Në Shqipëri, Banka Qendrore shprehu optimizëm të matur mbi rritjen ekonomike dhe zbehjen e presioneve negative, që solli Pandemia Covid-19. Pjesën e parë të këtij viti ekononmia u rrit me 5.5 për qind, krahas rritjes së konsumit dhe inflacionit. Por ekspertë të pavarur pohojnë se ekonomia shqiptare vuan nga probleme të thella strukturore, nga borxhi i lartë publik, detyrimet ndaj palëve të treta përmes PPP-ve, koncensioneve dhe arbitrazheve.
Përfaqësuesit e sistemit bankar pohuan se në tremujorët e fundit janë forcuar faktorët që mbështesin rritjen ekonomike, ndërsa rreziqet po zbehen.
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë deklaroi se megjithatë pasojat e pandemisë janë të pranishme dhe rritja ekonomisë kërkon të mbështetet nga një grup politikash monetare e fiskale.
Duke iu referuar të dhënave të pjesshme të këtij viti, Banka tha se rritja ekonomike është rreth 5.5 për qind, konsumi është rritur, ndërsa investimet e sektorit privat duhen nxitur me garanci dhe masa monetare prej likuiditetit të bollshëm, që zotëron sistemi bankar.
Por ekspertë të pavarur pohojnë se rritja ekonomike e Shqipërisë është anemike dhe se 5.5 për qind është një rritje e papërfillshme për një vend si Shqipëria, që vuan nga mungesa strukturore prej dy dekadash.
“Shpreh shqetësimin tim se qeveria vazhdon të merret me rishpërndarje dhe rishikime të buxhetit dhe nuk merret me problemin e vërtetë, që është klima e rënduar e biznesit. Duhet kuptuar që në kushtet kur borxhi publik përbën një kërcënim real për ekonominë tonë kombëtare, po ashtu detyrimet ndaj kontratave koncensionare, Partneriteteve Publike- Private si dhe detyrimet ndaj palëve të treta për shkak të vendim-marrjeve të Arbitrazhit Ndërkombëtar e komprometojnë qëllimin e mirë për të rritur të ardhurat dhe e largojnë edhe më shumë objektivin për të përmirësuar mirëqenien e qytetarëve” – thotë Zef Preçi, drejtues i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike.
Studiuesit e pavarur pohojnë se problemi themelor mbetet mos-hapja e vendeve të reja të punës, mundësia për të thithur investime të huaja direkte, klima e vështirë e biznesit dhe pafuqia konkurruese.
Gjergj Buxhuku, i cili drejton organizatën Alb-Konfindustria dhe qendrën e saj studimore, thotë se ekonomia ka probleme të thella strukturore, gjë që e dëshmon edhe rishikimi i katërt i buxhetit të shtetit për vitin 2021.
Sipas tij, rritja 5.5 për qind vjen së pari nga pika mjaft e ulët e krahasimit nga viti 2020, së dyti vjen nga rritja e deficitit buxhetor dhe i borxhit publik.
“Buxheti rishikohet për shkak të rritjes së borxheve, dhe jo për shkak të rritjes së të ardhurave. Borxhi publik pritet të rriet, kur edhe kështu si është tani është mjaft vështirë për t’u përballuar nga ekonomia shqiptare dhe është një borxh publik, i cili ka kaluar prej kohësh nivelin 80 për qind, sipas vlerësimeve zyrtare, por nëse merren parasysh detyrimet e PPP-ve dhe detyrime të tjera që shteti shqiptar ka ndaj të tretëve, padyshim që e ka kaluar nivelin mbi 100 për qind të Prodhimit të Brendshëm Kombëtar” – thotë ai.
Ekspertët pohojnë se matësit e vërtetë të rritjes ekonomike është rritja e punësimit dhe pagave, shfrytëzimi gjithë burimeve vendase, dhe përmirësimi i qeverisjes pa retorikë.
Drejtuesi i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, Zef Preçi, thotë se qeveria po përgatitet të marrë borxh të ri dhe vazhdon politikën e marrjes së borxheve të reja për të shlyer borxhet e vjetra.
“Borxhi publik, dhe vazhdimi i skemës “merr borxh të ri për të shlyer borxhin e vjetër”, siç pritet këtë vit të merren afro afro 1 miliardë euro borxh përsëri, kur nuk shkon për të hapur vende pune, kur nuk shkon për të përmirësuar infrastrukturën dhe as për të rritur mirëqenien e qytetarëve, kuptohet që nuk ka ndonjë ndikim të dukshëm, përveçse blen kohën” – tha zoti Preçi.
Studiuesit vlerësojnë se bankat janë larguar disi detyrave të tyre themelore për financimin e investimeve private dhe më shumë po merren me financimin e nevojave të qeverisë dhe më pak të konsumit familjar, duke marrë përsipër më pak risk për zhvillimin afatmesëm të ekonomisë dhe duke ia kaluar klientëve gjithë barrën e krizës ekonomike afatshkurtër.
“Rritja ekonomike prej 5.5 për qind e muajve të parë të këtij viti është vetëm statistikë në letër, sepse nuk ka sjellë fryte reale. Çuditërisht kjo rritje ekonomike 5.5 për qind nuk ka prodhuar as rritje të të ardhurave në buxhet as rritje të punësimit. Përkundrazi, norma e papunësisë shkoi afro 12 për qind, pra kemi rritje të papunësisë, në kushtet kur raportohet rritje ekonomike” – thotë zoti Buxhuku.
Ekonomia shqiptare ka marrë goditje të rënda dy vitet e fundit s inga tërmeti shkatërrimtar i 2019 dhe ashtu edhe nga pandemia e 2020 e në vazhdim.
Megjithatë ekspertët pohojnë se problemet themelore të ekonomisë dhe keqmenaxhimi ishin aty edhe para këtyre dy goditjeve prej shumë vitesh.
voa