Nga 1 korriku qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, të cilët do të vendosin në kulmet e tyre panele diellore për prodhimin e energjisë elektrike, Ministria e Ekonomisë do t’ua mbulojë shpenzimet deri në 30 për qind, por jo më shumë se një mijë euro.
Prodhimi i rrymës elektrike me ndryshimet në Rregulloren për burimet e rinovueshme të energjisë për një familje kufizohet në gjashtë kilovatë në orë. Ndërsa, tepricën e energjisë elektrike ata do të mund t`ia shesin kompanisë, e cila shpërndan rrymën, EVN HOME, ose kjo pjesë t’u zbritet nga llogaria gjatë muajve kur nuk do të mund të prodhojnë mjaftueshëm rrymë për nevojat familjare.
Në bazë të llogaritjes që kanë bërë ekspertët në lëmin e energjetikës, kostoja e vendosjes së paneleve diellore për një familje, përkatësisht prodhimi i rrymës prej gjashtë kilovatësh në orë, është rreth katër mijë euro – përkatësisht 700 deri në 800 euro për një kilovat orë – investim ky që në këto kushte të rritjes së çmimit të rrymës kthehet brenda tre vjetësh.
“Për prodhimin e gjashtë kilovatëve rrymë në orë, çmimi i pajisjeve mesatarisht është katër mijë euro, më shumë ose më pak, varësisht nga cilësia e instalimit të paneleve diellore nëse ato janë statike apo kanë sistem rotacioni në varësi të lëvizjes së diellit, më pas këtu kemi dhe kabllon që lidh panelet diellore me sistemin e furnizimit etj”, thotë Gjorgji Manaskov, kryetar i Odës Ekonomike për Energjetikë.
Ai thekson se në kushte të krizës energjetike vendosja e paneleve diellore nga ana e amvisërive në masë të konsiderueshme do ta ulë varësinë nga tregu i jashtëm energjetik. Sipas tij, ky investim, qytetarëve do t’u kthehet brenda pak vjetësh për faktin që Maqedonia e Veriut si shtet në shumë pjesë të territorit saj ka shumë ditë me diell brenda vitit.
Por, qytetarët thonë se nga kjo masë më së shumti do të përfitojnë familjet me më shumë të ardhura pasi katër mijë euro janë të papërballueshme për një familje, e cila nuk arrin të sigurojë as pagë mesatare prej 500 eurosh.
“Nëse nuk i hap mirë sytë për çdo qindarkë ikën paratë për bukë e jo më për investime për panele diellore. Nuk mund të ndaj para për panele diellore kur unë mezi siguroj gjërat elementare për ushqim për familjen time pesë anëtarëshe. Panele do të vendosin vetëm të pasurit, madje do të marrin edhe para nga shteti, neve të varfërve na mbetet që gjatë dimrit të qëndrojmë nën batanije, s`kemi çka bëjmë”, thotë Jovan Dimitrievski.
Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, ka nënvizuar se ka interesim të madh nga ana e amvisërive për vendosjen e paneleve diellore dhe shfrytëzimin e mjeteve shtesë nga shteti për instalimin e tyre.
“Me rregulloren e re mundësohet prodhimi i 6 kilovatëve, kështu që nëse një amvisëri përdor vetëm 2 kilovatë, energjia e tepërt prej 4 kilovatësh mund t’i kalojë EVN-së, e cila është furnizues universal. Kështu, amvisëritë mund të shkëmbejnë dhe më pas energjia elektrike e prodhuar të kompensohet apo tarifohet”, ka sqaruar Bekteshi.
Trajan Angelloski, kryetar i Lidhjes së Odave Ekonomike thotë se Maqedonia e Veriut ka mbetur shumë vonë sa i përket shfrytëzimit të burimeve të Ripërtërishme edhe pse ka shumë interes nga ana e kompanive për vendosjen e paneleve diellore për të ulur koston e shpenzimeve.
“Ne jemi 20 vjet vonë për sa i përket shfrytëzimit të energjisë diellore. Dhe, akoma s’arrijmë të zëmë hapin edhe në këtë situatë të krizës si pasojë e proceduarve burokratike në mbledhjen e dokumentacionit për të marrë leje për vendosjen e fotovoltaikëve, pasi në vende të caktuara kompanive u bëhen obstruksione”, thotë Angelloski.
rel