Vëzhguesit ndërkombëtarë vlerësojnë zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut

osbeVëzhguesit ndërkombëtarë e cilësuan si një proces të qetë dhe të menaxhuar mirë atë të balotazhit të së dielës të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut, ku Stevo Pendarovski, kandidat i Social-Demokratëve të kryeministrit Zoran Zaev doli fitues. Ndërkohë që rezultatet pritet të bëhen zyrtare, opozita maqedonase, me VMRO-DPMNE-në në krye, është ankuar për parregullsi gjatë zgjedhjeve.

Kampi i zotit Stevo Pendarovski festoi mbrëmë para selisë së Lidhjes Social Demokrate në pushtet, ndërsa VMRO-DPMNE-ja e opozitës ankohet për një mori parregullsishë në zgjedhje.

Nga ana tjetër, vëzhguesit ndërkombëtarë e cilësuan edhe raundin e dytë si të administruar mirë dhe të qetë.

“Dita e zgjedhjeve kaloi mirë dhe procedurat kyçe u ndoqën në përgjithësi në mënyrë transparente”, tha shefja e vëszhguesve të OSBE-së, Sereine Mauborgne.

Vëzhguesit e ODIHR-it, të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së dhe të Këshillit të Evropës kanë vënë re respektimin e të drejtave themelore të votuesve në proces, megjithëse vihen në dukje disa hendeqe, sipas misionit vëzhgues, në aspketin e ligjeve që nuk u adresuan që prej raundit të parë.

“Administrata zgjedhore zbatoi përgatitjet në mënyrë profesionale dhe të paanshme dhe gëzoi besimin e publikut”, thuhet në raportin paraprak.

Më tej nënvizohen përpjekjet e partive dhe kandidatëve për të arritur tek votues shqiptarë dhe romë, tek të cilëtpati një shkallë më të ulët të daljes në votime si në raundin e parë edhe në balotazhin e së dielës.

Një nga garuesit nuk ka dorëzuar raportin e parakohshëm për shpenzimin e fondeve në fushatë. Ndërkaq, sa i përket medias, – thuhet se – “televizioni publik dhe media e vëzhguar siguruan një mbulim të paanshëm që u mundësoi votuesve të jenë të informuar për zgjedhjen e tyre”.

Nga vërejtjet e misionit vëzhgues mbetet çështja e mosfigurimit të një numri votuesish në regjistrin zgjedhor, ndërsa në pak raste janë vërejtur përpjekje për blerjen e votës.

“Mund të konfirmoj se pati votime familjare, që e kemi theksuar edhe në raport, por tani nuk mund të them se në cilat zona dhe në ç’shkallë ndodhi kjo”, – tha shefja e misionit të ODIHR-it, Corien Jonker.

Zoti Stevo Pendarovki ka fituar 51.66 për qind të votave, ndërsa kandidatja e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska Davkova, mori 44.73 për qind.

Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, në votime morën pjesë 46.70 për qind e pak mbi 1.8 milion qytetarëve me të drejtë vote.

Zoti Stevo Pendarovski, i vlerësuar si i moderuar dhe properëndimor, tha se do të jetë president i të gjithëve, ndërsa falënderoi votuesit e të gjitha komuniteteve për mbështetjen e dhënë.

“Do të jem president i shtetit prej të cilit nuk do të turpëroheni as brenda dhe as jashtë vendit! Kjo fitore para së gjithash është fitore e shumicës së qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, që pavarësisht nga përkatësia etnike apo politike u bashkuan dhe thanë: vazhdojmë përpara”,u shpreh zoti Pendarovski

Ai e quajti rezultatin një sukses të madh sepse këto zgjedhje, siç tha ai, paraqesin fitore për unitetin dhe bashkimin.

“Fitorja e konceptit ‘Së bashku përpara’sjell ardhmëri për Republikën e Maqedonisë së Veriut, por në të njejtën kohë edhe biletë për në Evropë”, tha presidenti i zgjedhur.

Kryeministri dhe kryetar i Lidhjes Social Demokrate, Zoran Zaev i cilëson këto si zgjedhjet më të pasra, të drejta dhe demokratike në vend, ndërsa shtoi se Maqedonia e Veriut zgjodhi një president evropian.

“Vendi ynë është në NATO, është në BE. Pikë! Fund për regjimin dhe të kaluarën e errët! Mickovski u mund; u mundën politikat destruktive të udhëheqjes së VMRO-DPMNE-së. U mundën politikat e ndarjeve, të mungesës së qëndrimit, të konfliktit, pasigurisë dhe mbjelljes së frikës”, tha zoti Zaev para gazetarëve dhe disa qindra përkrahësve.

VMRO – DPMNE është ankuar për parregullsi gjatë procesit zgjedhor, ndërsa kandidatja e saj, Gordana Siljanovska Davkova, tha se “rezultati është i qartë”.

“Por çështja është se sa ky rezultat do të çojë drejt pajtimit apo bashkimit apo nëse shënon një ndarje brenda në shtet, ndarje të karakterit ndëretnik”, – tha ajo.

Të dy kandidatët dhe partitë e tyre e kishin të qartë se pa votat e shqptarëve nuk i fitonin dot zgjedhjet. Votat e shqiptarëve padyshim kanë qenë vendimtare në zgjedhjet e së dielës. Zgjedhjet u konsideruan si një sprovë e politikave pro-perëndimore të qeverisë por dhe mundësisë së shkarjes nga kjo rrugë.

Zoti Stevo Pendarovski ka mbështetur fuqishëm marrëveshjen e Prespës me Greqinë fqinje për ndryshimin e emrit të Republikës së Maqedonisë në shkëmbim të anëtarësimit në NATO dhe afrimit me Bashkimin Evropian, ndërsa zonja Gordana Siljankovska Davkova dhe partia e saj e kritikuan dhe kundërshtuan atë. Zgjedhjet u vëzhguan nga 3 mijë 300 përfaqësues vendas dhe 520 vëzhgues të organizatave të huaja me organizatën ODIHR në krye.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>