Analisti i njohur malazez dhe eksperti për të drejtat e njeriut në Mal të Zi, Aleksandar Zekoviq tha se fërkimet e shtuara ndëretnike dhe ndërfetare në Mal të Zi rrezikojnë sigurinë dhe qëndrueshmërinë në rajonin e Ballkanit.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Zekoviq akuzoi Rusinë dhe Serbinë zyrtare se me ndihmën e Kishës Ortodokse Serbe po ndërhynë në punët e brendshme të Malit të Zi, në përpjekje për të zgjeruar hegjemonizmin serb në rajon.
Analisti i njohur malazez dhe eksperti për çështjet e të drejtave të njeriut në Mal të Zi, Aleksandar Sasha Zekoviq, vë në dukje rrezikun e fërkimeve politike dhe ndëretnike në Mal të Zi që rrezikojnë qëndrueshmërinë në vend dhe rajon.
Në një intervistë dhënë “Zërit të Amerikës”, Zekoviq tha se kërcënimi i demokracisë shumetnike në Mal të Zi u thelluan me shugurimin e kreut të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi.
“Shugurimi i peshkopit të ri të Kishës ortodokse Serbe në Mal të Zi i ka thelluar edhe më shumë ndarjet ndëretnike, posaçërisht midis malazezëve dhe serbëve në Mal të Zi. Kjo ndodhi për shkak se vendimi për shugurimin e peshkopit serb u bë nga politikanët duke e komplikuar skajmërisht situatën e sigurisë dhe të marrëdhënieve ndëretnike në vend”, tha zoti Zekoviq.
Zoti Zekoviq, i cili një kohë të gjatë punoi edhe si kryetar I Këshillit të Kontrollit Qytetar të Policisë në Mal të Zi, shfaq kritika të ashpra për punën dhe veprimin e policisë malazeze.
“Policia po cenon liritë dhe të drejtat e njeriut me trysnitë politike ndaj qytetarëve. Kështë në mënyrë masovike po ftohen qytetarët në të ashtuquajtura “bisedë informative”, që është një metodë e kohës komuniste me qëllim që qytetarët të frikësohen dhe të evidentohen në dokumentet e policisë”, tha zoti Zekoviq.
Ai shprehu shqetësimin për ngecjen e plotë të Malit të Zi drejtë integrimeve evropiane dhe humbjes së perspektivës evropiane në vend.
“Rruga jonë drejt integrimeve evropiane në tërësi është ndaluar dhe përgjegjësinë për këtë e ka pushteti ekzekutiv dhe shumica parlamentare. Për këtë arsye është e nevojshme të krijohet një qeveri e re me forcat politike proevropiane, ku do të përfshiheshin edhe partitë e pakicave në vend,” tha Zekoviq.
Zekoviq, vuri në dukje se ndikimi i ndërhyrjes ruse dhe serbe në Mal të Zi është shumë problematike dhe paraqet rrezik për të ardhmen e Ballkanit.
“Ka një vit që qeveria e Malit të Zi tërësisht është e angazhuar në strategjinë programore dhe në përcaktimin e Rusisë dhe të Serbisë Zyrtare. Kjo vërehet me ndërhyrjet e ndryshme të Beogradit në punët e brendshme të Malit të Zi. Në këtë kuadër Rusisë dhe Serbisë po i ndihmon Kisha Ortodokse Serbe, e cila është në pararoje të hegjemonizmit serb në rajon”, tha analisti i njohur malazez Aleksandar Zeqeviq.
voa