Nivel i lartë risku, Komiteti Teknik i Ekspertëve: Vijonë të mbeten në fuqi masat e marra pa afat

kteKomitetit Teknik i Ekspertëve ka vendosur të mbeten në fuqi pa afat të gjitha masat e marra deri tani për kufizimin e lëvizjeve dhe aktiviteteve pas orës 22:00, shmangien e grumbullimeve me më shumë se 10 persona, shmangien e aktiviteteve partiake, ceremonive dhe konferencave si dhe realizimin e mësimit online në universitete dhe të alternuar (online dhe fizik) në shkollat e arsimit parauniversitar.
Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, prof. Mira Rakacolli tha se bazuar në vlerësimin e situatës, në mbledhjen e zhvilluar sot, Komiteti Teknik i Eksperteve mori vendimin unanim për të vijuar masat e marra deri tani, me një afat të papërcaktuar.
“Do të vijojnë të jenë të ndaluara grumbullimet me mbi 10 persona në vende të hapura dhe të mbyllura si dhe mbledhjet partiake, tubimet, konferencat, ceremonitë e festave, ceremonitë martesore dhe organizimet e ceremonive morteore, përtej atyre familjare. Do të vazhdoje të jetë në fuqi pa afat kufizimi i lëvizjes së qytetarëve nga ora 22:00-6:00, ku përjashtim përbëjnë emergjencat dhe arsyet e punës. Do të vijojë të ketë kufizim të bareve, restoranteve, fast food, nga ora 22:00-6:00, përveç shërbimit delivery”, tha Rakacolli.
Ndër masat e tjera që u rikonfirmuan nga Komiteti Teknik i Ekspertëve është edhe vijimi i mësimit online në Universitete, i mësimit të alternuar në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme si dhe adimistrata do të vijojë të punojë nga shtëpia, si një tjetër masë për të frenuar përhapjen e infeksionit te shkaktuar nga virusi Sars- Cov2.
Dr. Eugena Tomini, shefe e Inteligjiencës Epidemiologjike në Institutin e Shëndetit Publik bëri një pasqyrim të situatës epidemiologjike në vend, duke deklaruar se jemi në intensitet të lartë të përhapjes së infeksionit.
“Vendi sërish po përvijon me intensitet të lartë të përhapjes së infeksionit. Incidenca dy javore është 347 raste për 100,000 banorë, edhe pse ka një tendencë në ulje e rasteve pozitive në javën e fundit. Kemi transmetim komunitar. Qarku me peshën më të madhe të rasteve vijon të jetë Tirana, ndjekur nga Gjirokastra dhe qarku Lezhë. Ky lloj intensiteti po përvijon për vetë faktin e masave të thjeshta në dukje por shumë të rëndësishme. Java e fundit ka treguar që masat e vendosura kanë pasur ndikim në situatën epidemiologjike”, tha dr. Tomini.
I pyetur nga gazetarët në lidhje me pretendimet e opozitës për shkaqet e fataliteteve, prof. Tritan Kalo, mjek i spitalit Infektiv dhe përfaqësues i Komitetit Teknik të Ekspertëve deklaroi:
“Ka të përcaktuar mirë ligjërisht dhe shkencërisht, kur plotësohet një skedë vdekjeje, arsyet pse i sëmuri vdes. Nuk mund të bëhet asnjë ndërhyrje ose të krijohet një artificë si në lidhje me diagnozën e pranimit, diagnozën e evolucionit te rasteve ashtu dhe të përfundimit. Në këtë rast nuk mund të ketë asnjë lloj, në thonjëza ‘falsifikimi ose ndryshimi’. Është krejtësisht e pamundur. Populli duhet ta ketë të qartë. Asnjë ndërhyrje për ndryshimin e diagnozës ose ndryshimin e shkakut të vdekjes. Problematikat që krijohen artificialisht krijojnë një tymnajë dhe krijojmë një ndarje midis besimit të popullit dhe punës së madhe që bëjnë mjekët. Duhet thënë publikisht, mjekët, infermierët, sanitaret, kushdo që merret me të sëmurët me Covid19 bën një sakrificë maksimale. Vënë jetën e tyre në rrezik, për të shpëtuar jetët e të tjerëve”, tha prof. Tritan Kalo.

Komiteti Teknik i Ekpertëve nënvozi se është duke ndjekur në dinamik situatën dhe do të marrë të gjitha vendimet në varesi të situatës epidemiologjike dhe situatës në spitale, ndërsa apeloi qytetarët për zbatimin e masave me qëllim parandalimin e COVID19.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>