Protesta e qytetarëve që kundërshtojnë nënshkrimin e marrëveshjes bazë me Kishën Ortodokse Serbe u mbajte edhe të enjten mbrëma para ndërtesës së qeverisë së Malit të Zi në Podgoricë.
Protestuesit thanë se nënshkrimi i propozim-marrëveshjes bazë me Kishën Ortodokse Serbe nuk është zgjidhje e problemeve, por thellim i tyre.
Aktivisti për të drejtat e njeriut Aleksandar Zekoviq, vuri në dukje se janë “mbledhur sërish para qeverisë për t’u thënë atyre që marrin vendime se mbi 80 për qind e qytetarëve të këtij vendi janë për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe se kjo duhet të përdoret si udhërrëfyesi potencial për të forcuar kohezionin social dhe mirëkuptim më të mirë”, tha Zekoviq.
“ Çdo agjendë e fshehtë në vend të agjendës së Brukselit është e papranueshme, e dëmshme, katastrofike. Synimi është që një pjesë serioze e historisë kombëtare dhe e trashëgimisë kulturore, që i përket krenarisë së të gjithëve, dikujt jashtë këtij vendi dëshiron ta shpërdorojë edhe më tej për dominim politik, ideologjik dhe kulturor mbi të tjerët, “ tha Zekoviq.
Zekoviq shtoi se kontrata e propozuar ndërmjet qeverisë dhe Kishës Ortodokse Serbe nuk është zgjidhje e problemeve në Mal të Zi.
“Ne po themi se nënshkrimi i një kontrate të tillë nuk është zgjidhje e problemeve, por përkundrazi thellim i tyre”, tha Zekoviq.
Me qindra protestuese brohorisnin parulla për tradhti dhe mbanin pankarta që shkruanin, ndër të tjera, “Traktat themelor – tradhti themelore”.
Siç është paralajmëruar, qytetarët do të kalojnë tërë natën para ndërtesës së qeverisë deri në ditën e premte kur qeveria malazeze paralajmëroi nënshkrimin e marrëveshjes me Kishën Ortodokse Serbe.
Kryeministri Dritan Abazoviq ka paralajmëruar se të premten do të nënshkruajë Marrëveshjen bazë me Kishën Ortodokse Serbe.
Ky fakt ka shkaktuar polemika të shumta nëse kryeministri Abazoviq, si shqiptar etnik, duhet të nënshkruajë marrëveshjen bazë, për të cilën nuk ka konsensus në vend, veçanërisht në mesin e partive që mbështesin qeverinë e pakicës.
Gjatë vizitës së tij zyrtare në Beograd më 30 qershor, kryeministri Abazoviq njoftoi se së shpejti do të nënshkruhet Marrëveshja Themelore, e cila duhet të rregullojë marrëdhëniet ndërmjet shtetit të Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe.
Pas publikimit të versionit të dakorduar të punës të marrëveshjes bazë, më shumë se 3000 qytetarë nënshkruan një peticion, duke kundërshtuar fuqishëm synimin e qeverisë së Malit të Zi për të nënshkruar marrëveshjen bazë të dakorduar me Kishën Ortodokse Serbe.
voa