Pajisjet mikro-elektronike të prodhuara nga kompanitë në Shtetet e Bashkuara dhe vendet e saj aleate, janë elementët thelbësorë të sistemeve të armëve ruse, që po përdoren në sulmin ndaj Ukrainës, sipas një hetimi nga Instituti Mbretëror i Shërbimeve në Britani. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell njofton nga Tokio, një nga qendrat kryesore në botë të prodhimit të pajisjeve mikroelektronike.
Ukraina thotë se, në pesë muajt e parë të luftës, Rusia ka goditur territorin e saj me më shumë se 3650 raketa, një pjesë e tyre të pajisura me sisteme telekomandimi. Shumica e këtyre armëve përdorin komponentë mikroelektronikë të prodhuara nga perëndim, thotë njëri nga autorët e studimit të Institutit Mbretëror të Shërbimeve në Britani, i cili i kërkoi Zërit të Amerikës të mos shfaqë fytyrën e tij për arsye sigurie.
“Nuk duket se ata në të vërtetë kanë aftësinë për të riprodhuar, të paktën me të njëjtin nivel sofistikimi dhe në të njëjtën shkallë, këto pajisje mikroelektronike me rëndësi kritike. Këto janë absolutisht thelbësore, sidomos për armët e telekomanduara me saktësi të lartë”, thotë Gary Somerville nga Instituti Mbretëror i Shërbimeve në Britani.
Kjo përfshin raketën “Iskander 9M727” të Rusisë, një nga armët e saj më të avancuara. Studiuesit e Institutit Mbretëror të Shërbimeve në Britani kanë arritur të inspektojnë pjesët mikroelektronike të raketave të marra në terren brenda Ukrainës.
Ata gjetën disa pjesë me origjinë nga vendet perëndimore, duke përfshirë mikroprocesorët që përpunojnë sinjalet dixhitale, njësitë RAM të përpunimit të të dhënave komplekse dhe kabllot e internetit të prodhuara nga kompanitë amerikane, holandeze dhe gjermane.
Raketat ruse Kh-101, disa prej të cilave u përdorën nga ushtria ruse për të goditur kryeqytetin ukrainas, Kievin, përmbajnë 31 pjesë të ndryshme me orgjinë nga vende të tjera.
“Ato janë të zakonshme dhe mund të gjenden me lehtësi. Ato mund të gjenden në çdo lloj pajisje elektronike, si mikrovalët dhe pjatalarëset”, thotë zoti Somerville.
Kjo teknologji mikroelektronike ishte në dispozicion të Rusisë para fillimit të sulmit në Ukrainë. Megjithatë, Instituti Mbretëror i Shërbimeve në Britani identifikoi gjithashtu të paktën tetëdhjetë e një komponentë të klasifikuar si “me përdorim të dyfishtë” dhe që i nënshtrohen kontrolleve të eksportit në Shtetet e Bashkuara.
Ato përfshijnë mikroprocesorët e sofistikuar që gjenden brenda një sistemi navigimi portativ, i përdorur nga forcat speciale të Rusisë për të identifikuar koordinatat e sakta për sulmet me artileri dhe ato me avionë.
Japonia është furnizuesi i dytë më i madh i këtyre pajisjeve pas Shteteve të Bashkuara. Shumë nga pajisjet mikroelektronike, të gjetura në armë ruse ishin disa dekada të vjetra, dhe pas fillimit të sulmit rus ndaj Ukrainës në shkurt, shumë shtete ndaluan eksportin e tyre në Rusi.
Moska ka përdorur prej kohësh metoda të përpunuara për të siguruar këtë teknologji, thotë zoti Somerville.
“Kjo bëhet nëpërmjet përdorimit të një numri të kompanive që në shikim të parë duken legjitime. Por në realitet, ato në njëfarë mënyre janë të lidhura me kompani të mëdha ruse që në të vërtetë janë pjesë e kompleksit industrial ushtarak”, thotë ai.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre kanë vendosur sanksione ndaj kompanive ruse të prodhimit të armëve dhe atyre që i furnizojnë ato me këto pjesë mikroelektronike. Sanksionet ndaj tyre duhet të ashpërsohen, thotë zoti Somerville.
“Sanksionet dhe zbatimi efektiv i tyre mund të rrisin koston e Rusisë për të blerë këto pajisje mikroelektronike”, thotë ai.
Autorët e raportit thonë se Rusia tani po përpiqet të blejë pajisje mikroelektronike me shumicë dhe ushtria e saj mund të dobësohet nëse ndërpritet furnizimi me këto artikuj.
voa