Shkup: Kuvendi miraton propozimin francez hapet rruga për negocitat me BE

Ursula ShkupKuvendi i Maqedonisë së Veriut miraton propozimin francez duke i hapur kështu rrugën fillimit të bisedimeve për antarësimin me BE-në.

 

Me 68 vota pro dhe asnjë kundër dhe pa pjesmarrjen e VMRO-DPMNE-së në sallë u miratuan konkluzionet mbi propozimin lidhur me kornizën negociuese për procesin e bisedimeve të antarësimit me BE-në. Kompromi si zgjidhje për zhbllokimin e vetos së Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut u propozua nga ana e Presidencës së Francës me Këshillin e BE-së më 30 qershor 2022. Deputetët e mazhorancës miratimin e konkluzioneve e përcollën me duartrokitje.

Votimi vjen pasi në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut për tri ditë u debatua për këtë propozim. Debati u përcoll me kundërshtime e madje edhe me tentime për përplasje fizike. Gjatë gjithë debatit, deputetët e partisë opozitare, VMRO-DPMNE, përmes fishkëllimeve me bori i penguan deputetët e partive në pushtet që të mbajnë fjalimet e tyre. Deputetët e VMRO-DPMNE-së vazhdojnë me akuzat ndaj qeverisë për “tradhëti kombëtare”, pasi, sipas tyre, “propozimi francez rrënon gjuhën dhe identitetin kombëtare maqedonas”. Deputetët e opozitës nuk janë bindur as nga deklarata e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila të enjten (14.07) në fjalimin para deputetëve tha, se propozimi garanton gjuhën maqedonase dhe se askush nuk duhet të jetë i shqetësuar për identitetin e tij.

Konkluzionet e miratuara kanë të bëjnë me garancitë për gjuhën dhe identitetin maqedonas. “Kuvendi e detyron qeverinë që përmes delegacioneve në bisedime, t’i përmbahet përcaktimit për respektimin pa kushte të gjuhës, identitetit dhe kulturës së popullit maqedonas, si elemente për të cilat nuk negociohet me BE-në. Në kornizën e bisedimeve gjuha maqedonase të jetë pa sqarime, pa shtesa dhe pa fusnotë”, thuhet në propozim-konkluzionet që u prezantuan nga Grupi Parlamentar i LSDM-së.

Propozimi francez parashikon kapërcimin e mosmarrëveshjeve mes Shkupit dhe Sofjes lidhur me gjuhën maqedonase, identitetin dhe të kaluarën historike, ndërkohë që pala bullgare kërkon nga pala maqedonase që të përfshijë edhe pakicën bullgare në preambulën e kushtetutës, si të barabartë me popujt e tjerë.

dw

 

Hapet rruga e bisedimeve për Shqipërinë, Rama: Mori fund pengmarrja absurde

 

Vendimi i parlamentit maqedonas, sjell automatikisht zhbllokimin e nisjes zyrtare të bisedimeve për anëtarësim edhe me Shqipërinë. Kryeministri Edi Rama reagoi menjëherë duke u shprehur në një status në Facebook se “pengmarrja absurde e Shqipërisë ka marë fund”. Zoti Rama vuri në dukje se fati i bisedimeve të vendit të tij kishte qenë “për tre vite të tëra tëra top futbolli nëpër fushat e interesave të politikës së brendshme të vendeve anëtare”, duke fajësuar njëkohësisht dhe faktorët politikë vendas, të cilët sipas tij “nuk i lanw dy gurë bashkë, për ta bllokuar Shqipërinë për llogari të interesave mizerabël të politikës së tyre pa fe, pa atdhe, pa din e as iman”.

Kryeministri bëri të ditur se delegacioni shqiptar do të niset që të hënën për në Bruksel, ku të nesërmen pritet organizimi i Konferencës së parë ndërqeveritare. Zoti Rama theksoi se “ky nuk është fundi i rrugës sonë, por vetëm fillimi i një pjese të re të rrugës për Shqipërinë që duam”.

Për presidentin Ilir Meta, nisja e bisedimeve për anëtarësim “duhet të kthjellojë mirë çdo vendimmarës për përgjegjësitë që ka në ndjekjen e politikave që Shqipërinë e bëjnë më europiane, më demokratike dhe më shpresëdhënëse”.

Ndërsa sipas ish kryeministrit Sali Berisha, i cili drejton Partinë Demokratike, nisja zyrtare e bisedimeve lidhet me “dëshirën fisnike të BE dhe vendeve anëtare për të garantuar perspektivën europiane të vendeve të Ballkanit Perendimor, pavarësisht se, siç sanksionon rezoluta e Parlamentit Europian, Shqipëria ka probleme të mëdha me standardet, kushtet dhe kriteret e BE-së”, nënvizoi zoti Berisha në një deklaratë.

voa

 

 

SHBA, BE përshëndesin vendimin e parlamentit të Maqedonisë së Veriut që i hap rrugën negociatave me BE-në

 

Shtetet e Bashkuara përshëndetën të shtunën vendimin e parlamentit të Maqedonisë së Veriut për të miratuar “propozimin francez”, që i hap rrugën hapave të mëtejshëm në procesin e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian.

Ne i kuptojmë kompromiset e vështira që përmban ky vendim, i cili njeh dhe respekton identitetin kulturor të Maqedonisë së Veriut dhe gjuhën maqedonase”, shprehet në një deklaratë Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Ai shton se vendimi vjen në një moment kritik për Maqedoninë e Veriut, Ballkanin Perëndimor dhe Evropën.

Zoti Blinken shkruante në Twitter se Shtetet e Bashkuara mbështesin Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në rrugën e tyre në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Një Bashkim Evropian që përfshin të gjithë Ballkanin Perëndimor, përfshirë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, do të jetë më i fortë dhe më i begatë”, shprehet ai në deklaratën për shtyp, duke shtuar se tani është koha për të vazhuar punën për hapat e ardhshëm.

Vendimi i Maqedonisë së Veriut u përshëndet edhe nga Bashkimi Evropian.

“Urime Maqedonisë së Veriut për votimin që tani hap rrugën për hapjen e shpejtë të negociatave të anëtarësimit. Ishte një mundësi historike. Dhe ju e shfrytëzuat atë. Një hap i madh në rrugën tuaj drejt një të ardhmeje evropiane. E ardhmja juaj”, shkruante në Twitter Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Ndërsa presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel tha se votimi “i hap rrugën mbajtjes së konferencës ndërqeveritare javën e ardhshme”.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz tha se e mirëpret “votimin e parlamentit maqedonas që u hap rrugën konferencave të para për anëtarësim në Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”.

“Ne duam që ju të jeni anëtarë të Bashkimit Evropian dhe do të jemi krah jush deri në fund”, shprehet Kancelari gjerman.

Një shumicë prej 68 anëtarësh në parlamentin me 120 vende votoi në favor të propozimit që kishte si synim zgjidhjen e mosmarrëveshjes me Bullgarinë që po pengonte ecjen përpara në procesin e anëtarësimit të vendit në BE.

Opozita ishte kundër dhe u larguan nga salla pa votuar.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>