Gjeneral David H.Tabor: Për një rajon paqësor dhe të qëndrueshëm

Gjenerali amerikan, David H. TaborKomandanti i Komandës së Operacioneve Speciale të SHBA në Europë, Gjen. David H. Tabor, në një intervistë për DW flet për misionin e komandës, selia qëndrore e së cilës sapo u vendos në Shqipëri.

DW: Gjeneral Tabor, shtabi rajonal i Komandës së Forcave Speciale amerikane në Europë, Task Forca për Ballkanin, u aktivizua të mërkurën (9 .03) në Tiranë me nje ceremoni në Ministrinë e Mbrojtjes. Me këtë aktivizim selia qendrore e Komandës së Operacioneve Speciale të SHBA për Evropën (US Special Operations Command, Europe, US SOCEUR ) u transferua nga Shtutgarti në Tiranë. Cili është misioni i US SOCEUR në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe cilat janë pritshmëritë nga vendosja e selisë së kësaj komande në Shqipëri?

Gen. David H. Tabor: Funksioni primar i shtabit rajonal është koordinimi i planifikimit dhe trajnimit me aleatët dhe partnerët tanë në rajon, duke përfshirë Bosnjë – Hercegovinën, Kosovën, Kroacinë, Serbinë dhe të tjerët. Ne rrisim ndërveprimin tonë me forcat e tjera speciale, konvencionale dhe policore në rajon, ndërkohë që rrisim aftësitë aleate dhe partnere, për të siguruar një rajon paqësor dhe të qendrueshëm. Kjo lloj pune e çon përpara mantrën* tonë “më të fortë së bashku”. Duke u fokusuar në ndërtimin e miqësive që kemi tashmë, mund të kemi një shkëmbim më efikas të ideve dhe, në fund të fundit, të përmirësohemi në atë që bëjmë.

DW: A ka bërë kërkesa vende të tjera të rajonit për të vendosur tek ato selinë e SOCEUR siç bëri Shqipëria?

Gjeneral David H. Tabor: Ndërkohë që selia qendrore është e vendosur në Shqipëri, është më mirë ta mendojmë atë si një shtab rajonal. U shqyrtuan disa vende dhe vendimi ishte i vështirë. Në përfundim u zgjodh Shqipëria për shkak të vendndodhjes së saj qendrore dhe afërsisë me qendrat kryesore të transportit në rajon, duke zvogëluar kështu kohën e udhëtimit dhe duke rritur aftësinë tonë për të lëvizur me shpejtësi. Fokusi ynë ka qenë dhe mbetet promovimi i stabilitetit rajonal përmes punës së ngushtë me aleatët dhe partnerët tanë. Ka shumë lokacione fantastike për një seli në Ballkan, por pavarësisht vendndodhjes gjeografike, prioriteti ynë është ndërtimi i kapaciteteve aleate dhe partnere nëpërmjet trajnimeve të përbashkëta / të kombinuara, përmirësimit të ndërveprimit dhe forcimit të marrëdhënieve.

DW: Gjithësesi, çfarë avantazhesh ka Shqipëria në krahasim me vendet e tjera të rajonit që janë edhe ato anëtare të NATO-s?

Gjeneral David H. Tabor: Ne kemi pasqyruar përqasjen tonë në rajonet e Baltikut dhe Detit të Zi, ku kemi vendosur një shtab të përparuar, në një vendndodhje qendrore, me akses të shpejtë me aleatët dhe partnerët e tjerë në atë rajon. Kur morëm parasysh marrëdhënien tonë tashmë të ngushtë me Shqipërinë, angazhimin e saj të fortë ndaj aleancës së NATO-s dhe vendndodhjen e saj gjeografike, kishte plotësisht kuptim që selia qendrore të vendoset në Shqipëri.

DW: Gjeneral Tabor ju jeni komandanti i SOCEUR që nga gushti i vitit 2020. Cilat kanë qenë dhe cilat janë kërcënimet aktuale për SHBA-në dhe partnerët e saj në rajon dhe Evropë? E kam fjalën për të tilla kërcënime që US SOCEUR synon t’u përgjigjet duke forcuar aftësitë ushtarake dhe sigurinë në vendet partnere.

Gjeneral David H. Tabor: SOCEUR luan një rol të rëndësishëm në demonstrimin e angazhimit të SHBA ndaj aleatëve dhe partnerëve tanë në Evropë. Nëpërmjet trajnimit të vazhdueshëm dhe bashkëpunimit të ngushtë, Forcat sepeciale operacionale të SHBA-së sigurojnë një lidhje të rëndësishme midis aleatëve dhe partnerëve tanë në kontinent, duke rritur kështu stabilitetin e përgjithshëm. SOCEUR në mënyrë unike është pozicionuar për të galvanizuar marrëdhëniet tona me aleatët dhe partnerët, kundërshtuar ndikimin keqdashës, ndërtuar ndërveprueshmërinë, përgjigjur me shpejtësi kërcënimeve në zhvillim dhe nëse është e nevojshme, për të mposhtur agresionin. Në vend që të shikojmë kërcënimet, ne kërkojmë mundësi: mundësi për të punuar drejt një qëllimi të përbashkët stabiliteti dhe paqeje të arritur përmes ndërveprimit të ndershëm dhe vlerave të përbashkëta.

DW: A mendoni se në rajon ka vende ku ndikimi politik, ekonomik dhe ushtarak rus është rritur në mënyrë të qendrueshme vitet e fundit?

Gjeneral David H. Tabor: Siç e përmenda më parë, ne nuk jemi të fokusuar në qëllimet dhe interesat e shteteve të jashtme, por synojmë të përforcojmë forcën e aleatëve tanë të NATO-s dhe partnerëve të ngushtë që duan të përmirësojnë sigurinë e tyre si dhe stabilitetin rajonal. SOCEUR ka një pozicion unik, ka marrëdhënie të ngushta me shumë vende evropiane, gjë që na mundëson të bashkojmë vendet që ndajnë vlerat tona.

DW: Gjeneral Tabor, Ambasadorja Linda Thomas Greenfield, përfaqësuese e SHBA-së në Kombet e Bashkuara, në takimin e Këshillit të Sigurimit për Ukrainën tha muajin e kaluar, para agresionit rus ndaj Ukrainës se “Agresioni i Rusisë nuk kërcënon vetëm Ukrainën, por kërcënon edhe Evropën”. A do të jetë selia rajonale e SOCEUR në Shqipëri pjesë e përgjigjes ndaj këtij kërcënimi?

Gjeneral David H. Tabor: Jo, ky vendim ishte parashikuar shumë kohë përpara krizës aktuale të Rusisë në Ukrainë.

DW: Cili ka qenë deri tani roli i Shqipërisë në sigurinë evropiane?

Gjeneral David H. Tabor: Ne kemi mbajtur, prej shumë vitesh, ekipe që stërviten rregullisht me aleatët dhe partnerët tanë në Ballkan. Krijimi i këtij elementi shtabi përmirëson bashkëpunimin me aleatët dhe partnerët tanë në fushat e ardhshme dhe na përgatit më mirë për të përballuar sfidat e paparashikuara për sigurinë, ndërkohë që promovojmë stabilitetin. Në këtë kuptim, Shqipëria ka luajtur një rol të rëndësishëm në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit të Evropës. Jam shumë krenar për marrëdhënien tonë të ngushtë dhe kam respekt të jashtëzakonshëm për profesionalizmin, kompetencën dhe ekspertizën e ushtrisë shqiptare. Ne shërbyem përkrah Forcave Speciale Shqiptare si në Operacionin “Liria e Qendrueshme” ashtu edhe në Operacionin “Liria e Irakut”, siç bëmë me shumë nga aleatët tanë në Ballkan. Ne presim me padurim të vazhdojmë të ndërtojmë këto marrëdhënie dhe duke pasur selinë tonë në rajon, ajo do ta mbështesim zhvillimin e tyre.

DW: A do t’i japë Shqipërisë vendosja në territorin e saj të selisë qendrore të SOCEUR një rëndësi të re strategjike për sigurinë në Europë?

Gjeneral David H. Tabor: Vendosja e selisë qendrore në Shqipëri ofron mundësi unike për përmirësimin e trajnimit dhe koordinimit të Forcave Operacionale Speciale në të gjithë Ballkanin. Si e tillë, unë shoh mundësinë që Shqipëria të marrë një rol më të madh rajonal, për të mirëpritur trajnimin e Forcave Operacionale Speciale dhe t’u bërë përfundimisht një eksportuese sigurie kudo në Europë dhe botë.

DW: Shqipëria do të marrë pjesë për herë të parë në stërvitjen vjetore ushtarake “Trojan Footprint 2022”( Gjurma Trojane 2022) së bashku me tre vende të tjera. Cili është qëllimi i kësaj stërvitjeje dhe në cilat territore do të zhvillohet?

Gjeneral David H. Tabor: “Trojan Footprint” është stërvitja kryesore e forcave operacionale speciale në Evropë. Ndërkohë që trajnimi është jetik, edhe stërvitja kultivon besimin dhe zhvillon marrëdhënie të qëndrueshme që promovojnë paqen dhe stabilitetin në të gjithë Evropën. Ndërkohë që stërvitja fokusohet në përmirësimin e aftësisë për të përballuar kërcënime të panumëra, ajo rrit gjithashtu integrimin me forcat konvencionale dhe forcon ndërveprimin me aleatët tanë të NATO-s dhe partnerët europianë. Kam arritur të mësoj se sa më shumë të stërvitesh, aq më mirë do të jesh. Sa më shumë të punosh aq më të mira mira janë rezultatet e pritura.

DW: Pse marrin pjesë vetëm katër vende në stërvitjen “Trojan Footprint 2022”? Përveç Shqipërisë cilat janë tre vendet e tjera?

Gjeneral David H. Tabor: “Trojan Footprint” është më shumë se stërvitja juaj mesatare vjetore ushtarake. Është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe përfshin dhjetëra vende aleate dhe partnere (jo vetëm katër). Është ngjarja jonë kryesore certifikuese e Forcave Operacionale Speciale dhe pjesë e një procesi vlerësimi rigoroz, ku demonstrojmë aftësi, vlerësojmë gatishmërinë, rreziqet vdekjeprurëse për forcat tona përkatëse dhe vazhdojmë të përmirësojmë ndërveprueshmërinë. Përpjekjet kolektive të aleatëve dhe partnerëve tanë të NATO-s vetëm sa rrisin sigurinë dhe stabilitetin në teatrin evropian dhe ne presim me padurim të vazhdojmë përpjekjet tona së bashku këtë vit.

*Mantra: slogan

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>