Aleksandër Jabllanoviq, ministri për Kthim e Komunitete, dorëheqjen e të cilit po e kërkojnë me mijëra qytetarë të Kosovës, nuk e ka ndërmend ta jep. Ai thotë se është sqaruar disa herë, se nuk ka menduar që të lëndojë nënat e viktimave të luftës, dhe se ka kërkuar falje, transmeton zeri.info.
Shton se kur je në politikë, gjithmonë ballafaqohesh me kërkesa për dorëheqje, njëjtë është kërkuar edhe dorëheqja e Isa Mustafës, edhe e politikanëve të tjerë shqiptarë.
Por sipas tij, nëse dorëheqjen i’a kërkon Lista Serbe, sepse konstaton se nuk ka punuar mirë, atëherë edhe do të jetë i gatshëm që ta jep.
Zëri: Pse i fyet nënat e Gjakovës dhe më pas kërkuat falje?
Jabllanoviq: Tashmë e kam sqaruar disa herë, se në asnjë moment nuk kam dashur që t’i lëndojë nënat e viktimave të civilëve në Gjakovë. Si ministër i Qeverisë kam përgjegjësi për atë që bëj dhe për atë që flas dhe përderisa një deklaratë, të cilën unë e kam dhënë, është bërë shkas për protesta, atëherë unë jam ndier i detyruar që të sqarohem. Nuk do të doja që më ajo deklaratë të përdoret për të nxitur protesta të tjera.
Zëri: A iu ka thënë dikush që të kërkoni falje?
Jabllanoviq: Jo, nuk ma ka kërkuar askush. Unë si politikan me përgjegjësi e di kur, në cilin moment duhet të jap një deklaratë. E kam ndier nevojën që të sqarohem po ashtu edhe të kërkoj falje, sepse deklarata ime është keqkuptuar.
Zëri: Çfarë nëse vazhdojnë protesta kundër jush? A jeni i gatshëm të jepni dorëheqje?
Jabllanoviq: Se a do të ketë apo jo më protesta, është çështje e atyre personave që po i organizojnë ato. Unë jam përgjegjës për punën që kam marrë përsipër, ashtu siç e ka marrë e tërë “Lista Serbe” e zgjedhur nga qytetarët serbë të Kosovës. Por, natyrisht që duam të punojmë edhe për qytetarët e tjerë, sepse jemi të vetëdijshëm që pa pasur bashkëjetesë të mirë mes shqiptarëve, serbëve, romëve dhe komuniteteve të tjera, nuk mundet asnjë komunitet të jetojë mirë.
Sa i përket dorëheqjes, kjo nuk është një temë që është diskutuar. Unë jam ministër i caktuar nga “Lista Serbe” dhe nëse kjo Listë ma kërkon një gjë të tillë, në të ardhmen, duke konstatuar se kam punuar keq apo në dëm të Listës, atëherë unë jam i gatshëm të jap dorëheqje. Por tani, në këtë moment si politikanë, ne gjithmonë jemi të atakuar nga komentet e ndryshme dhe kërkesat. Kemi dëgjuar që edhe dorëheqja e kryeministrit Mustafa është kërkuar. Në seancën e fundit në Kuvend edhe kryetarit iu është kërkuar dorëheqja. Pra, është diçka që duhet të mësohemi përderisa jemi pjesë e politikës.
Zëri: Isa Mustafa është në krye të Kabinetit të Qeverisë. Çka nëse ai ju kërkon dorëheqjen si kryeministër i vendit?
Jabllanoviq: Isa Mustafa e di që unë punën time e bëj në pajtim me ligjet e Qeverisë edhe të Ministrisë dhe në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Lidhur me rezultatin e punës sime, sigurisht që do të ketë vlerësim pas 100 ditëve. Mendoj se punën po e bëj në mënyrë transparente dhe në interes të të gjithëve.
Zëri: Ju pyeta nëse kryeministri Mustafa do ta kërkonte dorëheqjen tuaj, për shkak të deklaratës suaj kur quajtët nënat e Gjakovës “egërsira”?
Jabllanoviq: Unë e kam sqaruar deklaratën time, ia kam sqaruar edhe kryeministrit Mustafa, prandaj nuk e shoh në këtë drejtim që do të ketë diçka të tillë. Me Mustafën kam komunikim të mirë.
Zëri: A ju ka thënë ndonjë gjë kryeministri Mustafa lidhur me këtë që ndodhi?
Jabllanoviq: Nuk mundem të flasë publikisht për të gjitha ato që mund të fliten brenda Kabinetit të Mustafës, por mund të them se mes nesh ekziston një komunikimi i mirë.
Mustafa është një politikan premtues për të gjithë qytetarët e Kosovës, me një përvojë të mirë, puna e të cilit do të sjellë rezultate të mira për të gjithë qytetarët e Kosovës./Zëri/