarta: jo hapje në mënyrë automatikisht të bisedimeve për anëtarësim më 2019, u shpreh ministri i Jashtëm i Gjermanisë Heiko Maas gjatë vizitës zyrtare në Tiranë.
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas, solli në Tiranë të mërkurën ( 19.09.) mesazhin e njohur të BE: Shqipëria duhet të punojë shumë për të arritur rezultate të tjera në vijimin e reformave dhe për ta merituar hapjen e bisedimeve të anëtarësimit në BE vitin e ardhshëm. Në konferencën e përbashkër për shtyp me Ministrin e Jashtëm, Dirmir Bushati, ministri Maas, theksoi: “Shtetet anëtare të BE e kanë bërë të qartë që në qershor 2019 nuk do të ketë një hapje automatike të bisedimeve për anëtarësim. Kriteret për këtë janë të hapura dhe të qarta. Duhen të ndërmerren hapa për rezultate të tjera në vijim të reformave, që të mund të binden edhe ato shtete që janë disi skeptike përsa i përket këtij procesi. Fjala është për konsolidimin e shtetit ligjor dhe pavarësinë e drejtësisë”.
Maas e vlerëoi procesin e vettingut, verifikimin e gjykatësve dhe prokurorëve si “një hap gjigand”, që do të vendosë kritere përtej Shqipërisë, lidhur me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Perspektiva europiane e Ballkanit Perëndimor reale dhe e nevojshme
Ministri Maas rikonfirmoi mbështetjen e Gjermanisë në arritjen e rezultateve, lidhur me hapjen e negociatave të anëtarësimit në qershor 2019. “Perspektiva e anëtarësimit në BE është më afër se kurrë. Jam optimist se do ta arrijmë së bashku”, tha ai, duke theksuar rëndësinë strategjike që ka për Gjermaninë dhe BE përspektiva europiane e Ballkanit Perëndimor, kur e cilësoi këtë perspektivë “jo vetëm reale, të besueshme por gjithashtu të nevojshme”.
Ministri i jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati tha, se mbështetja e Gjermanisë ndaj Shqipërisë, është e ҫmuar dhe e pazëvendësueshme.
Maas: Jo ndarjes së Europës në rajone të klasit të parë dhe të dytë
Ministri gjerman Maas shtjelloi në Tiranë qendrimin e Gjermanisë për një Europë të Bashkuar. I pyetur nga DW në Tiranë, nëse ky qendrim do të shoqërohet me instrumenta, mekanizma që ai të bëhet real, kreu i diplomacisë gjermane Maas tha: “Jam plotësisht i bindur që nëse Europa kërkon të përballet me sfidat, lidhur me interesat e saj që kërkon të arrijë përkundrejt Kinës, Rusisë apo shteteve të tjera, atëhere kemi nevojë për një Europë të bashkuar, për të cilën po përpiqemi. Ne dëshirojmë të bashkëpunojmë me të gjithë partnerët tanë në Europën Lindore dhe përtej kufijve të BE-së”.
Ministri Maas e ilustroi këtë përqasje të re të Gjertmnaisë me pjesëmarrjen e saj në inisiativën e tri deteve, iniciative e 12 shteteve, anëtare të BE-së, që ndodhen mes Detit Adriatik, Detit Baltik dhe Detit të Zi, të cilën Gjermania e kishte parë deri dje me skepticizëm. “Nuk duhet të lejojmë që Europa të ndahet në rajone të klasit të parë dhe të dytë. Kemi nevojë për një Europë të bashkuar dhe duhet të angazhohemi në të gjitha fushat politike që të përballemi siç duhet me këtë sfidë”, tha ai duke iu përgjigjur pyetjes së DW.
Gjermania skeptike dhe e përmbajtur ndaj ndryshimit të kufijve në Ballkan
Ministri i Jashtëm gjerman, Maas pranoi që në rajon egziston frika se “mund të mbërrihet në shkëmbimin e zonave mes Serbisë dhe Kosovës” si një opsion për normalizimin e marrdhënieve mes tyre. “Jemi skeptikë dhe të përmbajtur për këtë çështje. Egziston frika në rajon për një efekt domino. Për këtë ҫështje duhet të merret një vendim, pra të zgjidhet në mënyrë të tillë që të mos shkaktojë problem shtesë, përveç atyre që egzistojnë. Nëse korrigjimi i kufijve do të jetë pjesë e zgjidhjes, Gjermania është skeptike”, theksoi ai në konferencën e përbashkët të shtypit.
Në takimin me Kryemnistrin Edi Rama, ministri Maas rikonfirmoi mbështejen e Gjermanisë për të plotësuar kriteret për hapjen e bisedimeve të antarësimit dhe përgëzoi rolin që luan Shqipëria në stabilitetin e Ballkanit duke e quajtur atë “spirancë të stabilitetit në rajon”.
Ministri i Jashtëm Maas përfundoi vizitën zyrtare disa orëshe në Tiranë dhe pasdite ( 19.09.) u nis për në Athinë, stacioni i tij i fundit në këtë tur në Ballkan. (dw)