Ish-avokati personal i presidentit Donald Trump, Michael Cohen, kthehet të dëshmojë të mërkurën përpara Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për çështje të Zbulimit, të drejtuar nga demokratët, që këtë javë filloi hetime të reja ndaj të administratës së presidentit Trump.
Michael Cohen dëshmoi tri herë në Kongres javën e kaluar, duke folur në seanca të veçanta në komisionet e zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve dhe të Senatit, në seanca me dyer të mbyllura, si dhe para Komisionit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve, në seancë të hapur. Gjatë dëshmisë ai e cilësoi presidentin Trump si një “njeri mashtrues” , që e kishte udhëzuar atë të mbulonte marrëdhëniet që kishte patur me dy gra dhe se presidenti kishte gënjyer në lidhje me përpjekjet e tij të biznesit në Rusi.
Kryetarët e Komisioneve të Zbulimit, të Punëve të Jashtme dhe të Mbikqyrjes bënë një kërkesë të përbashkët në Shtëpinë e Bardhë të martën duke kërkuar gjithë komunikimet që presidenti Trump kishte patur me presidentin rus Vladimir Putin, duke shprehur shqetësime se presidenti Trump ka fshehur detaje të këtyre shkëmbimeve.
Nga ana e tij, Komisioni Juridik i Dhomës së Përfaqësuesve ka kërkuar dokumente nga 81 individë, si pjesë e asaj që kryetari i komisionit Jerrold Nadler e quajti “hetim mbi korrupsionin, pengimin e drejtësisë dhe abuzimet e tjera të pushtetit nga presidenti Trump, bashkëpunëtorët e tij dhe anëtarët e administratës së tij”.
Presidenti Trump i sulmoi hetimet duke i quajtur “një ekspeditë e madhe peshkimi në kërkim të një krimi”.
Ai tha se demokratët e Kongresit “janë çmendur” dhe shtoi se letrat në kërkim të informacionit iu dërguan “njerëzve të pafajshëm për t’i sulmuar ata”.
Në Twitter, ai e quajti hetimin e Komisionit Juridik si “ekzagjerimin më të madh në historinë e vendit. Demokratët po pengojnë drejtësinë dhe nuk do të arrijnë asgjë”.
“Ngacmime presidenciale!” deklaroi ai në Twitter.
Më vonë, presidenti Trump u tha gazetarëve, “Është një turp për vendin tonë”, duke thënë se demokratët ende nuk e kanë pranuar fitoren e tij në zgjedhjet e vitit 2016. “Ata duan të përqëndrohen në gjera të pakuptimta.”
Duke shpallur hetimin nga Komisionit Juridik, ligjvënësi demokrat Nadler tha: “Gjatë disa viteve të fundit, presidenti Trump ka shmangur llogaridhënien për sulmet e tij thuajse të përditshme ndaj rregullave dhe normave tona themelore ligjore, etike dhe kushtetuese. Hetimi i këtyre kërcënimeve ndaj sundimit të ligjit është një detyrimi i Kongresit “.
Presidenti Trump ka mohuar prej kohësh keqbërjen që përfshin lidhjet e fushatës së tij me Rusinë dhe gjatë presidencës së tij. I pyetur për akuzat e zotit Nadler të hënën, Trump u përgjigj: “Unë bashkëpunoj me të gjithë kohën me të gjithë … … dhe a e dini më të bukurën? Nuk ka konsoiracion. E gjitha është një mashtrim”.
Në një deklaratë, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders tha se demokratët nisën hetimin “sepse janë të tmerruar që puna e tyre e rreme dyvjeçare rreth bashkëpunimit me Rusinë po shkatërrohet. Frikësimet dhe abuzimet e tyre ndaj shtetasve amerikanë janë të turpshme. Demokratët po e ngacmojnë presidentin për të larguar vëmendjen nga plani i tyre radikal për ta bërë Amerikën një vend socialist, duke vrarë foshnjat pas lindjes dhe duke nxitur një marrëveshje për mjedisin që do të shkatërronte vendet e punës dhe do të falimentonte Amerikën”.
Ajo tha se avokatët e Shtëpisë së Bardhë dhe “zyrtarët përkatës të Shtëpisë së Bardhë” do të shqyrtojnë kërkesën e Komisionit Juridik për dokumente dhe “do të përgjigjen në kohën e duhur”.
Përveç Shtëpisë së Bardhë, Komisioni i dërgoi kërkesat e tij për dokumente në Departamentin e Drejtësisë; zyrtarëve të lartë të fushatës; Organizatës Trump, sipërmarrje globale e biznesit të presidentit; dhe dy djemve të tij, Donald Trump i Riu dhe Eric Trump.
Ligjvënësi demokrat Nadler tha të dielën se ai beson se presidenti ka penguar drejtësinë. Ai tha se Michael Cohen, në dëshminë e tij të gjatë publike në Kongres javën e kaluar, “e implikoi drejtpërdrejt presidentin në krime të ndryshme, si gjatë fushatës së zgjedhjeve presidenciale dhe në Shtëpinë e Bardhë”.
“Ne nuk kemi ende fakte, por do të fillojmë hetimet e duhura”, tha demokrati Nadler.
Informacioni i mbledhur nga Komisioni Juridik, së bashku me atë në raportin që ende nuk është publikuar nga prokurori i posaçëm Robert Mueller, lidhur me lidhjet e fushatës së zotit Trump me Rusinë dhe akuzat për pengim të drejtësisë, mund të formojnë bazën e procedurave të shkarkimit të presidentit Trump. Por demokrati Nadler tha se të flitet për përpjekjen për të shkarkuar presidentin Trump është e parakohshme.
“Ne do të veprojmë shpejt për të mbledhur këtë informacion, për të vlerësuar provat dhe për të ndjekur faktet ku ato na çojnë me transparencë të plotë me popullin amerikan”, tha ai.
Raporti i Prokurorit të Posaçëm, Mueller mund të dërgohet së shpejti tek prokurori i Përgjithshëm William Barr, por sa pjesë të raportit do të bëhen publike është e pasigurtë. Ligjvënësit demokratë kanë bërë thirrje për shpalljen e plotë të raportit, por Willima Barr ka thënë se do ta bëjë këtë vetëm në masën që lejojnë rregulloret e Departamentit të Drejtësisë.
voa