Kosovë, debate rreth projekteve për energjinë në dhjetë vitet e ardhshme

largpercuesitQeveria e Kosovës filloi të enjten punën për hartimin e strategjisë për energjinë elektrike për periudhën 2022-2031, me synimin rritjen e prodhimit nga burimet e ripërtërishme.

Strategjia që planifikohet të miratohet deri në pranverën e vitit të ardhshëm, synon prodhimin e energjisë së pastër dhe uljen e emetimit të dioksidit të karbonit nga termocentralet.

“Pjesëmarrja e burimeve të ripërtërishme të konsumit të energjisë elektrike sot është vetëm 5 për qind ndërsa në skenarët që jemi duke i zhvilluar synohet që kjo shifër të ketë rritje deri 30 për qind deri në vitin 2031, pra një rritje prej 400 për qind, me synim të rritjes deri 50 për qind të pjesëmarrjes së burimeve të ripërtrisshme në konsumin e energjisë elektrike deri në vitin 2050”, tha Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Fillimi i hartimit të kësaj strategjie u shpall pak para fillimit të debatit në parlamentin e Kosovës rreth vendimit të qeverisë për të mos çuar përpara projektin për lidhjen me një gazsjellës ekzistues me Maqedoninë e Veriut, një projekt i propozuar nga Korporata amerikane, Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC).

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradianj, që kërkoi debatin e sotëm, i bëri thirrje qeverisë që të mos heq dorë nga projekti i ndërtimit të infrastrukturës së gazsjellëzit.

“Nuk e di se si do të veproni në të ardhmen kryeministër edhe si do të kërkoni ju nga aleatët tanë mbështetje për energjinë nëse pa asnjë argument pra keni hedhur poshtë gjithë këtë përpjekje edhe investim të kohës, kapaciteteve, resurseve humane, financiare për zgjedhjen ideale që na është ofruar. Duke i njohur parashikimet për sigurinë energjetike për të ardhmen jo shumë të largët pra për vështirësitë që do të ketë i gjithë rajoni”, tha ai.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se projekti nuk është refuzuar por kanë kërkuar më shumë sqarime dhe se ai mund të miratohet në të ardhmen nëse do të jetë i leverdishëm për Kosovën

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri tha se qeveria e Kosovës e ka refuzuar gazsjellësin pa argumente të qëndrueshme dhe me këtë po i dëmton edhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara.

“Refuzimin e këtij projekti nuk kanë me të fal qytetarët pra sot po ju bën dëmin më të madh të mundshëm qytetarëve, gjeneratave të ardhshme me pozicionin politik çfarë e ke marr karshi këtij projekti tepër të rëndësishëm. Edhe njëherë po e them, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës nuk ka pasur projekt më të rëndësishëm edhe për sigurinë por edhe ekonominë tonë”, tha ai.

Por, Kryeministri Albin Kurti tha se nuk janë shkaktuar dëme në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara për shkak të projektit për gazsjellësin.

“Nuk është as aleanca as partneriteti i SHBA-së as ai i sigurisë kombëtare e i mbrojtjes së shtetit në njërën anë dhe as ai ekonomik e zhvillimor në anën tjetër i varur për një pe, nuk qëndron aleanca dhe partneriteti ynë e varur në penj që tash mund të shkëputet shumë shpejt prandaj unë ju lus të gjithëve që të keni më shumë besim në aleancën dhe partneritetin me SHBA-të sepse ky besim i juaji i ndihmon të gjithëve por nuk mund të lëkundet aleanca dhe partneriteti i tillë sepse tash veç sa është forcuar me qasjen tonë parimore dhe me planet tona afatmesme dhe afatgjata”, tha kryeministri Kurti.

Në fund të muajit shtator, qeveria e Kosovës bëri të ditur se nuk do të çojë përpara projektin për lidhjen me një gazsjellës ekzistues me Maqedoninë e Veriut, duke kërkuar më shumë informata se ndërtimi i infrastrukturës së gazit është opsioni më i mirë për tranzicionin energjetik.

Aktualisht Kosova është e varur nga termocentralet me qymyr të cilat prodhojnë rreth 95 për qind e energjisë së përgjithshme të vendit ndërsa llogariten si ndotës të mëdhenj të mjedisit në Kosovë.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>