Vende të tjera kanë prej kohësh aplikacione për të konstatuar zinxhirin e infektimit. Në Gjermani, aplikacioni po vjen tani. Por me hak: mbrojtja e të dhënave është zgjidhur në mënyrë shembullore
“Ajo që kërkon shumë kohë më në fund do të jetë e mirë,” thotë një shprehje gjermane. Për futjen e një aplikacioni paralajmërues për Coronan, në Gjermani u desh pak më shumë kohë se në shumë vende të tjera. Kina dhe Koreja e Jugut tashmë i kishin aplikacionet përkatëse në mars. Vendet evropiane, siç është Franca, pasuan në fillim të qershorit.
Këtu janë pyetjet dhe përgjigjet më të rëndësishme në lidhje me aplikacionin e ri:
Pse është zgjidhur mbrojtja e të dhënave më mirë sesa në vendet e tjera?
Në dallim nga Kina, për shembull, ku aplikacionet e paralajmërimit të Coronas krijojnë profile të plota dhe të dukshme të lëvizjes së përdoruesve dhe i dërgojnë ato në kompjutera të institucioneve qendrore, aplikacioni gjerman i paralajmërimit nuk merret fare me lokalizimin e përdoruesit.
Aplikacioni nuk zbulon se ku ndodhet dikush; asnjë autoritet nuk mund të spiunojë përdoruesit. Aplikacioni njeh vetëm përdoruesit e tjerë të aplikacionit që janë afër. Kjo funksionon përmes Bluetooth-it, një standard valësh me të cilin pajisjet mund të shkëmbejnë të dhëna në distancë të afërt. Për këtë celularët dërgojnë numra identifikimi afatshkurtër. Detajet faktike të kontaktit ruhen vetëm në celularin inteligjent të përdoruesit. Por në celular, ato janë të koduara në mënyrë të tillë, që pronari i telefonit të mos jetë në gjendje t’i shohë vetë. Të dhënat fshihen automatikisht pas dy javësh.
Krahas kësaj, ekzistojnë vërtet të dhëna në serverat e verifikimit dhe të aplikacionit. Sidoqoftë, ato janë të anonimizuara dhe përdoren për të dërguar çelësat e verifikimit dhe numrat e transaksioneve në mënyrë që sistemi të funksionojë në mënyrë të sigurtë. Për të rritur besimin te aplikacioni dhe për të siguruar transparencë, zhvilluesit kanë publikuar paraprakisht kodin burimor të aplikacionit.
Si bëhet paralajmërimi nëse dikush infektohet?
Kur një laborator zbulon se është infektuar dikush, personi merr së bashku me rezultatin e testit një kod QR të gjeneruar enkas, të cilin ai duhet ta skanojë me celularin e tij. Vetëm atëherë është e mundur që ai të dërgojë një paralajmërim. Telefoni ua dërgon të dhënat anonime personave të kontaktit në një server qendror.
Serveri dërgon më pas automatikisht një paralajmërim si mesazh tek të gjithë ata pranë të cilëve ka qenë për të paktën 15 minuta personi i vërtetuar si i infektuar në 14 ditët e fundit. Miratimi i mesazhit paralajmërues nga laboratori duke përdorur kodin QR është i nevojshëm për të siguruar që askush të mos shkaktojë alarm të rremë.
Kushdo që merr një paralajmërim të tillë, gjithashtu merr rekomandime si të sillet: Për shembull, t’i nënshtrohet një testi për Coronan te mjeku dhe të kalojë në karantinë.
Kur do të ofrohet aplikacioni dhe kush mund ta përdorë atë?
Ministri Federal i Shëndetësisë Jens Spahn ka njoftuar se zhvilluesit – Deutsche Telekom dhe SAP – do ta prezantojnë aplikacionin në javën e tretë të qershorit 2020. Pas kësaj, ai do të jetë menjëherë në dispozicion.
Megjithatë, jo të gjithë përdoruesit e celularëve inteligjentë do të jenë në gjendje ta instalojnë atë: ai funksionon në pajisjet Android që nga sistemi 6 dhe iOS që nga sistemi 13.5. Për më tepër, në celularë duhet të ekzekutohen Shërbimet e Google Play. Ky komponent i programit nuk është për shembull i instaluar në pajisjet Huawei. Versioni i parë i aplikacionit fillimisht do të jetë në dispozicion në gjermanisht dhe anglisht. Gjuhë të tjera si turqishtja do të pasojnë.
Cilat dobësi të tjera ekzistojnë?
Jo të gjitha laboratorët e testimit për SARS-CoV-2 dhe jo të gjitha Zyrat e Shëndetit Publik janë të pajisur me infrastrukturën e nevojshme digjitale, me të cilën të dërgojnë rezultatet e testimit në sistem dhe të gjenerojnë kode QR.
Prandaj, pacientët të cilët janë testuar nga laboratorë të tillë dhe nuk mund të marrin një kod QR, duhet të dërgojnë të dhënat e tyre me telefon në një linjë telefonike për raste emergjente. SAP dhe Telekomi e kanë ngritur këtë linjë së bashku. Qendra e thirrjeve do të jetë në gjendje të trajtojë rreth 1000 thirrje në ditë.
Pacientët duhet t’u përgjigjen pyetjeve konstatuese të testit nga punonjësit e qendrës së thirrjeve për t’u siguruar që ata vërtet janë testuar pozitivë. Sidoqoftë, pyetjet dhe përgjigjet nuk lejojnë të nxirren përfundime në lidhje me pacientin. Megjithatë, me këtë procedurë të ndërlikuar, ekziston rreziku që pacientët të shkaktojnë alarme të rreme ose të zbulojnë aksidentalisht të dhënat e tyre personale.
Jorgan evropian me arna
Një dobësi e madhe e të gjitha aplikacioneve paralajmëruese për Coronan – përfshirë atë gjerman – është se ato janë gjithmonë vetëm zgjidhje nacionale. Ato nuk janë aspak kompatible në të gjithë botën dhe madje edhe brenda Bashkimit Evropian ka të paktën shtatë zgjidhje të ndryshme që nuk janë të lidhura ose nuk përputhen. Në këtë kuptim, udhëtarët që duan të mbrojnë veten dhe të tjerët me një aplikacion paralajmërimi mund të instalojnë vetëm disa aplikacione menjëherë.
Një problem tjetër: te aplikacioni gjerman dhe ai francez, paralajmërimi mund të dërgohet vetëm nëse një institut kombëtar përkatës i provave e ka konfirmuar infektimin. Kur, për shembull, një institut gjerman e zbulon infeksionin pas një kthimi nga Franca, asnjë mesazh paralajmërues nuk mund të jepet në aplikacionin francez.
Të paktën, pothuajse të gjitha zgjidhjet evropiane bazohen në shkëmbimin e të dhënave përmes Bluetooth-it, kështu që ato plotësojnë një standard minimal të mbrojtjes së të dhënave. Por në Francë, për shembull, të dhënat pastaj ruhen në një server qendror.
Jo të gjitha aplikacionet janë kaq të sigurta nga gabimet. Kjo e bën më të lehtë dërgimin e një raporti të rremë p.sh. me aplikacionin austriak, sepse nuk duhet të provohet asnjë rezultat pozitiv. Situata është e ngjashme në Britaninë e Madhe, ku gjithashtu është parashikuar një mekanizëm, në mënyrë që alarmet e rreme që janë dërguar tashmë të mund të anulohen.
Sidoqoftë, të paktën aplikacionet për Gjermaninë, Austrinë dhe Zvicrën do të jenë në gjendje të komunikojnë me njëri-tjetrin në një të ardhme të afërt, sepse përdorin një standard uniform të zhvilluar nga Apple dhe Google.
A e zbraz aplikacioni baterinë time?
Ky ishte një shqetësim i madh për zhvilluesit. Kjo është arsyeja pse ata e konfiguruan aplikacionin në mënyrë që të mos kërkojë vazhdimisht celularë të tjerë, por vetëm në intervale të shkurtra. Kjo do të bëjë që përdoruesit të mos e çinstalojnë aplikacionin në ndonjë moment, sepse u zbrazet bateria.
Kur ia vlen të përdorni aplikacionin në luftën kundër virusit të Coronas?
Ekspertët kanë vendosur si synim që aplikacionin ta instalojnë rreth 60 përqind e njerëzve . Ministri i Shëndetësisë Spahn është pak më i kujdesshëm dhe i tha Rheinische Post se do të ishte i kënaqur nëse do të kishte disa milionë përdorues.
dw