Bashkimi Evropian dhe SHBA mirëpritën arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.
Pas dy ditë diskutimesh në Bruksel, Kosova dhe Serbia arrijnë marrëveshje për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Lajmin e bëri të ditur vetë i ngarkuari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak. Në profilin e tij në Twitter, Lajçak publikoi letrën e marrëveshjes ku shihet se palët janë pajtuar për tri pika kryesore.
1. Njësitet speciale policore të vendosura në pikëkalimet e përbashkëta kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, do të largohen bashkë me barrikadat, duke nisur nga 2 tetori, ora 08:00 deri në orën 16:00 të asaj dite. Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, do të angazhohet në këto dy pika në Jarinjë dhe Bërnjak, para nisjes së tërheqjes të zyrtarëve policorë dhe barrikadave, dhe do të mbetet aty për dy javë për të garantuar sigurinë.
2. Nga 4 tetori, do të nisë së zbatuari përkohësisht regjimi i letrave ngjitëse, në vend të heqjes së targave të makinave të regjistruara në Kosovë dhe Serbi, deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme.
3. Më 21 tetor do të nisë punën një ekip i përbërë nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, Prishtinës dhe Beogradit për të gjetur një zgjidhje të përhershme. Brenda gjashtë muajve, prej nisjes së takimit të parë, i ashtuquajturi Grup Pune, do të prezantojë gjetjet për një zgjidhje të përhershme në formatin e dialogut të nivelit të lartë.
Kurti: Tani Serbia do të mësohet me reciprocitet
I menjëhershëm ishte reagimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti , i cili tha se “me marrëveshjen e arritur me Serbinë të enjtën në Bruksel, “Serbia do të nisë të mësohet me reciprocitet”. Ai tha se me heqjen e barrikadave nuk do të ketë më nevojë që njësitë speciale të Policisë së Kosovës të qëndrojnë në dy pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak.
“Natyrisht, policia jonë kufitare në vijim do të zbatojë reciprocitetin e targave. KFOR-i do të qëndrojë aty, rreth dy javë, që gjithçka të jetë e sigurt”, shkroi Kurti në Facebook.
Faktori ndërkombëtar, Bashkimi Evropian dhe SHBA-të përshëndetën arritjen e marrëveshjes për targat dhe shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell shkroi se “pas kësaj marrëveshjeje, Kosova dhe Serbia duhet t’i rikthehen dialogut për normalizimin e raporteve”.
“Kosova dhe Serbia tani duhet të përfshihen në mënyrë konstruktive në dialog për të bërë përparim të shpejtë në normalizimin e marrëdhënieve”, tha Josep Borrell.
SHBA: riangazhimi në dialog sjell përfitime për qytetarët
Edhe i ngarkuari me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Nicholas J.Giacobbe tha se “arritja e kësaj marrëveshjeje dëshmon se riangazhimi në dialog sjell përfitime për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë”.
“Lajm i mirë nga Brukseli. Një shembull sesi riangazhimi në dialog mund të ketë përfitime reale dhe të qëndrueshme për kosovarët dhe serbët. Faleminderit i dërguari Lajçak për ndërmjetësimin dhe partnerëve në Kosovë dhe Serbi për vullnetin dhe gatishmërinë e tyre për të negociuar”, shkroi Giacobbe në Twitter.
Gjendja në veri të Kosovës u tensionua pas 20 shtatorit kur qeveria e Kosovës vendosi reciprocitet në targa të veturave të Serbisë, pasi një gjë të ngjashme Serbia e ka aplikuar për veturat nga Kosova për më shumë se dhjetë vjet.
Von der Leyen nis projekte në Beograd
Gjendja e tensionuar ne veri shqetësoi edhe kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila për tri ditë qëndroi në një turne Ballkanik. Gjatë qëndrimit të saj në Prishtinë ajo tha se “është jetike që të ndodhë normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi”.
Pas Kosovës, von der Leyen, po viziton Serbinë ku u prit nga presidenti Aleksandër Vuҫiq. Së bashku, von der Leyen dhe Vuҫiç morën pjesë në nisjen e projektit për rikonstruktimin e hekurudhës së korridorit të 10. Po ashtu gjatë qëndrimit në Serbi, kryetarja e Komisionit Evropian merr pjesë në nënshkrimin e kontratës për rehabilitimin e autostradës së paqes Nish-Prishtinë, projekt ky i financuar dhe mbështetur nga Bashkimi Evropian.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç i premtoi von der Leyen, se delegacioni i Serbisë në dialog me Kosovën që po zhvillohet në Bruksel do të bëjë ҫ‘është e mundur që të arrijë marrëveshje me Kosovën.
“E di që Serbia nuk do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, përderisa nuk i përmirëson raportet me Kosovën, por ne do të luftojmë dhe do t‘i regullojmë gjërat”, tha Vuҫiq.
Në fund kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se ajo mbështet përpjekjet e Serbisë për të qenë pjesë e BE-së.
“Unë e mbështes fuqishëmintegrimin evropian të Serbisë. I mirëpres reformat që i keni bërë, për të cilat keni bërë punë të mirë. Ne i mbështesim ambiciet e Serbisë për të qenë e Bashkimit Evropian”, tha von der Leyen.
dw