Në lindje të Ukrainës duhet të pasojnë hapat për qetësimin e situatës – ky është konkluzioni i vakët i takimit në Berlin. Pas viktimave të fundit civile në Donjeck, kjo duhet të ndodhë urgjentisht, mendon Bernd Johann.Ministrat e jashtëm të Rusisë dhe Ukrainës e kanë shumë të vështirë të gjejnë një gjuhë të përbashkët. Por të paktën ata mundën të bien dakord mbi një deklaratë të përbashkët. Në të ata deklarojnë tërheqjen e armatimeve të rënda përgjatë një zone neutrale. Ata e bëjnë këtë, pasi që prej një jave në lindje të Ukrainës kanë shpërthyer luftime të fuqishme dhe sërsih brenda pak ditësh një sërë civilë të papërfshirë në luftime u vranë. Këto janë luftimet më të ashpra prej disa muajsh. Në rrënojat e aeroportit në Donjeck po gjëmon një luftë shkatërruese mes ushtrisë ukrainase dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia.
Në kulmin e këtij makthi në lindje të Ukrainës u takuan në Berlin, ministri i Jashtëm rus dhe ai ukrainas me homologët e tyre nga Gjermania dhe Franca. Ishte ky takimi i tyre i dytë brenda një jave. Takimi u organizua me ftesën e ministrit të Jashtëm gjerman Frank-Walter. Prej këtyre bisedimeve nuk pritej shumë. Dhe pas takimit askush nuk mund të bëjë fjalë për ndonjë sukses të madh.
Shansi i fundit për një zgjidhje politike
Nëse marrëveshjet e Berlinit do të zbatohen, kjo është shumë e pasigurt. Shumë shpesh në të kaluarën marrëveshjet janë shkelur. Në mënyrë që në to të përfshihen edhe separatistët dohet të zhvillohen tani negociata të mëtejshme. Grupi ndërkombëtar i kontaktit, në të cilin marrin pjesë të gjitha palët e konfliktit, tani duhet të mblidhet sa më shpejt të jetë e mundur për të negociuar mbi detajet e zgjidhjes së konfliktit ushtarak. Separatistët deri tani ndjekin pa kompromis agjendën e tyre. Ata vazhdojnë të insistojnë në shkëputjen e zonave nën kontrollin e tyre duke pasur ndihmën me armë dhe luftëtarë nga Rusia. Dhe gjithashtu në Ukrainë aktualisht kanë shumë ndikim përfaqësuesit e vijës së fortë.
Megjithatë, përpjekjet diplomatike janë rruga e duhur: Ende Kievi dhe Moska kërkojnë dialogun mes tyre. Kjo edhe për arsyen se të dyja palët e dinë që çarja e këtij filli delikat bisedimesh mund të minojë çdo shpresë për t’i dhënë fund gjakderdhjes. E kjo mund t’i çonte dy vendet në prag të një lufte të hapur mes tyre. Moska deri tani e zhvillon vetëm në mënyrë të kamufluar këtë luftë. Por në rast se separatistët hasin në vështirësi nga vazhdimi i ofensivës ushtarake të Ukrainës, atëherë Rusia mund ta ndiejë veten të detyruar për një ndërhyrje të hapur. Pasoja do të ishte një luftë, në të cilën të gjithë vetëm do të humbisnin.
Vetëm ministrat e jashtëm bisedojnë me njeri-tjetrin
Ndaj Gjermania dhe Franca insistojnë me këmbëngulje të jashtëzakonshme për të avancuar përpara në nivelin politik. Ato duan të kujdesen, që të mos këputet filli i bisedimeve. Në radhë të parë ministri Frank-Walter Steinmeier është aktualisht ndoshta ndërmjetësuesi më i rëndësishëm në konflikt. Ai vazhdon të jetë në kontakt të ngushtë me Moskën dhe ai e di se aktualisht është ndoshta i vetmi në rrethin e politikanëve perëndimore, që mund t’i ulë në një tryezë Rusinë dhe Ukrainën.
Në marrëdhëniet mes Rusisë dhe SHBA-së aktualisht mbizotëron një klimë e akullt. Edhe midis BE-së dhe Moskës pothuajse nuk ka asnjë komunikim. Madje as kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti rus Vladimir Putin, që vitin e kaluar kanë biseduar dhjetra herë së bashku, nuk kanë shumë për të thënë në këtë moment. Nga perspektiva e kancelares kjo është shumë e kuptueshme. Putin vazhdimisht i ka injoruar përpjekjet e saj. Merkel nuk mundi të arrijë ndonjë gjë, sepse kreu i Kremlinit iu përmbajt kursit të konfrontimit.
Dhe kështu tani bisedojnë me njeri-tjetrin vetëm ministrat e jashtëm. Ndaj është e qartë se asnjëra palë nuk e ka mbyllur përfundimisht portën e një zgjidhjeje politike, por hapësira e saj është ngushtuar mjaft. (dw)