SHBA-të janë në një pozitë të vështirë, të cilës të emëruarit e rinj nuk mund t`i shpëtojnë, thotë Timothy Less, ekspert britanik nga Qendra për Gjeopolitikë e Universitetit të Cambridge.
Ambasadori i ri i SHBA-ve në Beograd, Christoher Hill në veçanti do ta gjejë mjedisin strategjik të transformuar nga hera e fundit që ai punoi në Ballkan.
Asokohe SHBA-të ishin në një pozicion të fortë me burime të mëdha, me pak shpërqendrime, pak sfidues dhe mbështetje të brendshme për ndërhyrjen e saj, kështu thotë Timothy Less, ekspert britanik nga Qendra për Gjeopolitikë e Universitetit të Cambridge.
Si ish-diplomat britanik në Bosnje dhe tani studiues i çështjeve të Ballkanit, z. Less në një intervistë për KosovaPress thotë se Serbia është më e fortë se që ishte dikur, pas rritjes së qëndrueshme ekonomike, ringjalljes së ushtrisë së saj dhe ushqyerjes së marrëdhënieve me Rusinë, Kinën, dhe Turqinë, të cilat Beogradi mund t’i përdorë kundër SHBA-ve.
KosovaPress: Zhvillimet në Ballkan duket se po marrin një dinamikë të ndryshme nga ajo që kemi parë vitet e fundit. Presidenti Biden ka emëruar si ambasadorë në disa vende të Ballkanit diplomatët më eminentë amerikanë që kanë qenë shumë aktivë në Ballkan gjatë luftërave në ish-Jugosllavi. Më intereson mendimi juaj, si i shihni këto emërime dhe a besoni se po përgatitet një plan për t’i dhënë fund problemeve që janë ende të hapura në Ballkan?
Less: Unë i shoh emërimet e reja si një përpjekje nga administrata Biden për të përmbushur objektivat që Washingtoni i vuri vetes në vitet 1990 – për të qetësuar, modernizuar dhe integruar Ballkanin në strukturat perëndimore – por që po dështon ta bëjë këtë. Rajoni mbetet i tensionuar, jodemokratik, i varfër dhe i mbyllur jashtë BE-së. Rusia ka terren dhe Kina po bëhet me ndikim. Më seriozitet, grupet revizioniste si serbët e Bosnjës po ringjallin punën e tyre të pambaruar mbi kufijtë, duke rrezikuar shkaktimin destabilitetit.
Qasja në Washington duket se është se, duke emëruar zyrtarë që janë të përkushtuar ndaj politikës origjinale, që kuptojnë politikën lokale dhe kanë një histori suksesi në Ballkan, SHBA-të mund ta kthejnë rajonin në kahjen e synuar.
Megjithatë, nuk besoj se po përgatitet ndonjë lloj plani, domethënë ndonjë ndryshim domethënës në politikë apo objektiva. Përkundrazi, zyrtarët kanë theksuar vazhdimësinë në qasjen e Washingtonit dhe emërimet e veteranëve diplomatikë të Ballkanit duket se e konfirmojnë këtë. Ajo që do të ndryshojë është forca me të cilën SHBA ndjek politikën e saj. Duke i dhënë vetes të drejtën për të sanksionuar individë, Washingtoni ka sinjalizuar synimin e tij për të ndëshkuar ata që sfidojnë qëllimet e politikës së tij.
KosovaPress: Shumë analistë thonë se ndryshimi i administratës në Washington do të përshpejtojë ritmin e zgjidhjes së çështjeve kyçe rajonale, veçanërisht mosmarrëveshjen Kosovë-Serbi dhe stabilitetin e Bosnjë-Hercegovinës. Megjithatë, ne po shohim ende shumë probleme, pasi BE-së duket se i ka munguar kapaciteti për të zgjidhur problemet në Ballkan. A janë këto emërime të reja të diplomatëve amerikanë për t’u angazhuar në Ballkan një tregues se SHBA do të marrë një rol udhëheqës në zhvillimet e ardhshme?
Less: Është e rëndësishme të bëhet dallimi mes asaj që SHBA dëshiron të arrijë dhe asaj që mund të bëjë praktikisht. SHBA me sa duket mendon se duhet të ushtrojë një rol udhëheqës sepse BE-ja ka dështuar të ruajë paqen dhe përparimin në rajon, prova e fundit e të cilave është kriza në Bosnje dhe ndezja e tensioneve në Kosovë.
Megjithatë, SHBA-të janë në një pozitë të vështirë të cilës të emëruarit e rinj nuk mund t’i shpëtojnë. Hill në veçanti do ta gjejë mjedisin strategjik të transformuar nga hera e fundit që ai punoi në Ballkan, kur SHBA-ja ishte në një pozicion hegjemonist, me burime të mëdha, me pak shpërqendrime, pak sfidues, dhe mbështetje të brendshme për ndërhyrjen e saj.
Për dallim nga atëherë, SHBA sot duhet të përballet me ngritjen e Kinës dhe rivalëve të tjerë rajonalë, ndërkohë që opinioni publik është kthyer kundër përfshirjes amerikane në rajone periferike të botës si Ballkani, ku justifikimi strategjik është i paqartë, dhe SHBA duhet të përqendrojë vëmendjen dhe burimet e saj gjetkë. Kjo ishte e qartë nga tërheqja amerikane nga Afganistani.
Një ndryshim tjetër është prishja e procesit të integrimit evropian, i cili e lë SHBA-në pa strategjinë e saj të njëhershme të daljes nga Ballkani pasi nuk mund t’ia dorëzojë lehtësisht rajonin BE-së për ta ruajtur. Fundi i zgjerimit gjithashtu heq arsyen kryesore që fuqitë revizioniste si Serbia kishin më parë për pranimin e kufijve ekzistues të rajonit.
Ndërkohë, vetë Serbia është më e fortë se që ishte dikur, pas një periudhe të rritjes së qëndrueshme ekonomike, një ringjallje të ushtrisë së saj, dhe ushqyerjes së marrëdhënieve me Rusinë, Kinën, dhe Turqinë, të cilat Beogradi mund t’i përdorë kundër SHBA-së.
Ky është realiteti politik në të cilin Washingtoni duhet të veprojë. Ai vendos kufizime domethënëse për atë që SHBA mund të sjellë në Ballkan për sa i përket energjisë, burimeve dhe ndikimit, dhe nëse mund të arrijë qëllimet e saj politike. Testi do të jetë për të parë se çfarë ndodh kur një akter vendas si Milorad Dodik refuzon të tërhiqet përballë ndëshkimit nga SHBA.
KosovaPress: Ju keni thënë se emërimet e reja të diplomatëve amerikanë në Ballkan janë të ndërlidhura. Por ju keni shprehur mendimin për mundësinë e ndryshimit të kufijve. Ju lutemi na tregoni, në lidhje me këtë, çfarë mund të ndodhë, cilat shtete mund të përfshihen në ndryshimin e kufijve?
Less: Nuk ka asnjë provë që SHBA po planifikon të ndryshojë kufijtë. Përkundrazi, ambasadorët e rinj në Bosnjë, Kosovë, dhe Serbi janë të gjithë të përkushtuar për ruajtjen e kufijve ekzistues dhe kjo është njëra nga arsyet pse janë emëruar ata.
Megjithatë, ajo që mund të shoh është një ndryshim i dukshëm në hartën e Ballkanit për shkak të përshkallëzimit të krizave paralele në Bosnje, ku serbët po kërcënojnë pavarësinë, dhe në Kosovë ku Prishtina po përpiqet të ushtrojë autoritetin e saj mbi veriun. Të dyja palët duken të vendosura për t’i çuar gjërat deri në fund dhe Serbia ka sinjalizuar gatishmërinë e saj për të përdorur forcën.
Kjo do të mprehë realitetin e çështjes kombëtare serbe: dy territore të shkëputura ngjitur me shtetin amë, njëra prej të cilave dëshiron të jetë pjesë e Serbisë dhe tjetra jo. Në një mënyrë apo tjetër, dhe sado ngurruese të jenë SHBA-ja dhe të tjerët, unë e shoh rezultatin përfundimtar si një shkëmbim territori në mes të dyjave.
Pasoja do të jetë një zgjidhje e çështjes shqiptare. Kosova po i afrohet Shqipërisë, dhe ky proces ndoshta do të përshpejtohet nëse Serbia vazhdon të kërcënojë Kosovën dhe nëse të huajt dështojnë në mbështetjen e saj. Nga ana tjetër, formimi i një shteti kombëtar shqiptar vë në pikëpyetje rajonet e tjera të banuara nga shqiptarët në Ballkan.
KosovaPress: Dy vite më parë, kur si zgjidhje e mundshme përfundimtare u përmend mundësia e ndryshimit të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, forca politike e kryeministrit Kurti ishte jashtëzakonisht kundër kësaj ideje. Ndërsa tani kryeministër i Kosovës është njeriu që më së shumti e kishte kundërshtuar këtë ide. Çfarë mendoni se mund të bëjë zoti Kurti sa i përket kësaj ideje?
Less: Unë nuk mendoj se ai mund të bëjë shumë sepse ai është i kufizuar nga qëndrimi i mëparshëm ndaj kësaj çështjeje, siç thoni ju. Unë gjithashtu nuk mendoj se ai ka ndonjë qëllim për të ndryshuar pozicionin e tij, i cili mbahet sinqerisht. Ngushëllimi për kryeministrin është se fuqitë perëndimore nuk ka gjasa ta shtyjnë përpara së shpejti idenë e ndarjes, ndaj Kurti nuk do të jetë nën presion për ta pranuar atë.
KosovaPress: Në fakt vërehet shumë qartë vëmendja e shtuar e administratës amerikane për Ballkanin, ndërkohë që një rol do të ketë edhe Bashkimi Evropian. Por dua t’ju pyes, pse vitet e fundit Britania e Madhe është tërhequr disi nga përfshirja në zhvillimet në Ballkan. Historikisht Britania e Madhe ka luajtur, ndoshta rolin kryesor në zhvillimet në Ballkan, a ka gjasa të përfshihet në zhvillimet e ardhshme?
Less: Përgjigja është se Britania sapo ka kaluar një dekadë rreshtimi politik dhe po fillon një proces ripozicionimi ndërkombëtar. Momenti më domethënës në këtë proces ishte referendumi i Brexit në 2016.
Kjo ka reflektuar edhe në Ballkan. Kur isha diplomat, Britania ishte lojtari kryesor evropian në rajon, me peshën e BE-së pas saj, duke nxitur një politikë të qartë të integritetit territorial dhe anëtarësimit në BE dhe NATO për rajonin si një zgjidhje afatgjatë për problemin e pazgjidhur të kufijve.
Më pas, Britania e Madhe ka humbur vendin e saj në tryezën e BE-së dhe nuk luan asnjë rol zyrtar në iniciativa të tilla si dialogu i udhëhequr nga Brukseli. Nuk mund ta shtyjë lehtë politikën e zgjerimit, veçanërisht pasi BE-ja pa Mbretërinë e Bashkuar ka tërhequr efektivisht ofertën e saj të mëparshme për anëtarësim në rajon. Ndërkohë, Londra e sheh BE-në duke diskutuar idenë e autonomisë strategjike dhe duke siguruar sigurinë e saj në Evropë, në një pikë ku Britania e Madhe po largohet nga Evropa drejt Paqësorit, ku sheh kërcënimet dhe mundësitë më të mëdha.
Kjo nuk do të thotë që Britania e Madhe është jashtë loje. Ajo ka fuqi dhe ndikim, veçanërisht kur është aleate me SHBA-në, dhe politikat ndërkombëtare dhe rajonale po evoluojnë vazhdimisht. Ka padyshim skenarë në të cilët Britania e Madhe rishfaqet si lojtari më i fuqishëm evropian.
KosovaPress: Dua t’ju bëj pyetjen e fundit, lidhur me emërimin e zotit Hill si ambasador i SHBA-së në Serbi. Ambasadori Hill konsiderohet si një “buldozer” i avancimit të politikës perëndimore në Ballkan. A mund të pritet që zoti Hill të japë energji në procesin e negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për të pasur një epilog?
Less: Jam i sigurt që zoti Hill do të përpiqet, por jam skeptik se ai mund të bëjë një përparim për shkak të kufizimeve nën të cilat ai po vepron, të cilat i përshkrova më parë, si dhe vijës së kuqe të vetë administratës Biden për rivizatimin e kufijve që do ta bëjnë të vështirë për të bindur Serbinë që të ndryshojë qëndrimin e saj për njohjen e Kosovës.
Supozimi im më i mirë është se Hill do të përpiqet të shtyjë idenë e kahershme të një marrëveshjeje në të cilën Kosova u jep autonomi serbëve dhe Serbia do ta njohë Kosovën, ndërkohë që do të rrisë presionin mbi të dyja palët për të pranuar një marrëveshje. Megjithatë, dyshoj se rezultati do të jetë ngecje formale dhe përpjekje të njëanshme nga të dyja palët për të zgjidhur mosmarrëveshjen në favor të tyre.
/Timothy Less është studiuesi kryesor në projektin e Qendrës për Gjeopolitikë mbi Studimet e Shpërbërjes. Hulumtimi i tij fokusohet në prishjen e rendit politik ekzistues në Evropë, forcat që drejtojnë këtë proces dhe rendin e ri politik. Për një dekadë ka punuar si analist, diplomat dhe politikëbërës në Zyrën e Jashtme dhe Komonuelthit Britanik, ku, ndër të tjera, ai drejtoi Zyrën e Ambasadës Britanike në Banja Luka (Bosnje) dhe departamentin e Institucioneve të BE-së në Londër.
Intervistoi: Fadil Miftari/KosovaPress