Opinion: Magjistari i demaskuar i politikës – Sebastian Kurz

KurzVite me radhë, Sebastian Kurz ishte idoli i konservatorëve europianë. Pas akuzave për korrupsion ai doli si mbreti lakuriq i fabulës, shkruan Barbara Wesel. Me dorëheqjen të paktën ruajti pak fytyrën.

 

“Super i afti” kështu e quanin të riun Sebastian Kurz që me 31 vjeç u bë kancelar i Asutrisë. Politikani që u tregoi konservatorëve europianë, si mund të fitohen zgjedhjet, që bënte politikë në skajin e djathtë dhe megjithatë ishte i pranueshëm. Populizëm me humorin tipik vjenez deri aty ku mbaronin kufijtë e së lejuarës – kjo dukej receta e veçantë e tij. Me pak nxitje zyrtare kundër të huajve e me një copë të mirë retorike të majtë ai mbeti gjithmonë djali shembullor i politikës, i kurorëzuar me një sukses gati magjik tek votuesit.

Tani në konstruktin plot shkëlqim të Sebastian Kurz kanë filluar të çarat. Prokuroria e Posaçme për Luftimin e Korrupsionit e akuzon atë për ryshfet, korrupsion dhe shpërdorim.

Llaku ra

Në këtë kombinim tresh të pafat të pazarllëqeve politike fshihet edhe një vepër penale, që seriozisht e vë në pikëpyetje mitin e Kurzit: Ende si ministër kancelari i mëvnoshëm, sipas akuzave, ka manipuluar sondazhet, ka zbukuruar rezultatin e tij dhe të gjithë këtë e ka mbështetur media bulevardeske përkrahëse kundrejt parave. Shkurt, kur në vitet e kaluara të ngjitjes së tij të pandalshme publikoheshin kryetituj që e përcaktonin Kurzin si kancelarin më të preferuar të të gjitha kohërave, atëherë me gjasë besnikët e tij kishin manipuluar shifrat. E gjitha financohej nga paratë publike, kjo është akuza. Në mënyrën e veprimit me mediat sundonte motoja: Kush paguan, merr. Në gazeta publikoheshin reklama të shtrenjta nga sipërmarrjet shtetërore dhe si shpërblim kancelarit i ofrohej raportim pozitiv.

Tani po duket se ylli kaq shkëlqyes i politikës austriake, ngjitjen e tij lart e ka ndihmuar vetë me mjete të ndaluara ose të dyshimta. Ai e rregulloi imazhin e tji, zhvilloi një sistem të rafinuar të propagandës shtetërore, minoi kështu lirinë e shtypit dhe e paraqiti si vullnet të popullit atë që zyra e tij e komunikimit iu ofronte austriakëve.

Thajeni moçalin, të paktën pak

Kush kërkon në Austri që të thahet moçali i korrupsionit bëhet qesharak. Ekonomia e favoreve e miqësive ka traditë të gjatë në këtë vend dhe historia e pasluftës e republikës është tronditur nga një seri skandalesh. Afera për banka, kazino, shoqëri ndërtimi, për armatimin, e gjithmonë bëhej fjalë për pasurim personal apo pazare të dyshimta mes politikës dhe ekonomisë.

Skandali më i fundit para dy viteve ishte afera e Ibicës. Partia populiste e djathtë, FPÖ, partneri i kontesruar i koalicionit të kancelarit Kurz, u demaskua kaq keq si një shoqatë mafioze dhe pa moral, saqë në fund votuesit i kthyen kurrizin. Rrethina politike e Vjenës është e mbuluar me një masë të yndyrshme, dhe çizmet kërcasin me çdo përpjekje për të dalë nga kjo masë, tallen vëzhguesit me xhunglën austriake të favorizimit reciprok. Ndërkohë që minimi i vazhdueshëm i ligjit dhe asaj që quhet ndershmëri në një shtet e gërryen vetë shtetin dhe besimin e qytetarëve. Politika kthehet në një pikë vetëshërbimi. Në këzë zonë moçalore do të ketë gjithmonë pellgje, po nuk duhet opozita të tentojë njëherë të thajë të paktën disa hapësira të korrupsionit sistematik? Ajo kërkon një ligj të ri për mediat, me të cilin do të marrë fund zakoni i keq i korrupsionit përmes reklamave. Me këtë shembull mund të ndryshohen shumë gjëra tek bankat dhe dhënia e tenderave publikë të administratës.

 

Koha për diçka të re

Me devizën “Koha për diçka të re” erdhi Sebastian Kurz në vitin 2017 në post. Nëse akuzat e prokurorisë vërtetohen, atëherë ai thjesht ka mishëruar korrupsionin e vjetër me veshje të re. Me vendimin e dorëheqjes ai po ruan pak fytyrën, pas përpjekjes fillestare për të refuzuar dorëheqjen duke përdorur tonin e të pafajshmit të lënduar. Akuzat kundër tij ai sigurisht vazhdon t’i hedhë poshtë.

Austria ka nevojë për lëvizjen “e duarve të pastra”, që e pastrojnë një herë në disa vite stallën në Vjenë. Të paktën ky vend duket se ka prokurorë të guximshëm që hetojnë pavarësisht prestigjit të personit. Ata mund të jenë baza për një rigjenerim politik në vend, të cilin e dëshirojnë qytetarët austriakë. E si kancelar të ardhshëm ata më mirë të zgjedhin një politikan serioz, një madhor me më pak karizmë. Sebastian Kurz si magjistar i politikës është demaskuar plotësisht dhe po del në një vështrim më të afërt si mbreti lakuriq.

 

Barbara Wesel/dw

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>