VMRO-DPMNE në opozitë do të nisë procedurën për mbledhjen e nënshkrimeve për referendum në Maqedoninë e Veriut. Për opozitën marrëveshja me Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë është baza e problemeve të vendit.
Sipas VMRO-DPMNE-së, nënshkrimi i marrëveshjes me Bullgarinë është fillimi i të gjitha problemeve për Maqedoninë e Veriut dhe baza, mbi të cilën Bullgaria mbështet kërkesat e saj. Kryetari i partisë opozitare, VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski është shprehur në lidhje me referendumin, se pyetja do t’i referohet Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, të cilën Zaev e nënshkroi me Borisovin. “Pyetja e referendumit do të jetë e thjeshtë: A jeni për braktisjen e vlefshmërisë së marrëveshjes për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë? Pyetja e referendumit është miratuar njëzërit nga partia “, ka deklaruar Hristijan Mickovski. Ai shpreson që javën e ardhshme të mbledhë të paktën 100 nënshkrime të kualifikuara, pas së cilës një iniciativë e tillë do të dorëzohet në Kuvend.
“Unë dhe deputetët e VMRO-DPMNE-së do të jemi të parët që do ta nënshkruajmë këtë iniciativë, ndaj presim që Kuvendi ta legjitimojë dhe miratojë në një periudhë të shkurtër kohore ku dhe do të fillojë referendumi i detyrueshëm, e përsërisim referendumin obligativ”, ka thënë Mickovski. Sipas tij, VMRO-DPMNE pa dyshim e përkrah integrimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian, por nuk e përkrah asimilimin, ndryshimin e fakteve historike, refuzimin e dallimeve gjuhësore dhe diskriminimin identitar.
LSDM : Referendumi kundër BE-së nuk do të ketë sukses
Nisma për referendum është vendim personal i Hristijan Mickoskit për shpëtimin e kolltukut të tij në VMRO-DPMNE, thonë nga LSDM-ja në reagimin ndaj paralajmërimit të VMRO-DPNE, që do të grumbullojë nënshkrime për shpalljen e referendimit të obligueshëm për Marrëveshjen e Fqinjësisë së mirë me Bullgarinë.
“Referendumi kundër BE-së, kundër gjuhës maqedonase në Union, nuk ka mbështetje nga qytetarët dhe nuk do të ketë sukses. Një iniciativë kundër BE-së nuk ka mbështetje as nga partitë opozitare, dhe ka qëndrime të ndara në vetë VMRO-DPMNE, ku po forcohet krahu pro-evropian, i cili nuk mendon njësoj si Mickoski”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
Kovaçevski: Nga ne varet se sa shpejt do të anëtarësohemi në BE
Duke komentuar kritikat e opozitës, por edhe të opinionit publik për marrëveshjen me Bullgarinë, kryeministri i RMV-së, Dimitar Kovaçevski ka thënë se Maqedonia e Veriut nuk ka alternativë tjetër përveç BE-së, ku sipas tij, do të garantohen të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me gjuhën, identitetin dhe historinë. “Çdo anulim apo bllokim i vendimeve në Kuvend që i referohen integrimit evropian nënkupton ngecjen e shtetit drejt anëtarësimit të plotë në BE. Tani varet nga ne, nga të gjitha partitë politike, nga të gjithë deputetët në Kuvend se sa shpejt do ta përfundojmë procesin e negociatave dhe anëtarësimit në BE”, vlerëson kryeministri Dimitar Kovaçevski.
Ai kujtoi se Maqedonia e Veriut ka filluar negociatat me BE-në dhe se qeveria ka marrë vendim për formimin e strukturës së negociatave. “Tashmë kemi një kryenegociator, kemi një strukturë të plotë dhe deri më 15 shtator kemi fillimin e procesit të “skriningut”, i cili është një pjesë jashtëzakonisht e rëndësishme e negociatave, sepse përmes tij, detyrimet që ka një vend në negociatat me Unionin janë të definuara”, thotë Kovaçevski, duke theksuar se vendi pritet të përfundojë këtë proces deri në vitin 2030.
dw