Apeli i ambasadorit të Gjermanisë në Shqipëri Peter Zingraf lidhur me reformën e Kodit Zgjedhor: Hap i rëndësishëm, vijoni dialogun dhe gjithë përfshirjen.
Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, të pasqyruara në Marrëveshjen konsensuale dhe gjithë përfshirëse të 5 qershorit, u miratuan të enjten, (23.07) me 99 vota, nga 84 të domosdoshmet e votimit të cilësuar dhe vetëm me 6 vota kundër dhe 4 abstenime.
Miratimit të Marrëveshjes së 5 qershorit i parapriu një marrëveshje mes maxhorancës socialiste dhe opozitës parlamentare. Në bazë të saj, maxhoranca socialiste në këmbim të votës pro të opozitës parlamentare po mbështetet plotësimin e dy kërkesave të saj: listat e hapura të kandidatëve për deputetë dhe riformatimin e koalicioneve politike para-zgjedhore në zgjedhjet parlamentare 2021. Ndryshimet Kushtetuese për plotësimin e këtyre kërkesave priten të miratohen në Parlament, javën e ardhshme, në 30 korrik.
PD dhe opozita jashtë parlamentit kundërshton dy ndryshimet kushtetuese. Miratimin e tyre e konsideron një “akt me pasoja të paparashikueshme për stabilitetin politik të vendit”.
Ndryshimet e sapo miratuara në Kodin Zgjedhor shënojnë përfundimin e fazës së parë të rerformës zgjedhore në Shqipëri, në plotësim të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it.
Kryerja e reformës zgjedhore përbën një nga kushtet prioritare të Bundestagut gjerman që Shqipëria duhet të plotësojë që BE-ja të hapë negociatat e pranimit.
Zingraf thirrje forcave politike: Vijoni dialogun dhe gjithëpërfshirjen
Ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf, vlerësoi miratimin në Parlament të Marrëveshjes së 5 qershorit, si “një hap të rëndësishëm të gjithë aktorëve në rrugën drejt Konferencës së Parë Ndërqeveritare në kuadrin e bisedimeve të anëtarësimit në BE”.
Ai solli në vëmendje vendimin e Bundestagut gjerman në shtator 2019, lidhur me perspektivën europiane të Shqipërisë, ku për kryerjen e reformës zgjedhore flitet për një ”dialog të hapur, ku të përfshihen të gjitha forcat politike”.
“Vendimi i Bundestag-ut është njohur nga të gjitha institucionet politike shqiptare në vend si një “Roadmap” për kalendarin shqiptar të reformave. Ndaj u bëj thirrje të gjithë aktorëve që në zbatim të marrëveshjes, por edhe në ndërmarrjen e të gjitha hapave të tjera, të vijojnë më tej me dialogun dhe gjithëpërfshirjen” thekson ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf.
Olivér Várhelyi: Përmbushje e një prej kushteve
Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi dhe Delegacioni i BE në Tiranë përshëndetën miratimin në Parlament të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor të Shqipërisë. Në një postim në Twitter, Varhelyi , thekson se ky zhvillim ” plotëson një kusht kryesor të konkluzioneve të Këshillit të BE”
“Për çdo ndryshim shtesë, u bëj thirrje të gjitha palëve të vazhdojnë diskutimet, në mënyrë që fryma dhe rezultatet e marrëveshjes së 5 qershorit të mos dalin nga binarët”, thekson komisioneri Olivér Várhelyi.
Ambasadori i Delegacionit të BE në Tiranë, Luigi Soreca në reagimin e tij, lidhur me ndryshimet shtesë në reformimin e sistemit zgjedhor të Shqipërisë, u bëri thirrje palëve që “procesi që çon në ndryshime shtesë nuk duhet të dëmtojë frymën dhe rezultatet e marrëveshjes së 5 qershorit, “Palët të vazhdojnë diskutimet në Këshillin Politik me të njëjtën frymë gjithëpërfshirëse dhe bashkëpunuese, të demonstruar gjatë miratimit të marrëveshjes politike të 5 qershorit.”
SHBA e përshëndetën miratimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, të pasqyruara në marrëveshjen e 5 qershorit, “Ky akt respekton marrëveshjen e bërë nga të gjitha partitë dhe e çon Shqipërinë një hap tjetër përpara drejt BE”, theksohet në reagimin e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë.
Ç’ndryshime do të ketë në Kodin Zgjedhor?
Miratimi në Parlament i Marrëveshjes së 5 qershorit i hap rrugën zbatimit të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Në krye të tyre është reformimi i strukturës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), institucionit kryesor më të rëndësishëm në organizimin dhe administrimin e proceseve zgjedhore në Shqipëri. Me ndryshimet e miratuara struktura e KQZ do të ketë tri nivele: niveli i parë është ai i Komisionerit Shtetëror, që ka statusin e përfaqësuesit të KQZ, dhe administron procesin zgjedhor; niveli i dytë është Rregullatori Zgjedhor që ka për detyrë të ndërtojë gjithë setin e rregullave, në bazë të të cilave, do të realizohet procesi zgjedhor; niveli i tretë është Komisioni i Ankesave dhe i Sanksioneve që merr përsipër të trajtojë ankesat dhe të vendosë sanksione për ata që shkelin ligjin zgjedhor.
Një ndryshim tjetër i rëndësishëm është identifikimi elektronik i votuesve, me asistencën e një eksperti ndërkombëtar.
Ndryshimet e sapo miratuara në Kodin Zgjedhor nuk përfshijnë një nga rekomandimet kryesore të OSBE/ODIHR-it: depolitizimin e administratës zgjedhore.
dw