Presidenti rus Vladimir Putin, ngjalli të hënën kujtimin e heroizmit sovjetik në Luftën e Dytë Botërore, për të nxitur ushtrinë e tij drejt fitores në Ukrainë, por pranoi çmimin e luftës ndërsa u zotua të ndihmojë familjet e ushtarëve të rënë.
Duke iu drejtuar personelit ushtarak në Sheshin e Kuq në 77-vjetorin e fitores mbi Gjermaninë naziste, presidenti rus dënoi ato që ai i quajti kërcënime të jashtme për të dobësuar dhe përçarë Rusinë dhe përsëriti argumentet e njohura që ai kishte përdorur për të arsyetuar sulmin e Rusisë mbi Ukrainën, se NATO-ja po paraqiste kërcënim, pikërisht pranë kufijve të saj.
“Dhjetorin e kaluar, ne propozuam një traktat mbi garancitë e sigurisë. Rusia i bëri thirrje perëndimit që të angazhohet në dialog të drejtë, të kërkojë zgjidhje të arsyeshme kompromisi duke marrë parasysh interesat e njëri-tjetrit. Gjithçka ishte e kotë. Vendet e NATO-s nuk donin të na dëgjonin, në fakt ata kishin plane krejtësisht tjera. Dhe ne e pamë këtë”, tha ai, duke theksuar se “hapur po bëheshin përgatitje për një tjetër operacion ndëshkues në Donbas dhe një pushtim të tokave tona historike, përfshirë Krimenë”.
Ai akuzoi Kievin se po bëhej gati të blinte armë bërthamore, ndërsa NATO-n për një grumbullim ushtarak ngjitur me territoret ruse.
“Rusia iu kundërvu në mënyrë parandaluese agresionit. Ishte një vendim i detyrueshëm në kohë dhe i vetmi vendim i duhur. Vendimi i një vendi sovran, të fortë, të pavarur“, tha presidenti rus.
Ai iu drejtua ushtarëve që luftojnë në rajonin e Donbasit në Ukrainën lindore, të cilin Rusia është zotuar ta “çlirojë” nga kontrolli i Kievit.
“Ju po luftoni për atdheun, për të ardhmen e tij, që askush të mos harrojë mësimet e Luftës së Dytë Botërore. Që të mos ketë vend në botë për xhelatët dhe nazistët“, tha ai.
Fjalimi i tij përfshiu një minutë zie. “Vdekja e secilit prej ushtarëve dhe oficerëve tanë është pikëllimi ynë i përbashkët dhe një humbje e pakompensueshme për miqtë dhe të afërmit e tyre”, tha presidenti Putin, duke premtuar se shteti do të kujdeset për fëmijët dhe familjet e tyre.
Por fjalimi i tij 11-minutësh, në ditën e 75-të të agresionit mbi Ukrainën, ra në sy për ato që nuk i tha.
Ai nuk e përmendi Ukrainën me emër, nuk dha asnjë vlerësim rreth përparimit në luftë dhe nuk ofroi asnjë shenjë se sa kohë ajo mund të vazhdojë. Nuk përmendi betejën e përgjakshme për Mariupolin, ku mbrojtësit ukrainas të strehuar në rrënojat e fabrikës së çelikut Azovstal, ende po e sfidojnë sulmin e Rusisë.
Presidenti Putin e ka krahasuar vazhdimisht luftën, të cilën ai e cilëson si një betejë kundër nacionalistëve të rrezikshëm të frymëzuar nga “nazistët” në Ukrainë, me sfidën me të cilën u përball Bashkimi Sovjetik kur Adolf Hitleri e sulmoi atë në vitin 1941.
Zelenskyy: Së shpejti do të ketë dy Ditë Fitoreje në Ukrainë
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, ka thënë se është Rusia ajo që po kryen një “rikthim të përgjakshëm të nazizmit” në Ukrainë, ndërsa theksoi se së shpejti Ukraina do të kremtojë dy Ditë të Fitores.
“Nuk ka asnjë pushtues që mund të hedhë rrënjë në tokën tonë të lirë. Nuk ka asnjë pushtues që mund të sundojë mbi njerëzit tanë të lirë. Herët a vonë ne do të fitojmë,” tha ai, në një video mesazh të transmetuar të hënën.
“Ne po luftojmë për lirinë e fëmijëve tanë dhe për këtë arsye do të fitojmë”, tha presidenti Zelenskyy.
Ai paralajmëroi gjithashtu se përvjetori, i cili shënon fitoren e Bashkimit Sovjetik mbi Gjermaninë naziste në vitin 1945, mund të përshkohet me sulme të reja ndaj vendit të tij.
voa