Dita e Verës është një festë me origjinë të lashtë. Festimi kryhet në nderim të natyrës së bukur shqiptare dhe bimësisë që merr jetë në këtë datë. Tashme kjo festë është bërë edhe ditë kombëtare pushimi. Shenja dalluese e këtij festimi është gatimi i ballokumeve. Ndërsa ne disa vende te tjera Ditën e Verës ndizeshin zjarre purifikues e për t’i dhënë forcë diellit në oborr e në kopshte. Nga gratë bëheshin rite magjike e kundër qenieve të tjera dëmtuese, grabitëse. Ndonëse kjo ditë vazhdon të ruhet dhe festohet madhërishëm në qytetin e lashte te Elbasanit, ajo është festë e të gjithë shqiptarëve.
Më 13 mars njerëzit marrin një tufë të vogël bari të njomë bashkë me rrënjët dhe dheun, që ta kenë në mëngjesin e datës 14 mars në shtëpi. Ky zakon i lashtë ruhet dhe festohet jo vetëm në Elbasan por edhe ne vendet e tjera. Dita e Verës ishte dita e fillimit të vitit sipas kalendarit shumë të lashtë të shqiptarëve, pra një ditë që kremtohej shumë shekuj para se të lindte krishterimi. Ajo kremtohej me 1 mars të kalendarit Julian, ditën e parë të vitit të ri (sipas kalendarit Gregorian, “14 mars”). Ajo ishte një festë mbarëshqiptare, që kremtohej si në Veri edhe në Jug, por me nuanca të ndryshme, sipas krahinave. Si dëshmi po sjellin këtu dy përshkrime të kuptimit dhe kremtimit të “Ditës së Verës” njëra për krahinat jugore, tjetra për malësitë veriore. Janë përshkrime të botuara në kohën kur në Shqipëri nuk kishte parti politike, madje në kohën kur as institucionet klerikale nuk futnin hundët në kremtime të ashtuquajtura pagane.
Ç’është Dita e Verës?
Faik Konica, shkrimtari ynë i ndjenjës, arriti të shpjegojë shpirtin e Ditës së Verës. Ai e përkufizonte kështu këtë feste : “Dita e Verës është dita ne te cilën stërgjyshërit tanë, kur skish lindur Krishterimi, kremtonin bashke me romaket dhe grekerit e vjetër perëndite e luleve, te shelgjeve. Kur shkrin dimri, kur qaset vera e buzëqeshur, e holle dhe e gjate si ne pikture te Boticelit, zemra e njeriut shkarkohet nga një barre, shijon një qetësi, një lumturi te ëmbël. Në këtë gëzim stërgjyshërit tanë ndjenin një detyre, tu faleshin perëndive qe sillnin këto miresira. Dhe ashtu leu festa hiroshe qe e quajnë Dita e Verës…” Sipas shkrimtarit, kjo është një feste e vjetër e racës sonë. “Nuk i bëjnë dem njeriu, sjellin gëzim te kulluar ne shtepi. Ne një vend ku jeta e te vegjëlve është aq e trishtuar, djelmuria dhe vajzat kane një rast te rralle për t’u dëfryer. Për me te mëdhenjtë, Dita e Verës ka një shije poetike, te holle e te rralle…”, shkruan Konica.
Shpjegimi sipas llogjikes
Prejardhja e ditës se verës është e lidhur me Iliret te cilit festonin ditën e verës me 15 mars ne shenje adhurimi ndaj diellit ,po te shohim bollokumet kane ngjyrën dhe formen e diellit.
Simbolika e Ditës së Verës
… Por, siç argumenton akademiku i mirënjohur, prof. Kristo Frashëri, kalendari i vjetër i shqiptarëve është edhe më i hershëm se kalendari Julian, i cili u shpall nga Jul Qezari, në vitin 46 para lindjes së Krishtit. Dhe gjithnjë dita e parë e marsit shënonte, sikurse edhe sot, fillimin e stinës së pranverës. Ishte koha kur stinët ishin më të dallueshme nga njëra-tjetra se në kohën e sotme (ngrohja globale nuk kishte filluar ende). Njerëzit mezi prisnin që të dilnin nga dimri, të shkrinte bora, të gjelbërohej natyra, të çelnin lulet, të blegërinin qengjat, të loznin fëmijët fushave e kodrave, të gëzonin të gjithë. Sshkurt, Dita e Verës simbolizonte ringjalljen e natyrës. Tradicionalisht dalja nga dimri shoqërohej me një bilanc, sidomos për gjënë e gjallë. Aq sa edhe në gjuhën e përditshme të shqiptarëve, sidomos të zonave të thella malore të izoluara gjatë dimrit, ishte bërë zakon që njerëzit të pyesnin njëri-tjetrin : “Si dole në verë ?”, ose “Sa nxore në verë ?” (sa bagëti ?) etj. Pra “me dalë në verë” kishte kuptimin me mbijetue, me ia arrit asaj dite (Ditës së Verës). Vera simbolizonte të mirën, mbarësinë, dritën, gëzimin. Kjo, kundrejt dimrit, të egrit, kiametit, gazepit. [4] Ja disa shprehje, si për të ilustruar këtë ide : “Asht si vera”, “Ka një djalë e një çikë si vera”, “Tu bëftë jeta verë/behar”, “Asht rritë jetim, pa verë në jetë të vet”, “Ajo punë iu ba verë” (iu pri mbarë) etj. Tradicionalisht pelegrinazhet në Ditën e Verës bëheshin në majat më të larta të maleve, në majën e Tomorrit, të Çikës, të Gramozit, të Korabit, të Dejës, Krujës, Dajtit, Gjallicës, të majës së Hekurave etj. Kjo, për të qenë sa më afër Perëndisë së Diellit, jetëdhënësit, para të cilit luteshin për begatinë përgjatë vitit të ri. Madje adhurimin e tyre për perëndinë e tyre “Diell”, shqiptarët e përjetësuan me emrin “e diel” (sikurse anglezët), ndryshe nga popujt e tjerë evropianë, të cilët e kanë emërtuar Dita e Zotit.
Dita e Verës shoqërohej me zjarre (zakonisht dëllinjash) mbrëmjeve, në mes të fshatit, të cilët i kapërcenin burrat e djemtë, si për t’i lënë lamtumirën dimrit. Dita e Verës ishte dita e verojkave (ose veroreve). Nëse i referohemi “Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe” (viti 1980, faqe 2135), verojka ishte një gjalmë i përgatitur me fije të kuqe e të bardha që ua lidhnin fëmijëve në duar apo në qafë në Ditën e Verës (verojka, verore, nga verë). Por, siç shkruan Konica, me verore rrethoheshin edhe degët e thanave, dëllinjave, dafinave apo shelgjeve të nderura. Në shumë raste në Ditën e Verës thureshin kurora dhe i varnin në portat e shtëpisë, për të sjellë fat. Kjo është bërë, deri vonë, edhe në Tiranë. Rezulton se Dita e Verës është kremtuar në mbarë viset shqiptare. Megjithatë, kremtimet kanë pasur nuanca të ndryshme për krahina të ndryshme. Etnologu i mirënjohur Bernardin Palaj, njohës i thellë i trashëgimisë kulturore sidomos të malësisë së Veriut, ka shkruar që në fillim të viteve ’20 të shekullit të kaluar, për mënyrën se si festohej atje Dita e Verës. Dita e Verës është festuar shumë kohë para se institucionet klerikale e, më pas, ato shtetërore të fillonin të administronin festat popullore. Si festë pagane, ajo është kremtuar që në lashtësi.
Mëse një shekull më parë, kur Shqipëria ishte ende nën sundimin osman, Konica shkruante, për shembull, se “Dita e Verës është një ditë në të cilën stërgjyshërit tanë, kur s’kish lindur edhe krishterimi, kremtonin bashkë me romakët dhe grekët e vjetër, perënditë e luleve, të shelgjeve…” Në ç’masë Dita e Verës është një festë e mirëfilltë (mbarë)shqiptare? Të paktën në atë masë që ajo (referuar prof. Kristo Frashërit), ka qenë pjesë përbërëse e identitetit tonë etnik. Edhe nëse në disa vise ajo filloi të venitej, përsëri duhet të rigjallërohet dhe të kthehet në një festë mbarëshqiptare, mbasi është më tradicionale se të kremtet fetare. Dita e Verës, ashtu sikurse edhe Viti i Ri, është festë e të gjithë shqiptarëve, pa dallim krahine, ideje, bindjesh, përkatësish, apo besimi fetar. Por në të vërtetë kur themi Dita e Verës mendja na shkon tek Elbasani. Pse ? Sepse gjatë shekujve Dita e Verës erdhi duke u zbehur. Aq sa diku ajo u harrua krejtësisht e nuk kremtohej më. Ndërsa në Elbasan ajo nuk u zbeh kurrë. Nëse Dita e Verës erdhi deri në ditët tona merita i takon kryesisht Elbasanit. Tani ajo është zyrtarisht një festë kombëtare. Por ndryshe është të festosh e ndryshe është të bësh një pushim zyrtar. Madje ndryshe është të festosh, ndryshe të ndjesh me të vërtetë. Elbasani, pra ende shumë ndryshe nga pjesa tjetër e Shqipërisë, është vendi ku Dita e Verës ndjehet dhe përjetohet në kuptimin më të plotë të fjalës.
Për të kuptuar ndryshimin midis kremtimit “alla-elbasançe” të Ditës së Verës, me atë që bëhet gjetkë, nëpër Shqipëri apo ndër shqiptarë, mjafton t’u referohemi ballokumeve. Në Elbasan përgatitjet për ballokumet të bëhen me kohë. Dihet se ku do të merret mielli i misrit për to, ku do të merret gjalpi, ku do të merret sheqeri. Dihet si do të rrihen, si do të shtrihen, si do të piqen. Me ç’gradacion, me ç’ritëm kohor. Të gjithë e dinë, për shembull, se ballokumet bëhen me miell misri. Por pak e dinë se një kg miell ballokumesh del (pas një cikli sitjesh) nga 7–8 kg miell misri. Edhe sheqeri ndryshon (është i imët), edhe gjalpi… Pra recetat për ballakumet nuk funksionojnë kudo. Unë kam vrojtuar, madje prej shumë vitesh, përgatitjen e ballokumeve të Elbasanit. Dhe mund të pohoj me bindje se edhe sikur gjithçka materiale të jetë njësoj (duke përfshirë edhe profesionalizmin e atij që i përgatit), përsëri ballokumet e Elbasanit ndryshojnë. Ato kanë gjithnjë diçka më shumë. Sepse Elbasani fut një “element” plus në recetën e ballokumeve. Kjo është dashuria. Ballokumet e Elbasanit kanë brenda shumë, shumë dashuri. Sikurse vetë Dita e Verës në Elbasan është një ditë e vërtetë dashurie. Dashuri për njeriun, për natyrën, për jetën. Le të përpiqemi që t’i afrohemi Elbasanit në dashurinë që jep ai në Ditën e Verës. Sado vështirë që është.
Duke iu referuar Ditës së Verës, kësaj feste me një shije poetike të hollë e të rrallë, Konica këshillonte dhe uronte, më shumë se një shekull më parë : “Të mos i lëmë të humbasin këto festa të vjetra të racës sonë. Nuk i bëjnë dëm njeriu, veçse sjellin një gëzim të kulluar…” Le të urojmë, sërish me gjuhën e Konicës : “Gëzim të kulluar pastë në shtëpinë e çdo shqiptari !”.
Dita e verës, si festohet nga veriu në jug
Ca pikla uji mbi fytyrë dhe kur hap sytë shikon lulet e para të verës mbi jastëk. Ky është zgjimi i një fëmije në fshatrat e Tropojës në Ditën e Verës. Nënat që si zakonisht zgjohen herët për të kryer punët e shtëpisë mbledhin lule, gjethe dhe fije bari. Këto pastaj i hedhin me kujdes mbi fytyrat e fëmijëve dhe mbi jastëk kur ata ende flenë. Dhe zgjimi bëhet me ca pikla uji mbi fytyrë. Në skajin verior të Shqipërisë, fëmijët gjatë gjithë ditës këpusin dëllinja dhe i bashkojnë ato në një vend në formën e mullarit. Pavarësisht se data ndryshon nga ajo që është zyrtarizuar në kalendar, atje 22 marsi simbolizon ditën e verës, ndoshta kjo vonesë vjen për shkak të klimës paksa më të ftohtë krahasuar me Shqipërinë e Mesme dhe atë të Jugut. Dëllinjave u vihet flaka në mbrëmje dhe fëmijët bërtasin, këndojnë dhe hedhin valle rreth flakëve të larta…
https://sq.wikipedia.org/wiki/Dita_e_Ver%C3%ABs