Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, i ka thënë homologut të saj slloven, Anze Logar, se tensioni i shkaktuar së fundmi në Jarinjë është veprim i njëanshëm i Serbisë. Ajo ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës është në përputhje me marrëveshjen e nënshkruar në Bruksel nga të dyja palët.
Këto deklarime Gërvalla i ka bërë në New York, ku po qëndron në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
“Duke qenë se Sllovenia mbanë kryesimin e radhës së Presidencës së Këshillit të BE-së, ministrja Gërvalla ka kërkuar përkrahjen e Sllovenisë për të shtyrë përpara agjendën evropiane të Kosovës. Së bashku diskutuan për raportet dypalëshe, me fokus bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar, dhe folën për mundësinë e thellimit të mëtutjeshëm të raporteve mes dy vendeve”, thuhet në komunikatën e MPJ-së.
Kryediplomati slloven ka theksuar qëndrimin mbështetës të Sllovenisë për integrimin evropian të Kosovës.
koha