Prokuroria e Specializuar kryen arrestimin e parë në Kosovë – publikohet akuza

HaagProkuroria e Posaçme e Kosovës me seli në Hagë, tha të enjten se është arrestuar Sali Mustafa, në bazë të një urdhër arresti të saj dhe akuzës së konfirmuar nga një gjykatës i procedurës paraprake të Gjykatës së Posaçme.

Në njoftimin e prokurorisë thuhet e zoti Mustafa është transferuar në njësitë e paraburgimit të Dhomave të Specializuara, emri me të cilin njihet Gjykata e Posacme dhe do të dalë “pa vonesë para gjykatësit”.

Në orët e mbrëmjes së të enjtes Prokuroria njoftoi se akuza ndaj zotit Mustafa është konfirmuar më 12 qershor të këtij viti.

Sipas akuzës “afërsisht midis 1 prillit të vitit 1999 dhe 19 prillit të vitit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, (një zonë në lindje të Prishtinës) janë kryer krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”.

Në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet për veprat: “ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt”.

Zoti Mustafa ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës së viteve 1998-1999 ndërsa pas luftës kishte shërbyer në Trupat Mbrojtëse të Kosovës e më pas edhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, tha se i ka ofruar “mbështetje operacionale dhe logjistike Prokurorisë së Specializuar në pajtim me mandatin e tij dhe në pajtim me ligjet e Kosovës”.

Ky është arrestimi i parë i kryer nga Gjykata e Posaçme e cila trajton pretendimet për krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë.

Gjykata e Posaçme për Kosovën e njohur me emrin Dhomat e Specializuara u themelua në vitin 2015 dhe vepron në bazë të ligjeve të Kosovës, por me personel ndërkombëtar.

Ideja për themelimin e saj pasoi pretendimet e ngritura në raportin e vitit 2011 të hartuar nga i dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Martty, i cili ngriti dyshimet për përfshirjen e ish kryengritësve në vrasjen e civilëve serbë dhe kundërshtarëve politik shqiptarë.

Mbi 200 ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë marrë në pyetje që nga fillimi i vitit 2019 ndërsa më 24 qershor prokuroria publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Hetimet, sikurse edhe ngritja e gjykatës dhe ngritja e akuzave janë shoqëruar me reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>