Kosovë: Dy këshilltarë të Kancelares Merkel në Prishtinë

HajredinajDy këshilltarë për politikën e jashtme të Kancelares së Gjermanisë, Angela Merkel, Jan Hecker dhe Matthias Lüttenberg, biseduan në Prishtinë me kryeministrin Haradinaj.

Dy këshilltarë për politikën e jashtme të Kancelares së Gjermanisë, Angela Merkel, Jan Hecker dhe Matthias Lüttenberg, qëndruan (11.03) në Kosovë, ku takuan kryeministrin Ramush Haradinaj, me të cilin biseduan rreth zhvillimeve politike dhe ekonomike në Kosovë. Takimi u zhvillua me dyer të mbyllura, nuk pati prononcime për medie, ndërsa, në një komunikatë të shkurtër për medie nga zyra e kryeministrit thuhet, se këshilltarët e Merkelit, Jan Hecker dhe Matthias Lüttenberg, diskutuan me Haradinajn edhe për “normalizimin e dialogut me Serbinë”.

“Me këshilltarët për politikë të jashtme të Kancelares Gjermane, Angela Merkel, Jan Hecker dhe Matthias Lüttenberg, Haradinaj kam biseduar rreth zhvillimeve politike dhe ekonomike në vend dhe rajon, si dhe normalizimin e dialogut me Serbinë. Kryeministri Haradinaj i ka njoftuar këshilltarët Hecker dhe Lüttenberg, për progresin e Kosovës dhe përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për zhvillimin ekonomik të vendit, për prioritetet e Qeverisë së Kosovës, forcimin e sundimit të rendit dhe të ligjit, Agjendën e Reformave Evropiane dhe orientimin euroatlantik të Kosovës”, thuhet në komunikatën e kryeministrit, ndërsa, nuk thuhet asnjë fjalë për taksën e Kosovës ndaj prodhimeve të Serbisë, të cilën Serbia po e perdor si kusht heqjen e saj për ta rifilluar dialogun me Kosovën.

“Gjermania është një nga partnerët politik dhe ekonomik të Kosovës, e cila i ka dhënë mbështetje në momente të vështira dhe tani në fuqizimin e zhvillimit ekonomik dhe ofrimin në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar. Për këtë u jemi mirënjohës”, citohet më tej në komunikatë kryeministri Haradinaj.

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, disa muaj më parë pati kërkuar nga qeveria e Kosovës që ta heq, ose ta pezullojë zbatimin e taksës ndaj mallrave serbe, në mënyrë që t’i hapet rruga dialogut, ndërsa pati shprehur qëndrimin e shtetit gjerman, që është kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan.

“Një përshkallëzim i mëtejshëm duhet të parandalohet urgjentisht. Sukseset e dialogut për normalizimin duhet të ruhen. Në vend që të mendojnë për ndryshimin e kufijve, Beogradi dhe Prishtina duhet t’i përqendrojnë përpjekjet e tyre në një marrëveshje të zbatueshme që mbulon të gjitha çështjet e hapura dhe bën të mundur një normalizim gjithëpërfshirës”, pati deklaruar Heiko Maas në Paris, gjatë një konference për kufizimin e përhapjes së armëve të vogla nga Ballkani.

Dy ditë më parë në Kosovë ishte edhe nënsekretari amerikan për çështje politike, David Hale, i cili u tha autoriteteve në Prishtinë, se “tash është momenti për arritjen e një marrëveshjeje Kosovë-Serbi, ndërsa, përmbajtja e asaj marrëveshje, varet nga vet Kosova dhe Serbia”. Zyrtari i lartë amerikan, autoriteteve të Prishtinës u kërkoi heqjen e taksës prej 100 për qind ndaj mallrave serbe, ndërsa të dy palëve Prishtinës dhe Beogradit, u kërkoi “ndaljen e provokimeve të dyanshme dhe vazhdim të dialogut”.

E kryeministri Ramush Haradinaj, nuk e ka ndërmend ta heq taksën ndaj prodhimeve të Serbisë, deri në sikurse po e përsërit vazhdimisht, “njohjen e Kosovës nga Serbia.

Partia politike me e madhe opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës, nga ana e saj, i kërkoi qeverisë së Kosovës udhëhequr nga Ramush Haradinaj, që “t’i ndryshojë qëndrimet dhe sjelljet e saj, karshi partnerëve evropianë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ndërsa, vendosjen e tarifave shtesë ndaj mallrave serbe, LDK, e ka cilësuar veprim “populist”, të partive në pushtet.

“Ne jemi munduar që qeverisjes aktuale t’ia bëjmë me dije se duhet t’i ndërrojë qëndrimet e saj, sjelljet e saj, sepse është në interes të vendit që ne të kemi bashkëpunim më të mirë me partnerët tanë evropianë dhe veçmas me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Isa Mustafa, në një forum të partisë së tij.

Partitë në pushtet, javën e shkuar me kundërshtimin e opozitës, megjithatë ia arritën ta miratojnë platformën shtetërore të Kosovës për dialog me Serbinë, ku Prishtina zyrtare e ka vënë një kusht për t’u përfshirë në dialogun për marrëveshjen finale me Serbinë. Kushti i saj është që përpara se të ulet në tryezën e bisedave në Bruksel, “do zotimin paraprak të delegacionit serb se e ka autoritetin që të bjerë dakord për njohjen e shtetit të Kosovës”.

Platforma e Prishtinës e ka nervozuar Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuciq, i cili tha se “në thelb platforma e Kosovës paraqet vendimin e Prishtinës për t’i dhënë fund dialogut me Beogradin”, ndërsa kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare që të bëj presion mbi Prishitnës dhe ta heq taksën shtese prej 100% ndaj mallrave të Serbisë.

dw

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>