“Në nivel institucional natyrisht që unë nuk kam asnjë arsyeje që unë mos t’iu përgjigjem institucioneve të vendit. Në nivel të bashkëpunimit politik është botërisht e ditur që unë kam mospajtime të thella me mënyrën se si e bën politikën dhe si e përfaqëson vendin Thaçi. Kurse kam shumë më pak mospajtime e shumë më shumë qëndrime të përbashkëta me kryeministrin aktual. Besoj që këtë edhe zogjtë e dinë”, tha Osmani.
Kryeparlamentarja Osmani pas mbledhjes së kryesisë, tha se bashkëpunimi ndërinstitucional, pavarësisht opinioneve personale, është shumë i rëndësishëm ndërmjet tri institucioneve më të larta në vend.
“Ne kemi një praktikë javore që të takohemi me kryeministrin e vendit çdo javë, praktikë që e kemi ndërtuar nga dita e parë kur edhe Kurti është zgjedhur kryeministër, por kur edhe kryetare e Kuvendit të Kosovës, sepse është e domosdoshme që punët e qeverisë të bashkërendohen. Natyrisht që unë do të vazhdoj të takohem rregullisht me kryeministrin e vendit, sepse është e domosdoshme për vendin tonë që të ketë një bashkëpunim të tillë. Dhe kemi një bashkëpunim të mirë, dhe besoj që do të vazhdojë të mbetet tash e tutje. Sa i përket presidentit të vendit, nuk ka pasur ndonjë kërkesë nga ana e tij që të takohemi dhe të bashkërendojmë vendimet. Madje as për çështje të rëndësisë nacionale. Bile, ju e dini që kur presidenti i vendit ka ftuar për konsultime lidhur me tema që janë të rëndësisë nacionale, i ka ftuar krerët e partive, por jo krerët e institucioneve. Pra, gjithnjë më ka anashkaluar mua si kryetare e kuvendit”, ka theksuar Osmani.
Kryeparlamentarja Osmani thotë se presidenti Thaçi vetëm njëherë ka kërkuar t’i drejtohet Parlamentit, e sipas saj, këtë e ka bërë në mënyrë arbitrare, më pas nuk ‘i ka interesuar të shkojë e të flasë në Kuvend’.
Duke folur rreth zhvillimeve të fundit në Shqipëri, Osmani tha se bashkëndjen me ata që kanë kundërshtuar shembjen e ndërtesës së Teatrit Kombëtar në Tiranë gjatë ditës së djeshme.
Osmani: Përfshirja e Rusisë në dialog do të ishte hap prapa
“Në vitin 2010 kur Asambleja ka vendosur si të procedohet për dialogun absolutisht ka kundërshtuar një format ku është i përfshirë edhe Rusia. Nëse kthehemi në formate ku Rusia ka pasur zë dhe rol besoj qe kthehemi mbrapa. Nuk e shoh aspak të nevojshme e aq më pak si ndihmesë përfshirjen e Rusisë në këtë proces. Rusia e ka dëshmuar që qëllimin e vet në Ballkan e ka destabilizimin e rajonit. Kjo është një çështje që BE do të duhej ta trajtonte me seriozitet”, ka thënë Osmani.
Më herët ambasadori i Rusisë në Beograd, Aleksandar Botsan Harchenko, ka thënë se nëse Serbia kërkon përfshirjen e Rusisë, atëherë vendi i tij do ta shqyrtojë këtë. E lidhur me këtë SHBA-ja ka thënë se çdokush që ka ide të mira për paqen në rajon është i mirëseardhur.
koha