Maqedonia e Veriut nuk ka alternativë tjetër përpos BE-së

ZaevMinistri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, thotë se edhe përkundër gjasave teorike nuk pret që BE ta miratojë kornizën negociuese për Maqedoninë e Veriut në mbledhjen e Këshillit Evropian.

“Sot nuk presim vendim, megjithatë mbetet edhe Këshilli Evropian të enjten në takimin e kryeministrave dhe të krerëve shtetërorë, që paraqet një mundësi teorike në të cilën mund të hapet çështja edhe pse gjasat janë shumë të vogla”,ka  deklaruar Osmani.

Maqedonia e Veriut nuk ka alternativë tjetër përpos BE-së andaj ne mbetemi optimist se vendi shumë shpejtë do ta kapërcejë mosmarrëveshjen me Bullgarinë, tha Osmani.

“Nuk ka alternativë tjetër përpos rrugës evropiane dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore. Ne që sot do të vazhdojmë të punojmë me Republikën e Bullgarisë, sepse sot është Bullgaria nesër do të ketë ndonjë vend tjetër që do të kontestojë tjetër çështje. Ne duhet të mësojmë që ky proces kërkon shumë bisedime, shumë diplomaci dhe këmbëngulje. Nuk duhet të dorëzohemi në asnjë moment”, tha ministri Osmani.

Identiteti vijë e kuqe

Bujar Osmani tha se identiteti (e ka fjalën për identitetin maqedonas) është një vijë e kuqe dhe askush nuk ka të drejtë të negociojë për këtë. “Identiteti, gjuha janë vijat e kuqe, si për maqedonasit, ashtu edhe për ne (shqiptarët). Këto janë vijat e kuqe dhe askush nuk ka të drejtë të negociojë për këtë. Ne shqiptarët së bashku me qytetarët maqedonas po ndërtojmë një të ardhme të përbashkët. Ne jetojmë së bashku, kemi një të ardhme të përbashkët, nevoja të përbashkëta. Shqiptarët do të qëndrojnë besnikë deri në fund. Ne tashmë kemi treguar se së bashku mund të bëjmë gjëra të mëdha, tani është koha për solidaritet për një të ardhme më të mirë”, shprehet Osmani.

Ai ka theksuar se ish-kryeministri Vlado Buçkovski është emëruar i dërguari special në Bullgari në mënyrë që të rivendosë besimin midis dy vendeve.

Dimitrov: Procesi integrues të na evropianizojë e jo të na ballkaniziojë

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Nikolla Dimitrov vlerson se edhe përkundër dështimit që të miratohet korniza negociuese për Maqedoninë e Veriut vendi mbetet i përkushtuar në procesin e anëtarësimit në BE.

“Ne negociojmë me BE-në që Maqedonia jonë të evropianizohet, që të importojmë vlerat, gjyqësorin dhe principet. Nëse sot anëtarësohemi, situata në vendin tonë do të jetë e njëjtë, procesi në vete për ne është me rëndësi. Kuptohet që nuk heqim dorë edhe nga procesi i anëtarësimit. Pozicionet tona janë në principe të qarta si kristali, në të drejtën për vetëvendosje. Do të vazhdojmë të bisedojmë me Bullgarinë fqinje, dhe do të vazhdojmë t`i bindim se nuk mundet që e drejta e vetëvendosjes të bëhet pengesë për integrim evropian ose për fqinjësi të mirë”, ka deklaruar Dimitrov.

Dimitrov theksoi se në bisedimet me Bullgarinë për palën maqedonase mbetet e padiskutueshme çështja e gjuhës dhe identiteti.

“Për ne është me rëndësi që gjuha dhe identiteti maqedonas të mbeten të paprekura. Kemi mekanizëm që çështjet historike të zgjidhen nga historianët, dhe me rëndësi është që procesi integrues të na evropianizojë e jo të na ballkaniziojë”, deklaroi Dimitrov.

Zëvendëskryeministri për çështje evropiane Nikolla Dimitrov shpreson se tani jo, por në mars Bashkimi Evropian do të japë dritë jeshile për bisedimet paraqasëse. Sipas tij, vendet anëtare po e mbështesin vendin dhe se sipas një metodologjie të re do të hartohet korniza e bisedimeve dhe se deri atëherë do të jetë një sfidë e re.

Letra e eurodeputetëve

Deputetë nga disa parti politike në Parlamentin Evropian kërkojnë që të mos humbet shansi i sotëm për dritë jeshile për mbajtje të konferencës së parë ndërqeveritare me Maqedoninë deri në fund të këtij viti. Në deklaratën e nënshkruar nga 20 eurodeputet, i bëhet thirrje Bullgarisë të miratoje kornizën negociuese të BE-së për Maqedoninë dhe ti mundësohet progres edhe Shqipërisë.

“Marrë parasysh se bllokimi i negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë e rrezikon kredibilitetin e BE-së në balkanin perëndimor, ata i bëjnë thirrje Bullgarisë dhe Maqedonisë të bëjnë kompromis për çështjet bilaterale në mënyrë që të shmangen vonesat e mëtutjeshme të procesit” , shkruhet në deklaratën e deputetëve.

Kjo letër është nënshkruar nga njoftuesi për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, deputeti bullgar Ilhan Kuçuk, Tanja Fajon, David Makalister, Rajhard Butikofer dhe të tjerë.

Vendimi për të miratuar kornizën negociuese të BE-së për Maqedoninë e Veriut është bllokuar nga Bullgaria e cila kërkon që disa çështje bilaterale që ka me Maqedoninë e Veriut, e që lidhen me identitetin dhe gjuhën, të jenë pjesë e kësaj kornize.

dw

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>