Shkup, opozita dorëzon në parlament nismën për mocion mosbesimi ndaj kryeministrit Zoran Zaev

VMRO-AAA-BESANë Maqedoninë e Veriut, partia opozitare VMRO-DPMNE e dorëzoi të hënën pasdite nismën në parlament për mocion mosbesimi ndaj kryeministrit Zoran Zaev. Partia i kishte bërë një lloj ultimatumi zotit Zaev se nëse nuk do ta dorëzonte dorëheqjen në parlament deri sot në orën 14:30, ajo do të ngrejë mocionin e votëbesimit kundër tij.

Nënkryetari i VMRO-së, Aleksandar Nikollovski u tha mjeteve të informimit se nismën e kanë nënshkruar 61 deputetë, një shumicë e nevojshme kjo që mjafton për ta rrëzuar qeverinë.

Por, deputeti i partisë Alternativa, Skender Rexhepi , megjithëse nënshkrimi i tij figuron në nismën e VMRO-së, thotë se nuk pajtohet të bëhet pjesë e një grupi ku bën pjesë edhe partia nacionaliste maqedonase ‘ E Majta’, drejtuesi i së cilës, Dimitar Apasiev ka theksuar se do të angazhohet për tërheqjen e njohjes së Kosovës nga ana e Maqedonisë së Veriut dhe tërheqjen e vendit nga anëtarsimi në NATO; bën politika kundër BE-së dhe kundër ndjenjave fetare të shumicës së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Zoti Rexhepi i ka thënë medias në Shkup se VMRO-ja nuk u kishte treguar se edhe drejtuesi i së Majtës do të merrte pjesë në takimin e së premtes për formimin e një shumice të re parlamentare.

Pa votën e ligjvënësit Rexhepi të Alternativës nuk arrihet numri i duhur prej 61 votash, megjithatë, VMRO-ja pret që zoti Rexhepi të votojë për rrëzimin e qeverisë.

Parlamenti deri të enjten duhet të mblidhet në seancë për të debatuar lidhur me mocionin e ngritur nga opozita. Nëse bie qeveria e zotit Zoran Zaev, presidenti i vendit duhet që brenda një afati prej dhjetë ditësh t’ia japë mandatin një politikani apo partie që garanton se ka formuar shumicën parlamentare prej 61 deputetësh në parlamentin prej 120 vendesh.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>