Ligji që ndalonte emrat shqiptarë!

Udhëheqja shoviniste maqedonase, me ndryshimin e këtij ligji, përveçse ndaj prindërve shqiptarë të cilët fëmijët e tyre do t’i emërtonin me emra shqip, si p.sh: Flamur, Flamure, Alban, Albana, Shqiptar, Shqiptare, Kastriot, Kosovar, Berat, Shkodran, Shkodrane, Elbasan, Korab, Lume, Lumjan, Dibran, Dibrane, Dukagjin, Milot…, masa represive parashikonte të ndërmerrej edhe ndaj të gjithë atyre mësuesve, arsimtarëve dhe profesorëve shqiptarë, të cilët kishin bërë korrigjimin e emrit apo të mbiemrit të nxënësve të tyre, si p.sh. Zenel në Zendel, Isen në Hysen, Isni në Hysni etj., apo Zendellovski apo Zenel në Zendeli, Isenovski apo Isen në Hyseni, Isniov apo Isni në Hysniu

Viteve tetëdhjeta të shekullit të kaluar çështja shqiptare nën pushtimin e Federatës komuniste jugosllave në përgjithësi, e ajo e Kosovës në veçanti mori karakter ndërkombëtar. Ishin shumë faktorë që ndikuan në këtë, tre prej tyre si më të rëndësishme po i veçojmë: e para, demonstratat shqiptare të zhvilluara në Kosovë gjatë muajve mars-prill 1981; e dyta, vendosja e masave represive e të dhunshme ushtarako-policore në Kosovë menjëherë më pas, dhe: e treta, mërgata shqiptare që vepronte në shtetet e Evropës Perëndimore dhe në SHBA.

Duhet të vihet në dukje fakti se, lufta e ashpër që filloi në Kosovë menjëherë pas demonstratave, u përhap edhe në viset shqiptare jashtë territorit administrativ të KSA të Kosovës, në radhë të parë në RS të Maqedoni, Luginë të Preshevës dhe në RS të Mal të Zi. Në emër, siç thuhej të: “vëllazërim bashkimit”, “bashkëjetesës në Kosovë” si dhe të “përmbysjes së nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar”, organet e sigurimit qofshin ato federative, republikane apo krahinore, ndërmorën një sërë masash preventive dhe represive kundër shqiptarëve në përgjithësi, posaçërisht kundër shtresës intelektuale.

Në RS të Maqedonisë, masat e para antishqiptare filluan menjëherë pas sjelljes së ashtuquajturës “Platformë politike për Kosovën”, nga ana e KQ të LKJ-ës, në tetor të vitit 1981. Të njëjtat do të zgjerohen në mbledhjen e 13-të të KQ të LKM-ës, (29 prill 1983) dhe atë të 12-të (23 shtator 1987), në të cilat u miratuan programe operative, për luftën e hapur dhe të pa kompromis kundër “arsimit, shkencës dhe kulturës shqiptare”, nën pretekst se në to “nacionalizmi dhe separatizmi shqiptar kanë ndikim më të fuqishëm dhe i cili shprehet në forma dhe manifestime të ndryshme me implikime ideo-politike tejet negative, posaçërisht te gjenerata e re…”.

Shovinizmi shtetëror maqedonas kishte arritur deri në atë shkallë, saqë atij i pengonte çdo gjë shqiptare, përfshi edhe emërtimin e fëmijëve me emra burimor shqiptar. Përveç kësaj, për udhëheqjen komuniste maqedonase “nacionalizëm dhe separatizëm” ishte edhe në rast se nga ana e prindërve shqiptarë, gjatë regjistrimit të fëmijëve të tyre në klasë të parë të shkollimit fillor, kërkohej përmirësimi i emrave, veçanërisht të mbiemrave, ku nga ana e ofiqarëve maqedonas, në mënyrë tendencioze e arbitrare, në certifikatat e lindjes ua shtonin prapashtesën “ov” apo “ovski”. Një dukuri e tillë bëhej me qëllim të caktuar, për t’u krijuar përshtypja e rrejshme nga opinioni publik i brendshëm dhe ai ndërkombëtar, se ato nuk janë shqiptarë, por “maqedonas të islamizuar”. Rastet e tilla haseshin zakonisht në vendbanimet rurale, përkatësisht në rrethet ku shqiptarët nuk përbënin shumicën e popullsisë, apo ofiqarët ishin maqedonas, apo vetëdija nacionale ishte në shkallë të ulët, si p.sh. në fshatrat kodrinore-malore në Karshiakë dhe Karadak të Shkupit, fshatrat shqiptare në komunën e Velesit, Prilepit, Kërçovës, Manastirit, Krushevës, Demir Hisarit, Brodit etj. Duhet theksuar se një numër jo edhe aq i vogël i popullsisë shqiptare nga këto krahina, për shumë arsye objektive e subjektive, edhe sot mbajnë mbiemra me prapashtesën “ovski” apo “ov”. Shembull konkret e kemi fudbollistin e mirënjohur shqiptar, Ezgjan Alioskin, i cili është i lindur dhe rritur në fshatin Cërnilishtë të komunës së Dollnenit, një vendbanim i pastër shqiptar.

Problemi i mbiemrave erdhi në shprehje gjatë vitit 1983, kur Shkupi zyrtar e filloi një fushatë të gjerë kundër të gjithë atyre arsimtarëve shqiptarë, të cilët mbiemrat e nxënësve të tyre i kishin regjistruar pa prapashtesën “ovski” apo “ov”. Këshilli Ekzekutiv i RSM-ës, përmes informatës tepër sekrete, gjatë muajit maj 1983 njoftonte Kryesinë e KQ të LKM-ës, se “thelbi i dukurisë dhe manifestimit armiqësor nga pozita e nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar” fillon nga viti 1970 e këndej. “Viteve të fundit, theksohej më tej në informatë, janë evidente dukuri masive të përmirësimit të mbiemrave të pjesëtarëve të kombësisë shqiptare …me ndryshimin e prapashtesës ‘ski’ dhe ‘ov’, me ‘u’, ‘a’ apo ‘i’. Me këtë në mënyrë shumë të përsosur manifestohet tendenca që ndaj një numri të caktuar të qytetarëve të kryhet ndryshimi i përkatësisë nacionale nga një numër i caktuar i qytetarëve”. Sipas informatës, bartës të “ këtyre dukurive”, paraqiteshin kryesisht punëtorë të arsimit, në mesin e të cilëve, siç thuhej “edhe një numër të personave të eksponuar mbi bazën e nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar”. Më tej, në informatë thuhej se “ndaj këtyre dukurive” paskan reaguar disa nga prindërit e këtyre nxënësve, mirëpo, punëtorët e arsimit u janë përgjigjur se “kjo është forma më e drejtë dhe se është në përputhje me gramatikën shqipe”, si dhe ajo se ka qenë dëshira e nxënësve. Nga të dhënat që i posedonte Këshilli, numri i përgjithshëm i mbiemrave të përmirësuar në mbarë territorin e RS të Maqedonisë ishte 2.234. Këtë përmirësim e kishin kryer gjithsej 224 persona, prej tyre 215 punëtorë të arsimit. Ky numër sipas rretheve ishte si më poshtë vijon: “Rrethi i Shkupit, 56 arsimtarë kishin bërë përmirësimin e mbiemrave ndaj 578 fëmijëve dhe nxënësve; rrethi i Tito Velesit, 36 arsimtarë kishin bërë përmirësimin e mbiemrave ndaj 366 fëmijëve dhe nxënësve; rrethi i Prilepit, 22 arsimtarë kishin bërë përmirësimin e mbiemrave ndaj 472 fëmijëve dhe nxënësve; rrethi i Resnjës, 14 arsimtarë kishin bërë përmirësimin e mbiemrave ndaj 257 fëmijëve dhe nxënësve; rrethi i Dibrës, 23 arsimtarë kishin bërë përmirësimin e mbiemrave ndaj 255 fëmijëve dhe nxënësve; rrethi i Strugës: 26 arsimtarë kishin bërë përmirësimin e mbiemrave ndaj 218 fëmijëve dhe nxënësve; rrethi i Manastirit: 6 arsimtarë kishin bërë përmirësimin e mbiemrave ndaj 87 fëmijëve dhe nxënësve etj”.

Gjithnjë duke iu referuar informatës së mësipërme, shohim se në komunën e Kërçovës, ndaj shtatë mësuesve shqiptarë ishte ngritur kallëzim penal. “Këta persona, thuhej në informatë, në harkun kohor 1978-1981 e kanë keqpërdorur pozitën dhe autorizimin zyrtar të mësuesit klasor dhe në ditarët dhe librat kryesore në shkollat ku kanë punuar i kanë përmirësuar mbiemrat e nxënësve, kështu që prapashtesat ‘ski’ dhe ‘ov’ i kanë zëvendësuar me ‘i’ dhe ‘u’…”. Në procesin gjyqësor që u zhvillua në Gjykatën Themelore të Kërçovës, 6 prej tyre u dënuan me burg të rëndë në kohëzgjatje prej një vjet e gjashtë muaj, ndërsa i shtati u dënua me 5 muaj burg. Po për të njëjtën arsye, në Shkup gjashtë arsimtarë shqiptarë (pesë në SHF “Nikolla Vapcarov” dhe një në SHF “Penko Zdravkovski”), përveç se ishin përjashtuar nga puna, njëkohësisht ishin dënuar me burg të kushtëzuar, në kohëzgjatje prej 1 viti. Masa represive kundër arsimtarëve shqiptarë pati edhe në Strugë, Prilep, Manastir e Dibër. Është me interes të shpaloset pjesa e fundit e informatës, kur vetë hartuesit e saj, ishin në dilemë, se vallë ato masa represive që ndërmerreshin kundër arsimtarëve shqiptarë, a ishin në përputhje me dispozitat ligjore e kushtetuese?! Dilemës së parashtruar ata i përgjigjen si vijon: “…Duke e pasur parasysh se dukuria i përmban të gjitha elementet e veprës penale, e gjithashtu, se sjelljet e tilla mund të konsiderohen dhe vlerësohen si manifestim nacionalist, apo, vepër që i përshtatet nacionalizmit, është e nevojshme të kryhen konsultime politike të zgjeruara dhe të vlerësohet përshtatshëria e ndjekjes penale. Ndaj kësaj duhet të kihet parasysh, edhe pse nuk ka elemente të mjaftueshme për një vlerësim më të fortë se jo të gjithë bartësit kanë vepruar për motive nacionaliste e irredentiste, por është e vërtetë se dukuria iu përshtatet aspiratave nacionaliste e irredentiste shqiptare, për çka persona të caktuar kanë vepruar në mënyrë motivuese për ekzistencën dhe përhapjen e tij, krejt kjo me qëllim të rritjes numerike të kombësisë shqiptare…”.

Pikërisht kjo, si dhe shumë masa tjera antiligjore e antikushtetuese, që asaj kohe ndërmerreshin kundër shqiptarëve, e shtynë udhëheqjen politike maqedonase, të kërkoj nga organet ekzekutive dhe ato legjislative që të bëjnë ndryshimin dhe plotësimin e një numri të madh të akteve ligjore e nënligjore. Ndër ligjet e para që pësoi ndryshime, qe Ligji për emrin personal, i miratuar në vitin 1972. Këtë nismë e mori përsipër Këshilli Ekzekutiv i RS të Maqedonisë, i cili më 12 nëntor të vitit 1985, Kuvendit të RSM-ës i dorëzoi Propozimin për ndryshimin dhe plotësimin e këtij ligji. Rrjedhimisht, kryetari i Kuvendit të RSM-ës, Stanko Mlladenovski, me shkresën nr. 43-3166/1 të datës 16 dhjetor 1985, njoftoi kryetarin e Dhomës Shoqërore-Politike, për Propozim-Ligjin e dorëzuar nga ana e Këshillit Ekzekutiv, i cili duhej të miratohej nga dhoma përkatëse dhe Dhoma e Komunave. Në Propozim Ligjin që e ofronte Këshilli Ekzekutiv, parashikoheshin ndryshime dhe plotësime në gjithsej 4 nene të Ligjit ekzistues, përkatësisht në nenin 1, 3, 8 dhe 10. Kështu në nenin 1 pas paragrafit 1 ku thuhej “Emri personal është e drejtë personale e qytetarit”, t’i shtohej paragrafi i ri me përmbajtje si vijon: “Me emrin personal nuk lejohet të nxitet urrejtje apo jotolerancë nacionale, apo fetare apo me të cilin ofendohet morali i opinionit publik”. Në neni 3 të Ligjit ekzistues, pas paragrafit 2 t’i shtohej paragrafi i ri me përmbajtje si vijon: “Në librin amzë të të lindurve nuk mund të regjistrohet emri personal me të cilin nxitet urrejtje apo jotolerancë nacionale, fetare ose me të cilin ofendohet morali i opinionit publik”.

Në nenin 8, të Ligjit ekzistues, pas paragrafit 1 ku thuhej: “Nuk do t’i lejohet ndryshimi i emrit personal përkatësisht vetëm të emrit apo vetëm të mbiemrit të personit, kundër të cilit udhëhiqet procedurë penale për vepër penale që ndiqet sipas detyrës zyrtare ose personit që është gjykuar për vepër të tillë penale derisa nuk kryhet dënimi ose derisa vijojnë pasojat juridike të dënimit, sikurse as personit për të cilin do të verifikohet se kërkesën e ka dorëzuar për t’iu shmangur obligimeve të përcaktuara me ligj”, të vendoset paragrafi i ri me përmbajtje si vijon: “Ndryshimi i emrit personal, përkatësisht i emrit e mbiemrit nuk mund të miratohet në rast se me ndryshimin nxitet urrejtje apo jotolerancë nacionale, fetare apo ofendohet morali i opinionit publik”. Së fundi, në nenin 10 të Ligjit ekzistues, numri “500” të zëvendësohej me numrin “30.000”, ndërsa numri “15” zëvendësohet me numrin “30”, me çka teksti i dispozitës së paragrafit 1 të këtij neni do të kishte këtë përmbajtje: “Me dënim në para deri më 30.000 dinarë apo me dënim me burg deri 30 ditë do të dënohet për kundërvajtje personi i cili do të përdorë emër të huaj personal përkatësisht vetëm emrin apo vetëm mbiemrin si të vetin”. Përveç kësaj, Këshilli Ekzekutiv propozonte që këtij neni (neni 10) t’i shtohej edhe një paragraf i ri me këtë përmbajtje: “Me dënimin nga paragrafi 1 të këtij neni do të dënohet për kundërvajtje edhe personi i cili në mënyrë të paautorizuar kryen ndryshimin e emrit personal të qytetarit, përkatësisht vetëm të emrit ose vetëm të mbiemrit”.

Më pas Këshilli Ekzekutiv i RS të Maqedonisë, ndalet në “arsyeshmërinë” dhe “domosdoshmërinë” e miratimit të këtij ligji, të cilën në vazhdim po e shpalosim të plotë: “Sipas Kushtetutës së RSM-ës, çështjet që u përkasin emrave personal të qytetarëve, si çështje të interesit të përbashkët të njerëzve punëtorë dhe të qytetarëve përcaktohen me ligj. Ligji për emrin personal është sjellur në muajin shtator të vitit 1972 (‘Gazeta Zyrtare e RSM-ës’ nr. 30/72) dhe nga ajo kohë e deri më sot zbatohet në mënyrë të vazhdueshme. Emri personal, si e drejtë personale e qytetarëve, që fëmijëve ua përcaktojnë vetë prindërit, deri më tash nuk ka qenë i orientuar apo kufizuar me asnjë dispozitë të Ligjit. Prindërit, kanë mundur që sipas përzgjedhjes dhe gjykimit të tyre t’ua përcaktojnë emrat personal me të cilët në mjediset ku jetojnë ose më gjerë – mund të shkaktojnë revoltë dhe të nxisin urrejtje dhe jotolerancë fetare dhe nacionale. Sjellje të ngjashme vërehet edhe te një pjesë e qytetarëve të cilët kërkojnë ndryshimin e emrit personal. Në rastet e këtilla paraqiten edhe asi kërkesash për ndryshimin e emrit personal me të cilët ndizet urrejtja dhe jotoleranca nacionale e fetare ose me të cilin ofendohet morali i opinionit publik.

Ekziston edhe dukuria e ndryshimit vetëm të emrit ose vetëm të mbiemrit të fëmijëve, nxënësve dhe të rinjve të caktuar që e kryejnë persona të paautorizuar dhe jashtë procedurës së paraparë me Ligjin për emrin personal. Këto ndryshime kanë pasoja të gjera si ndaj personit poashtu edhe ndaj evidencës zyrtare që udhëhiqet në Republikën tonë, për arsye se me ndryshimet e kryera vështirësohet verifikimi i identitetit të vërtetë të personit dhe krijohen çrregullime në komunikimin juridik. Dënimet e përcaktuara për mosrespektimin e dispozitave nga Ligji ekzistues sanksionohen me një shumë simbolike dhe minimale në krahasim me dënimet që mund të përshkruhen për atë formë të kundërvajtjes sipas Ligjit për kundërvatje (‘Gazeta Zyrtare e RSM-ës’ numër 43/84) për çka shtrohet nevoja për rritjen e saj, përkatësisht përputhshmërinë me Ligjin e përmendur… Bazë kushtetuese për miratimin e ligjit të propozuar ekziston në nenin 301 paragrafi 1 pika 23 nga Kushtetuta e Republikës Socialiste të Maqedonisë, sipas së cilit Kuvendi i Republikës Socialiste të Maqedonisë, për rregullimin e çështjeve të interesit të përbashkët për njerëzit punëtorë dhe qytetarëve, për organizatat e punës së bashkuar, organizatat dhe bashkësitë tjera vetëqeverisëse, miraton ligj që i përket emrit personal.

Në Republikën e Maqedonisë prindërit kanë liri të plotë në përcaktimin e emrit dhe mbiemrit të fëmijës. Nuk ekziston ndonjë rregullore e përcaktuar, nuk ekzistojnë lista për përzgjedhjen e emrave e as ndonjë orientim tjetër. Në Republikën tonë, sot ekziston një laramani e madhe të emrave dhe mbiemrave të ndryshëm. Mirëpo, ka një numër të caktuar të qytetarëve të cilët fëmijëve të tyre u japin emra që janë në kundërshtim me moralin publik, ndërsa disa nga ato emra nxisin urrejtje dhe jotelerancë nacionale dhe fetare. Ndërkohë, për ndryshimin e emrit personal paraqiten kryesisht si pasoj e mospërputhjes së evidencës tjetër publike me librin amzë të lindjes, si një evidencë bazë dhe zyrtare për personat e lindur në territorin e RS të Maqedonisë. Mirëpo, ka edhe asi kërkesash për ndryshimin e emrit personal me pranimin e të cilit krijohet mundësia që për qytetarin përkatës të humbin shenjat e prejardhjes dhe të kombësisë që i përket ose e fsheh identitetin e tij që jep mundësi për prezantim të rrejshëm në mjedisin ku jeton si dhe për keqpërdorime tjera. Me disa nga ato ndryshime ka mundësi të nxitet urrejtje dhe jotolerancë nacionale dhe fetare. Kjo dukuri nuk është e parëndësishme as për komunikimin juridik e as për sugurinë e vendit duke e pasur parasysh se emri personal, emri apo vetëm mbiemri e paraqet origjinën e personit, përkatësinë e tij në bashkësinë e caktuar etnike ose hedh dritë mbi prejardhjen e tij familjare. Me pranimin e kërkesave të tilla (pasi me Ligjin e tanishëm nuk ekziston asnjë bazë për refuzim) këta persona marrin emra personal të ri, shfaqen si subjekte juridike të reja, marrin letërnjoftime dhe pasaporta të reja etj., me çka e humbin tërësisht lidhjen me identitetin e tyre të mëhershëm. Në kohë të fundit është vërejtur edhe dukuria që nga ana e personit të paautorizuar të kryhet ndryshimi i emrit personal ose vetëm i emrit apo vetëm i mbiemrit të adoleshentëve (edukatorëve, arsimtarëve, profesorëve). Ky ndryshim ka ndikim edhe në komunikimin juridik për arsye se personi merr dëftesë për klasën e kryer, përkatësisht diplomë për shkallën e arritjes së aftësisë profesionale, ndërsa në atë mënyrë edhe të emrit personal të ndryshuar, përkatësisht vetëm të emrit apo vetëm të mbiemrit”.

Në pjesën e dytë të arsyetimit, Këshilli Ekzekutiv i RSM-ës nuk i fshehte dëshirat dhe qëllimet shoviniste, raciste e antishqiptare, të cilat do të arriheshin me miratimin e këtij ligji, përkatësisht Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e emrit personal.

“…Për shkak arsyeve të mësipërme, shprehej Këshilli Ekzekutiv, propozohet që të ndryshohet dhe plotësohet Ligji për emrin personal me atë që organit të administratës kompetente për punë të brendshme do t’i mundësohet e drejta e refuzimit të kërkesës për përcaktimin apo ndryshimin e emrit personal pasi do ta verifikoj se nuk ekzistojnë shkaqe të arsyeshme për atë, përkatësisht nëse me përcaktimin ose me ndryshimin e emrit personal nxitet urrejtje apo jotolerancë etnike dhe fetare apo ofendohet morali publik. Meqenëse emri personal është e drejtë e qytetarit që lidhet ngushtë me personalitetin i cili nuk mund të tjetërsohet e as që mund të privohet qytetari nga ajo e drejtë, për shkak rëndësisë së tij nuk duhet të lejohet të keqpërdoret i njëjti ose ta nxisë mjedisin ku jeton personi që është në kundërshtim me rregullimin publik dhe me interesat tjera më të gjëra të bashkësisë shoqërore. Propozohet të rritet shuma e dënimit në para të paraparë me Ligjin e deritanishëm për emrin personal nga ‘500’ në ‘30.000’ dinarë, ndërsa burgu nga 15 në 30 ditë për çfarëdolloj keqpërdorimi të emrit personal, veçanërisht për shkak asaj se dënimi i deritanishëm i përcaktuar në vitin 1972 nuk përshtatet me kushtet e tanishme. Gjithashtu propozohet plotësimi i Ligjit edhe me dënim të atyre personave të cilët në mënyrë arbitrare do të kryejnë ndryshimin e emrit personal, apo vetëm të emrit apo vetëm të mbiemrit në kundërshtim me procedurën e paraparë me Ligjin për emrin personal. Konsiderojmë se me këto do të arrihen qëllimet sa i përket dënimeve për kundërvajtje dhe do të kontribuohet në zhvillimin e ndjenjës tek qytetarët që ta respektojnë emrin personal të tyre, si dhe ta zhvillojnë kulturën, ndjenjën dhe dinjitetin e tyre, si gjatë përcaktimit po ashtu edhe gjatë përdorimit të përditshëm me emrin personal, përkatësisht do të pengohet keqpërdorimi i tij”.

Për sa më sipër shihet qartë se udhëheqja shoviniste maqedonase, me ndryshimin e këtij ligji, përveçse ndaj prindërve shqiptarë të cilët fëmijët e tyre do t’i emërtonin me emra shqip, si p.sh.: Flamur, Flamure, Alban, Albana, Shqiptar, Shqiptare, Kastriot, Kosovar, Berat, Shkodran, Shkodrane, Elbasan, Korab, Lume, Lumjan, Dibran, Dibrane, Dukagjin, Milot…, masa represive parashikonte të ndërmerrej edhe ndaj të gjithë atyre mësuesve, arsimtarëve dhe profesorëve shqiptarë, të cilët siç u theksua më lartë, kishin bërë korrigjimin e emrit apo të mbiemrit të nxënësve të tyre, si p.sh. Zendel në Zenel, Isen në Hysen, Isni në Hysni etj., apo Zendellovski apo Zenel në Zendeli, Isenovski apo Isen në Hyseni, Isniov apo Isni në Hysniu etj. Kjo përfshihet në paragrafin e parafundit të citatit të mësipërm ku thuhej: “…Gjithashtu propozohet plotësimi i Ligjit edhe me dënim të atyre personave të cilët në mënyrë arbitrare do të kryejnë ndryshimin e emrit personal, apo vetëm të emrit apo vetëm të mbiemrit në kundërshtim me procedurën e paraparë me Ligjin për emrin personal…”. Një dukuri e tillë, siç u theksua më lartë, bëhej me qëllim të caktuar nga ana e ofiqarëve, që përveç deformimit të emrit dhe mbiemrit, pati edhe qëllimin e asimilimit të popullsisë shqiptare në këto troje.

KUR EMRI FLAMURI NDALOHEJ DERI NË 1995! Ligji që ndalonte emrat shqiptarë (2)

Si shembull për “manifestimin e nacionalizmit e separatizmit shqiptar”, merret edhe emërtimi i fëmijëve të porsalindur shqiptarë, që gjoja asocuakan “në qytete, male dhe lumenj nga Shqipëria”, por edhe të simboleve dhe heronjve kombëtar shqiptarë si: Tirana, Elbasan, Berat, Valon, Shkodran, Mat, Labinot, Flamur, Shqipe, Shqipkuqe, Martanesh, Kastriot, Kushtrim, Liridon, Arbnesh, Arbnesha, Alban, Albana, etj, që sipas analizës, ato emra “nxisin nacionalizëm e separatizëm”.

Teksti i Propozim Ligjit, paraprakisht u shqyrtua nga trupat kuvendore, të cilat pa asnjë rezervë i dhanë vizë jeshile. Kështu Komisioni për marrëdhënie ndërnacionale, pas mbledhjes së mbajtur më 11 dhjetor 1985, i raportoi Dhomës së Komunave dhe Dhomës Shoqërore-Politike për sa më poshtë vijon:

“Komisioni për marrëdhënie ndërnacionale i dha mbështetje Propozimit për sjelljen e Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për emrin personal me Propozim-Ligj… Gjatë debatit Komisioni vlerësoi se ndryshimet dhe plotësimet që propozohen do të kontribuojnë në pamundësimin e keqpërdorimit të emrit personal që sjell deri te shkaktimi i urrejtjes dhe revoltës nacionale në mjedisin ku jetojnë qytetarët. Gjithashtu, ndryshimet do të kontribuojnë që të pamundësohet edhe emërtimi i paautorizuar të emrave personale dhe do të kontribuoj në vendosjen e rendit më të mirë të komunikimit juridik. Në debat, thuhet më tej në raport, u bë fjalë për mënyrën dhe procedurën e përcaktimit të emrave të cilat shkaktojnë urrejtje nacionale, racore dhe fetare. I besuari i Këshillit Ekzekutiv sqaroi se dispozita më të përafërta të procedurës gjatë përcaktimit dhe ndryshimit të emrit personal sjell sekretari republikan për punë të brendshme, për çka është i autorizuar me Ligjin ekzistues për emrin personal”.

Në fund të raportit, thuhej se Komisioni për raportues të vetën në Dhomën e komunave e kishte emëruar Hajredin Mehmetin, ndërsa për Dhomën Shoqërore-Politike, Spiro Spirovskin. Ndërkohë, Komision Juridiko-ligjvënës, në mbledhjen e mbajtur më 11 dhjetor 1985, vlerësonte se “ekziston bazë” për miratimin e një ligji të tillë, dhe se dispozitat mbi të cilat mbështetej Propozimi “janë në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe sistemin juridik”. Lidhur me tekstin e Propozim – Ligjit, Komisioni i propozonte Kuvendit, përkatësisht Dhomës së Komunës dhe Dhomës Shoqërore-Politike, dy amendamente. Amendamenti i parë i përkiste nenit 2, në rreshtin e dytë të Propozim-Ligjit, fjalët “nuk do të” të zëvendësoheshin me fjalët “nuk mundet”, dhe amendamenti i dytë, kërkonte që neni 3 të riformulohet si vijon: “Ndryshimi i emrit personal përkatësisht i emrit apo i mbiemrit nuk mund të miratohet nëse me ndryshimin nxitet urrejtje apo jotolerancë nacionale apo fetare ose ofendohet morali i opinionit publik”.

Vërejtje të vetme, nëse mund të thuhet kështu, ndaj Propozim-Ligjit pati vetëm nga ana e Këshillit për politikë të brendshme pranë Dhomës Shoqërore-Politike, i cili në mbledhjen e mbajtur më 10 dhjetor pasi konstatoi se “ka nevojë për sjelljen e ligjit”, njëkohësisht pati vërejtje se i njëjti nuk mund të sillej me procedurë të shkurtë, dhe se për zgjidhjet e propozuara “do të duhej të kryheshin konsultime më të gjëra”. Mirëpo, Këshilli në të cilin merrte pjesë edhe një shqiptar, Vehbi Haziri, si duket nga presioni politik, më 17 dhjetor 1985 mbajti sërish mbledhje, ku ndryshe nga mbledhja e parë, tashti e mbështeti pa asnjë rezervë miratimin e ligjit në fjalë: “Në ndërkohë, thuhet në raportin e Këshillit, mbledhje mbajtën trupat punuese të Kuvendit dhe të dhomave, të cilat e mbështetën miratimin e këtij ligji si dhe tekstin e Propozim-Ligjit. Bazuar në nenin 298 të Rregullores së Kuvendit të RSM-ës, Këshilli në mbledhjen, të mbajtur më 17 dhjetor të vitit 1985 e shqyrtoi sërish Propozimin për sjelljen e Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për emrin personal, me Propozim-Ligj së bashku me raportet e Komisionit për marrëdhënie ndërnacionale, Komisionit Juridiko-Ligjvënës të Kuvendit të RSM-ës dhe Këshillit për marrëdhënie shoqërore-politike të Dhomës së Komunave dhe e pranoi tekstin e Propozimit të Ligjit pa asnjë vërejtje. Këshilli, përfundonte raporti, i propozon Dhomës që ta shqyrtoj dhe miratol Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për emrin personal”.

Pasi mori dritë jeshile nga të gjitha trupat kuvendore, më 17 dhjetor të vitit 1985, Kuvendi i RS të Maqedonisë, në seancat e veçanta të Dhomës së Komunave dhe Dhomës Shoqërore-Politike, miratoi Ligjin për ndryshim dhe plotësimin e Ligjit për emrin personal të vitit 1972. I njëjti u publikua në “Gazetën Zyrtare të RSM-ës”, nr. 41/85, më datë 26 dhjetor 1985, përmbajtja e të cilit ishte për sa më poshtë vijon:

“LIGJI PËR NDRYSHIMIN DHE PLOTËSIMIN E LIGJIT PËR EMRIN PERSONAL

Neni 1

Në Ligjin për emrin personal (“Gazeta Zyrtare e RSM-ës” numër 30/72) në nenin 1 pas pararafit 1 shtohet paragraf i ri me këtë përmbajtje: “Në librin amzë të lindjes nuk mund të regjistrohet emri personal me të cilin nxitet urrejtje apo jotolerancë nacionale, fetare ose me të cilin ofendohet morali i opinionit publik”

Neni 2

Në nenin 3 pas paragrafit 2 shtohet paragraf i ri me këtë përmbajtje: “Ndryshimin e emrit personal,përkatësisht të emrit ose mbiemrit nuk mund të miratohet nëse me ndryshimin nxitet urrejtje apo jotolerancë nacionale, fetare ose ofendohet morali i opinionit publik”.

Neni 3

Në nenin 8 pas paragrafit 1 shtohet paragraf i ri me këtë përmbajtje: “Ndryshimi i emrit personal, përkatësisht i emrit ose i mbiemrit nuk mund të miratohet nëse me ndryshimin nxitet urrejtje apo jotolerancë nacionale, fetare ose ofendohet morali publik”.

Neni 4

Në nenin 10 numri “500” zëvendësohet me numrin “30.000”, ndërsa numri “15” zëvendësohet me numrin “30”.

Pas paragrafit 1 shtohet paragrafi i ri me këtë përmbajtje: “Me dënimin nga paragrafi 1 të këtij neni do të dënohet për kundërvajtje edhe personi i cili në mënyrë të paautorizuar kryen ndryshimin e emrit personal të qytetarëve, përkatësisht vetëm të emrit ose vetëm të mbiemrit”.

Neni 5

Ky ligj hynë në fuqi në ditën e tetë nga dita e publikimit në “Gazetën Zyrtare të Republikës Socialiste të Maqedonisë”.

Me miratimin e këtij ligji, siç u vu në dukje më lartë, prindërve shqiptarë u ndalohej t’i emërtojnë fëmijët e tyre me emra që kishin karakter dhe domethënie nacionale shqiptare. Përveç kësaj, u ndërmorën masa ndëshkuese ndaj të gjithë prindërve që fëmijët e tyre mbanin emra burimor shqiptar. Komiteti komunal i Lidhjes komuniste të Tetovës, në mbledhjen e mbajtur më 31 janar 1987, miratoi Konkuzionet për “zbatimin e procesit ideopolitik dhe zhvillimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve ndërnacionale në komunë”, ku në pikën 12 të tyre thuhej shprehimisht: “Ngarkohen organet kompetente t’i evidentojnë emrat e fëmijëve të porsalindur, që përmes simbolikës së emrit – në mënyrë të dukshme shprehen ndjenjat nacionaliste dhe aspiratat për motive e pozita armiqësore”.

I njëjti komitet partiak, në qershor të atij viti hartoi dokumentin me titull “Analizë për lëvizjet dhe situatat në marrëdhëniet ndërnacionale, arsyet dhe shkaqet nga veprimtaria e armikut nga pozita e nacionalizmit e separatizmit shqiptar dhe detyrat e Lidhjes së komunistëve në komunën e Tetovës”, ku ndër të tjerave, si shembull për “manifestimin e nacionalizmit e separatizmit shqiptar”, merret edhe emërtimi i fëmijëve të porsalindur shqiptarë, që gjoja asocuakan “në qytete, male dhe lumenj nga Shqipëria”, por edhe të simboleve dhe heronjve kombëtar shqiptarë si: Tirana, Elbasan, Berat, Valon, Shkodran, Mat, Labinot, Flamur, Shqipe, Shqipkuqe, Shqipdashnor, Martanesh, Kastriot, Kushtrim, Liridon, Arbnesh, Arbnesha, Alban, Albana, etj, që sipas analizës, ato emra “nxisin nacionalizëm e separatizëm”. Lidhur me këtë, udhëheqja komuniste e Tetovës kërkoi nga organet e punëve të brendshme që të bëjnë “identifikimin e prindërve” si dhe të bëjnë vlerësimin e “përgjegjësisë së tyre ideopolitike”. Në mesin e prindërve që kreu komunist tetovar i akuzonte se ishin përcaktuar që fëmijët e tyre t’i pagëzojnë me emra shqiptarë, krahas veprimtarëve të shquar shqiptarë, si punëtor të arsimit, ish të burgosurit politik, gazetarë dhe intelektual të fushave tjera, përmendeshin edhe një numër i konsiderueshëm të personave me përgjegjësi shoqërore-politike.

Kryetari i po këtij komiteti, Vaso Spasovski, në referatin me titull “Rreth Analizës për lëvizjet dhe situatat dhe marrëdhëniet ndërnacionale në komunën e Tetovës”, lexuar në mbledhjen e zgjeruar të Kryesisë së KK LKM-ës – Tetovë, e cila u mbajt më 13 korrik 1987 në Tetovë, ndër të tjerave shprehet:  “…Në territorin tonë është shpeshtuar dukuria që fëmijëve të porsalindur nga kombësia shqiptare t’u jepen emra që asocojnë në simbole të ndryshme armiqësore, personalitete dhe qytete në Shqipëri. Në mesin e prindërve të cilët janë përcaktuar për emra të këtillë për fëmijët e tyre ka pasur dhe ka edhe bartës të detyrave me përgjegjësi, persona të punësuar në arsim, mjetet e informimit dhe në veprimtari tjera shoqërore, por edhe persona që tashmë e kanë dëshmuar veprimtarinë e tyre armiqësore. Kryesia e Komitetit komunal të LKM-së, duke debatuar për këtë çështje me qëllim të miratimit të konkluzionit të Komitetit komunal, kërkoi kjo çështje të zbardhet deri në fund. Procedura për identifikimin e prindërve të cilët janë përcaktuar për emra të këtillë është në përfundim e sipër dhe në njërën nga mbledhjet e ardhshme Komiteti komunal do të informohet detaisht dhe do të ndërtojmë qëndrim për ekzagjerimin dhe tejkalimin e kësaj dukurie…”.

Në debatin që u zhvillua po në atë mbledhje, ndër të tjerave u theksua se “vite me radhë fëmijëve të porsalindur të kombësisë shqiptare u janë dhënë emra që asocojnë me emra gjeografik të vendbanimeve në Shqipëri, me çka nxehet ndjenja nacionale”. Madje, disa nga pjesëmarrësit në debat, kërkuan të identifikoheshin prindërit dhe të “vlerësohet përgjegjësia e tyre ideopolitike…”.

Ngjashëm si udhëheqja komuniste tetovare, vepruan edhe udhëheqësitë tjera lokale si në Shkup, Kumanovë, Gostivar, Kërçovë, Dibër, Strugë dhe në rrethet tjera ku jetonin shqiptarët. Komiteti komunal i Lidhjes komuniste të Kërçovës, i rekomandonte organizatës bazë të LK-ës pranë Organizatës komunale të Kërçovës, që ta “vlerësoj shkallën e përgjegjësisë ideo-politike” të sekretarit të asaj organizate, Esat Bajrami, për shkak se siç thuhej “ka mbajtur qëndrim skajmëshirsht indiferent dhe neutral”, madje ka treguar edhe “sjellje oportuniste” ndaj “aksionit të maqedonasve – myslimanë”, pastaj ndaj “ndryshimit të emrit personal” si dhe ndaj “regjistrimit të fëmijëve në paralelet me mësim në gjuhën shqipe, edhe pse gjuha amtare e tyre është gjuha maqedonase…etj.”. Ndërkohë, Kryesia e KQ të LKM-ës, në Informatën e hartuar në qershor të vitit 1988, duke e përshkruar veprimtarinë “nacionaliste e separatiste shqiptare” në komunën e Strugës, ndër të tjerave vlerësonte se: “…emërtimi i fëmijëve që paraqet simbol të emrave të personaliteteve dhe emra gjeografik të shtetit të Shqipërisë dhe presione dhe ndikime tjera të ndryshme ndaj maqedonasve dhe të kombësive tjera jo shqiptare, përbën pjesë nga strategjia dhe metodat e veprimit të nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar…”. Këshilli Ekzekutiv i RS të Maqedonisë, në raportin vjetër për vitin 1988, theksonte se gjatë atij viti nga ana e qytetarëve shqiptarë ishin dorëzuar 40 kërkesa për emërtimin e fëmijëve të porsalindur, të cilat emra ishin refuzuar të regjistroheshin në librin amzë të lindjes, me pretekst se ato “ishin në kundërshtim me Ligjin për emrin personal, e të cilët asocojnë ose simbolizojnë nacionalizmin shqiptaro-madh…”.

Në përmbyllje të këtij punimi studimor, më duhet të them se ky ligj racist e antishqiptar, ngeli në fuqi edhe pas shpërbërjes së komunizmit, përkatësisht deri më 9 shkurt të vitit 1995 kur Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, solli Ligjin e ri, i cili për dallim nga ai i mëparshmi nuk përmbante dispozita raciste e antishqiptare.

Qerim LITA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>