Kryetari i Parlamentit turk Mustafa Sentop tha sot në Tiranë se ai kishte diskutuar me homologun shqiptar Gramoz Ruçi dhe për organizatën Feto, të cilën Ankaraja e akuzon për aktivitet terrorist.
Zoti Sentop deklaroi se kjo organizatë është sipas tij e pranishme në Shqipëri dhe se ajo e kamuflon aktivitetin e saj përmes institucioneve arsimore, atyre në shëndetësi, media apo shoqata e fondacione të ndryshme. “Në të gjitha vendet ku vepron, kjo organizatë – nënvizoi zoti Sentop – përbën një rrezik për sigurinë e atyre vendeve. Por dua të them që ne nuk do ta lejojmë kurrën e kurrës që kjo organizatë terroriste të helmojë marrëdhëniet mes dy vendeve tona”.
Që pas vitit 2016, kur Turqia akuzoi klerikun Fetullah Gylen për organizimin e një grushti të dështuar shteti, autoritetet turke kanë kërkuar haptazi e në mënyrë të përsëritur, që Shqipëria të dorëzojë ata që ajo i konsideron pjestarë të organizatës FETO.
Në Janar, autoritetet shqiptare dëbuan një mësues turk, i cili deklaroi se akuzohej si mbështetës i Gylenit, duke i mohuar të drejtën për të kërkuar azil. Një tjetër shtetas turk është në proces gjyqësor, nëse do të pranohet ose jo kërkesa e tij për azil.
Vizita e sotme e kryeparlamentarit turk, pason atë të një muaji më parë të kryeministrit Edi Rama në Ankara, ku u prit nga presidenti turk Reçep Tayip Erdogan, me të cilin firomosi dhe Deklaratën për krijimin e Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë.
Turqia është ndër partnerët kryesorë ekonomik e tregtar të Shqipërisë. Investimet turke janë shtrirë në sektorë të rëndësishëm si ai financiar me Bankën Kombëtare tregtare, apo në sektorin e Telekomunikacionit me kompaninë Albtelecom.
voa