Gjermania, Franca e Polonia, kërkesë për marrëveshje Kosovë-Serbi

hartaNë një deklaratë të përbashkët të publikuar nga tri shtetet e Bashkimit Evropian, Franca,Gjermania e Polonia, kërkohet që bisedimet Kosovë-Serbi, të përfundojnë me marrëveshje gjithëpërfshirëse. Këto tri shtete që përbëjnë edhe të ashtuquajturin “Trekëndëshi i Weimarit”, nxorën sot këtë deklaratë, në të cilën përfshijnë edhe çështje të tjera në Evropë. Sa i përket Kosovës në mënyrë të drejtpërdrejtë kërkohet “progres në liberalizimin e vizave”.

Pjesa e parë e deklaratës fillon me dënimin e  agresionit rus mbi Ukrainë dhe mbështetjen që këto vende  i japin kësaj të fundit, në aspektin politik ushtarak e financiar.

Në pjesën e dytë të kësaj deklarate, rikonfirmohet angazhimi i tyre i plotë dhe i qartë ndaj perspektivës së anëtarësimit në BE, për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Franca, Gjermania dhe Polonia mirëpresin përparimin e arritur në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut”, shkruan në deklaratë.

“Ne jemi të gatshëm të mbështesim proceset e reformave në rajon, ku përparimi, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit, si dhe në pajtimin dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të pazgjidhura dypalëshe dhe rajonale, është i një rëndësie të veçantë”.

Në deklaratë, Gjermania, Franca e Polonia shprehin shqetësim për krizën politike në Bosnje dhe Hercegovinë dhe u bëjnë thirrje të gjitha palëve që të sigurojnë zgjedhje të drejta dhe të lira më 2 tetor 2022.

Më pas, në deklaratë,pason qëndrimi i këtyre shteteve për Kosovën.

“Ne mbështesim plotësisht dialogun Kosovë-Serbi të udhëhequr nga BE-ja dhe theksojmë nevojën për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që i mundëson Kosovës dhe Serbisë, të përparojnë në rrugët e tyre evropiane dhe të kontribuojnë në stabilitetin në rajon”, shkruan në këtë deklaratë.

“Ne bëjmë thirrje për progres në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën”, shkruan më tej.

“Vendet tona janë të përkushtuara fuqishëm ndaj ‘Procesit të Berlinit’ si një mjet shtesë për të nxitur bashkëpunimin rajonal dhe anëtarësimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor”.

“Ne theksojmë rëndësinë e zbatimit të vendimit historik nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor për të krijuar një treg të përbashkët rajonal”.

Në deklaratë rikonfirmohet angazhimi i këtyre tri vendeve ndaj Ballkanit Perëndimor.

“Duke pasur parasysh rëndësinë që i kushtojmë rajonit dhe si shenjë e mbështetjes sonë të përbashkët, ne kemi rënë dakord për një vizitë trepalëshe në këtë rajon dhe avokojmë për forcimin e mëtejshëm të lidhjeve midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”.

Franca, Gjermania dhe Polonia ndajnë pikëpamjen se nxitja e një zone më të gjerë stabiliteti dhe prosperiteti ekonomik dhe forcimi i qëndrueshmërisë në Evropë është në interesin thelbësor të BE-së.

“Kështu, ne mirëpresim objektivin për të nxitur dialogun politik dhe bashkëpunimin përmes një Komuniteti Politik Evropian që vepron si një platformë më e gjerë për të adresuar çështjet me interes të përbashkët për vendet evropiane në të gjithë kontinentin, siç u diskutua në Këshillin Evropian të 23 qershorit 2022”.

Më tej në deklaratë shkruan se ministrat për Çështjet Evropiane të Francës, Gjermanisë dhe Polonisë, aspirojnë që “Trekëndëshi i Vajmarit”, i themeluar si një mjet për forcimin e lidhjeve midis njerëzve dhe vendeve tona në të gjitha aspektet e jetës, si dhe promovimin e strukturave të përbashkëta të qëndrueshme në Evropë, të jetë një shtysë dhe forcë në zhvillimin e përgjigjeve ndaj sfidave me të cilat sot përballet Evropa brenda dhe jashtë kufijve të saj.

“Trekëndëshi i Weinmarit” përbëhet nga Gjermania, Polonia e Franca dhe funksionon në formë samiti, që promovon  bashkëpunimin e tyre në zona të krizës.

Në kuadër të këtij organizimi, takohen liderët e vendeve si presidentët me kancelarët ose ministrat e Punëve të Jashtme.

Samiti i fundit i këtij organizimi është mbajtur në Berlin me 8 shkurt 2022, e më parë në Varshavë në vitin 2011, kurse në vitin 1998 në Poznan të Polonisë.

“Trekëndëshi i Weinmarit” është themeluar në qytetin gjerman Weinmar në vitin 1991 me qëllimin për t’i ndihmuar Polonisë pas daljes nga komunizmi.

rtk

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>