Kryeministri i vendit, Albin Kurti të mërkurën ishte për vizitë në Gjermani, ku u takua me kancelarin Olaf Scholz. Ky i fundit, po dje takoi edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në përpjekje për të shtyrë para procesin e dialogut Kosovë-Serbi.
Pas takimit, kryeministri Kurti e kancelari Scholz mbajtën një konferencë për media ku në mesin e medieve ishte edhe RTK.
Zyra e kancelarit ka publikuar të plotë transkriptin zyrtar të kësaj konference.
Në pyetjen e mediumit publik kosovar se në fjalimin e tij, ku ai foli për një marrëveshje gjithëpërfshirëse në dialogun Kosovë-Serbi, a mendon se takimi mes Kurtit, Vuçiqit dhe Lajçakut do të kontribuonte në arritjen e kësaj marrëveshjeje dhe se çfarë roli specifik do të luajë Gjermania në këtë rast, pason edhe përgjigja e kancelarit Scholz.
“Faleminderit shumë për pyetjen dhe mundësinë për të hyrë më në thellësi rreth asaj që mendojmë. Unë jam shumë i etur të ndihmoj që vendet e Ballkanit Perëndimor, që nuk janë ende pjesë e Bashkimit Evropian të kenë mundësinë të bëhen shumë shpejt pjesë e bllokut”, ka thënë Scholz, sipas transkriptim zyrtar.
“Një parakusht thelbësor për këtë dhe gjithashtu për paqen në Ballkan është sigurisht mirëkuptimi ndërmjet Serbisë dhe Kosovës; e domosdoshme”.
Scholz citohet të jetë shprehur se: “Sigurisht, kjo do të funksionojë vetëm nëse do të ketë marrëveshje konkrete që dy vendet mund të arrijnë me njëra-tjetrën, duke mbuluar shumë detaje”.
“Por sigurisht që përfshin në fund edhe atë që Gjermania e ka bërë kohë më parë, përkatësisht njohjen e Kosovës”, citohet Scholz në transkriptin zyrtar të Kancelarisë Federale.
“Kjo është arsyeja pse ne jemi të lumtur t’i ndihmojmë këto biseda që të zhvillohen, dhe jemi gjithashtu të lumtur të ndihmojmë në krijimin e një kuadri që ato të ndodhin; sepse ne nuk jemi arbitra që gjykojmë më pas se kush ka të drejtë, por jemi dikush që duhet të bëjmë të mundur që lidershipi, që krerët e qeverive duhet të tregojnë të çojë në marrëveshje dhe pasoja praktike dhe për këtë bëhet fjalë. Kam përshtypjen se ka një vullnet të madh për të bërë përparim tani”.
Scholz ka thënë se kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme që, përveç vullnetit për të ofruar gjithmonë kornizën, për të folur me të gjithë dhe për t’i çuar gjërat përpara.
“ Njëra është ringjallja e Procesit të Berlinit, i cili ka dhënë një kontribut të madh në bashkëpunimin në Ballkan dhe të cilin ne dëshirojmë ta promovojmë. E dyta, natyrisht, është çështja e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, për të cilën kam folur tashmë”.
Ai tha se nga këndvështrimi i tij, kjo është diçka që të gjithë e dinë me siguri.
“Kjo është tani një perspektivë realiste. – Në funksion të kësaj, ia vlen të merren vendime dhe të arrihet mirëkuptimi”, citohet kancelari Scholz në transkriptin zyrtar, në përgjigjen e dhënë për RTK-në.
rtk