I dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha të enjten në Prishtinë se është duke punuar që të nxis përparim në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve ndërsa shpreson për një takim të shpejtë në nivelin e lartë politikë.
Zoti Lajçak i bëri këto komente gjatë një vizite të paparalajmëruar në Prishtinë ku u takua me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
“Kjo është edhe një nga arsyet përse jam këtu sepse ne duam të sigurohemi që takimi do të jetë përmbajtjesor dhe do të prodhojë rezultat. E rëndësishme është që të dy udhëheqësit janë të gatshëm të takohen, Bashkimi Evropian është gati të ndërmjetësojë, por ne jemi duke përgatitur agjendën. Kjo nuk do të marrë edhe 13 muaj. Nuk jam i sigurt nëse takimi do të ndodhë brenda shtatorit meqë kemi edhe Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara”, tha ai.
Zoti Lajçak tha se shpreson që me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç të takohen javën e ardhshme në Nju Jork gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Qeveria e Kosovës citoi në një komunikatë kryeministrin Kurti të ketë thënë se “Kosova ka treguar vullnetin dhe gatishmërinë e saj për t’u angazhuar në një dialog parimor dhe se qëllimi i dialogut nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme me njohjen e ndërsjellë në qendër”.
Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç tha të martën gjatë një debati në parlamentin serb lidhur me procesin e bisedimeve se Serbia në asnjë mënyrë nuk do ta njoh pavarësinë e Kosovës siç tha të shpallur në mënyrë të njëanshme.
Tensionet e fundit rreth dokumenteve të identifikimit dhe targave të makinave kanë nxitur një reagim më të ngjeshur diplomatik dhe thirrje për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.
Me 27 gusht Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për lëvizjen e lirë të qytetarëve, pas tensioneve që pasuan vendimin e qeverisë qendrore në Prishtinë që dokumentet e identifikimit dhe targat e makinave të lëshuara nga Serbia, të mos vlejnë në territorin e Kosovës. Një masë e tillë është zbatuar nga Beogradi për qytetarët e Kosovës që udhëtojnë nëpër Serbi gjatë 11 viteve të fundit.
Me një shtator ka filluar të rrjedh afati dy muajsh për konvertimin e targave të makinave për qytetarët serbë që përdorin targa të lëshuara nga Serbia. Me vendimin e qeverisë përdoruesit e këtyre targave duhet t’i kthejnë në ato të Republikës së Kosovës RKS, por kjo kundërshtohet nga Beogradi.
Bashkimi Evropian shpreson që palët do të arrijnë një pajtim rreth targave të makinave sipas marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet në Bruksel, të cilat synojnë të sigurojnë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve, që është kusht për integrimet evropiane të të dyja vendeve.
Kosova shpalli pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008 më mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe shumicës se vendeve perëndimore, por kundërshtohet nga Serbia e mbështetur nga Moska dhe Pekini.
voa