Kandidati për Kryetar bashkie të Tetovës, Z. Afrim Ibrahimi Fanda në statusin e tij në Facebook, u drejtohet bashkëqytetarëve të tij:
Të dashur miq, bashkëqytetar të Tetovës!
Me këtë status, dua të falënderoj 378 qytetarët e Tetovës që më besuan dhe rrethuan emrin tim në listën e votimeve për kryetar bashkie të Tetovës, si dhe të gjithë ata që më përkrahën në këtë mision timin. Dua të falënderoj shokët e mi të Lëvizjes për Shtet dhe Drejtësi, për punën e tyre të palodhur gjatë fushatës parazgjedhore.
Erdha në qytetin tim të lindjes me dëshirën dhe gatishmërinë për të ofruar bashkëqytetarëve të mi, një alternativë politike për qeverisje më të mirë me qytetin e Tetovës. Për dallim nga partitë e tjera politike dhe kandidatët e tyre, erdha me koncepte të qarta, për atë se çfarë është e PASTËR dhe çfarë e pistë në politikë, e çfarë e PABESË dhe në shërbim të interesave të huaja.
Por, e them me dhimbje, i gjeta bashkëqytetarët e mi, të verbër dhe të shurdhër për të gjitha këto, në përpjekjen e tyre për mbijetesë, të cilën për ironi, u’a “sigurojnë” pikërisht ata që i vjedhin, ua bëjnë qytetet e pajetueshme, i djegin të gjallë në spitale… E përsëri për ironi, shpëtimin nga këta që u’a vrasin të tashmen, u’a ofrojnë mu ata që vijnë për t’ua vrarë edhe shpresën për të ardhmen.
Unë, bashkë me bashkëmendimtarët e mi, do të vazhdoj të shpalos të vërtetën, të denoncoj politikën mercenare të partive politike shqiptare në pushtet dhe të atyre që synojnë pa kushte pushtetin, si dhe do të vazhdoj të ofroj zgjidhjen e drejtë politike për pozitën në të cilën gjenden shqiptarët në ish IRJM.
E huazuar nga statusi i Facebookut të z. Afrim Fandës.