Mjekët studiojnë pasojat afatgjata të koronavirusit

UK CoronavirusMjekët në vende me një numër në rritje pacientësh që kanë kaluar koronavirusin, thonë se ata që janë prekur rëndë, kanë nevojë për trajtim edhe pasi kanë dale nga spitali. Ka shqetësime se një numër i vogël njerëzish mund të pësojnë një dëmtim afatgjatë apo të përhershëm të mushkërive, si edhe dobësi të vazhdueshme, çorientim dhe ankth.

Susan Cresswell doli nga spitali në prill por ajo ende nuk është rimëkëmbur plotësisht. Asaj vazhdon t’i merret fryma dhe ndjehet pa fuqi.

65 vjeçarja do të dilte në pension në tetor por tani nuk është e sigurt nëse do të kthehet dot në punë.

Zonja Cresswell thotë se nuk ishte ndjerë mirë për dy javë para se gjendja e saj të përkeqësohej me shpejtësi. Ajo u dërgua në njësinë e kujdesit intensiv.

Mjekëve iu desh ta lidhnin me frymëmarrje artificiale ndërsa e kishin vënë në koma artificiale. Ajo pati komplikime me zemrën dhe veshkat.

Izolimi sa kishte filluar dhe zonja Cresswell, nuk mund të takohej me të birin dhe dy vajzat e saj.

“Një infermiere shumë e mirë më mbante dorën dhe më tha se e vetmja mënyrë që të më trajtonin, ishte duke më future në koma. Ishte e tmerrshme dhe mendimi im i parë ishin fëmijët, por nuk kisha alternativë. I thashë ‘a mund t’u thuash fëmijëve të mi që i dua shumë?’”, kujton ajo.

Revista mjekësore Lancet ka botuar një studim nga mjekët që kanë trajtuar 153 pacientë me koronavirus.

Ata e kanë përshkruar si “një tablo të ndërlikimeve në tru tek pacientët me raste të rënda të COVID-19″.

Sipas studimit, një e treta e pacientëve kishin përjetuar “një tjetërsim të gjendjes mendore si pezmatim të trurit dhe simptoma të ngjashme mepsikozën dhe demencian”.

Studiuesit thonë se ka nevojë për studime më të gjera.

Zonja Cresswell vuan nga ëndrra të këqija dhe nuk është e sigurt nëse po përjeton përsëri përvojën e komës në spital apo nëse po sheh përsëri të njëjtën ëndërr që shihte në spital.

“Netët e para kisha frikë të shkoja të flija sepse natën e parë shihja të njëjtat ëndrra që shihja kur isha në koma”.

Mjekët në spitalin e qytetit Nottingham, në Britani, kanë krijuar një ekip për pacientët që kanë dalë, ku përfshihen specialistë për rrugët e frymëmarrjes dhe të kujdesit intensiv, si edhe me fizioterapistë dhe psikologë.

Ata bëjnë konsulta përmes telefonit me qindra pacientë.

Charlotte Bolton, mjeke e spitalit dhe profesore në Universitetin e Nottinghamit, thotë sa ka parë një gamë të gjerë simptomash.

“Marrje fryme, kollë, lodhje, dobësim i muskujve dhe kufizime në aktivitetet e përditshme. Por disa kanë gjithashtu ëndrra të frikshme, nuk u kujtohet fare që kanë qenë në spital”, thotë ajo.

Ajo shton se disa ish-pacientë nuk kthehen dot në punë sepse kanë probleme me kujtesën. Profesorja e mjekësisë thotë se është herët për të përcaktuar përqindjen e pacientëve me pasoja afatgjata.

“Sa më gjatë të kenë qëndruar në spital, aq më i rëndë rasti me COVID. Nevoja për kujdes intensiv, apo për një sasi të madhe oksigjeni, është shenjë identifikuese se cilët pacientë kanë më shumë gjasa të kenë simptoma të vazhdueshme për gjashtë javë ose më shumë”, thotë ajo.

Dr. Sarah Linford specialiste e kujdesit intensiv, thotë se disa pacientë e përballojnë shumë mirë, megjithë nivelet shumë të ulëta të oksigjenit.Kjo do të thotë që mjekët nuk e përcaktojnë dot menjëherë se cilët pacientë mund të pësojnë një keqësim të menjëhershëm. Mjekët gjithashtu hezitojnë të përdorin respiratorë pa qenë nevoja.

“Frymëmarrja artificiale përdoret për një gjendje që është e trajtueshme, një nga faktorët kryesorë për ta shtruar dikë në njësinë e kujdesit intensiv. Për pyetjen nëse respiratorët shkaktojnë dëm, përgjigjia është po, pasi ndryshon mënyra se si hyn ajri në mushkëri”, thotë Dr. Linford.

Edhe specialistët e dëmtimeve të mushkërive, po studiojnë pacientët me COVID-19 dhe mendojnë se ka ngjashmëri me sëmundje të tjera serioze të mushkërive.Profesor Gisli Jenkins, studiues i mjekësisë eksperimentale, tregon tre grafi. Tek e para, ato janë të mbushura me ajër.

“Këtu ato janë në gjendje normale, por tek ata me raste të rënda COVID-i, pas 7-10 ditësh, vihet re një pezmatim, dhe e gjithë pjesa që ishte e mbushur me ajër, zëvendësohet me inflamacion”, thotë ai.

Megjithëse shumica e pacientëve shërohen, për disa prej tyre, dëmi vazhdon.Jenkins tregon një mushkëri të dëmtuar rëndë të një pacienti, tre muaj pas daljes nga spitali.

“Është diçka e ngjashme me një fibrozë pulmonare, që është një sëmundje degjenerative e mushkërisë. Ne e dimë që ata që janë të prekur prej saj vdesin brenda tre vjetësh nga diagnostikimi dhe arsyeja është se dëmtimi është i pandalshëm”, thotë Prof. Jenkins.

Shkencëtarët thonë se është shumë herët për të nxjerrë përfundime sepse virusi është shumë i ri. Prof. Jenkins thotë se ka një element prirjeje gjenetike tek pacientët me fibrozë pulmonare.

Për momentin doktorët po studiojnë me kujdes nëse virusi mund të ketë implikime të papritura afatgjata si për pacientët, ashtu edhe për shërbimet shëndetësore.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>