Franca ka marrëdhënie historike me botën islame. Mbi to bazohen lidhjet dhe tensionet e së shkuarës. Atentati terrorist kundër Charlie Hebdo-së mund t’ trondisë këto marrëdhënie të ndërlikuara.Libri nuk kishte dalë ende në librari, por vëmendjen e kishte tërhequr maksimalisht. Kudo diskutohej “Submission” (“Nënshtrimi”, romani i ri i shkrimtarit francez Michel Houellebecq. S’mbeti artikull për kulturën në gazetë që nuk shprehej për këtë roman. Të hënën e kësaj jave (05.05.2014) diskutimi arriti edhe pallatin Elize. Po, ai do ta lexojë librin, sepse njerëzit flasin për të, u shpreh edhe Presidenti i Francës, François Hollande. Por ka mundësi që ai të mos i bëjë të vetat pikëpamjet e Houellebecq-ut për fenë islame.
Houellebecq projekton në romanin e tij një situatë të çuditshme: një mysliman zgjidhet president i Francës, për të penguar ekstremisten e djathtë Marine Le Pen. Përgjigjen për reagimin e vendit e gjen thuajse në të gjitha pozicionimet për romanin: disa e vlerësojnë Houellebecq-un si paralajmërues dhe shpëtues. Të tjerë e akuzojnë se i hedh benzinë zjarrit për migrimin dhe integrimin.
Houellebecq-u vetë zgjodhi një rrugë të mesme: ai nuk e di se prej kujt ka më shumë frikë, i tha ai gazetës “Le Journal de Dimanche”: nga francezët e çmendur pas identitetit apo nga myslimanët. I sigurtë ai ishte vetëm për një gjë: “Të jesh islamofob nuk është formë e racizmit”.
Të mërkurën libri më në fund doli në librari. Pikërisht në ditën kur ekstremistët myslimanë kryen atentatin kundër redaksisë së revistës satirike Charlie Hebdo. Në atentat u vranë 12 vetë.
E kaluara koloniale e Francës
A është rastësi përkimi kohor? Apo qe llogaritur atentati si përgjigje ndaj të gjithë atyre që guxojnë të shprehen, sipas atentatorëve, në mënyrë jo të përshtatshme për fenë islame? E qartë është që atentati u krye në një kohë kur francezët diskutojnë me pasion për fenë islame dhe praninë e saj në Francë. Në Francë jetojnë midis katër dhe gjashtë milionë myslimanë nga vende të ndryshme islamike. Jo pak francezë etnikë druhen se kjo mund ta ndryshojë përgjithmonë imazhin politik, juridik dhe fetar të francezëve për veten.
Debatet zhvillohen në një sfond historik të largët. Më 1830 francezët pushtuan Algjerinë. Atje ata ngritën një sundim kolonial që zgjati 130 vjet. Vetëm në vitin 1962, pas luftërave të gjata e me shumë viktima në të dyja palët, Algjeria u bë sërish e pavarur. Kujtesa historike për këtë në të dyja palët është e ndryshme, thotë historiani francez, Benjamin Stora. “Në njërën anë ndodhet nacionalizmi francez, i cili nuk do ta pranojë deri sot tërheqjen nga Algjeria. Nacionalizmi algjerian nga ana tjetër e legjitimon veten me fitoren kundër ish-kolonialistëve.”
Në gjysmën e parë të viteve 1990, gjatë luftës civile në Algjeri, xhihadistët ushtruan atentate të rënda në Francë, ndër të tjera në metronë e Parisit. Në këtë atmosferë, që në vitin 1985 ishte krijuar në Francë aleanca SOS Rassisme. Kjo aleancë kërkonte bashkëjetesën paqësore me sloganin “Touche pas à mon pote”(“Mos e prek shokun tim”).
Në vjeshtë 2005 në disa qytete të Francës pati përleshje të dhunshme të migrantëve të rinj. Përleshjet u ndezën pas vrasjes së dy migrantëve të rinj, të cilët të ndjekur nga policia u fshehën në një kabinë elektrike, ku vdiqën nga goditjet e rrymës. Pas kësaj në Paris u ndezën protesta që u shpërndanë në shumë qytete të mëdha të Parisit. Automjete të panumërta, kabina telefonike dhe kazanë plehrash u përfshinë kudo nga flakët.
Terrori dhe diskreditimi
Edhe nga pikëpamja kulturore konflikti vazhdon. Kështu Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut e konfirmoi në korrik 2014 ndalimin e çarçafit, pra të mbulimit të të gjithë trupit, ose mbajtjen e perçes. Ato që e shkelin ligjin i pret një dënim prej 150 eurosh. Të prekura nga ky ndalim janë rreth 2000 gra.
Veç kësaj, debati acarohet nga veprimet e “Shtetit Islamik” në Siri dhe Irak. Në këtë kontekst me sa duket u krye edhe atentati. Atë e kryen terroristë profesionistë. Ata me sa duket zbatuan atë që dëshiron “Shteti Islamik” për Evropën: t’i ndajë krejtësisht nga njëri-tjetri, myslimanët nga jo myslimanët. (dw)