“FARSA E KËRKIMIT SHKENCOR” – Diplomat pavlerë që prodhojnë universitetet – Inside Story

UTose ndiqni videon në: https://www.youtube.com/watch?v=fq_btRkYxOk

Shqipëria prodhon çdo vit qindra profesorë e doktorë, por paradoksalisht nuk ka institucione të kërkimit shkencor.

Po Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup!!!???

Po Universiteti i Tetovës !!!???

 

Shumica e rektorëve dhe dekanëve që drejtojnë prej dekadash arsimin e lartë thuajse nuk kanë publikime shkencore. Pas 9 vitesh bllokim, universitetet lëshuan dorën dhe firmosën mijëra doktoratura. Shqipëria ka 7.5 herë më shumë shkolla të larta për milion banorë sesa Britania e madhe që strehon disa nga universitetet më të mira në botë. Horizon 2020, një program i kërkimit shkencor që mbështetet nga BE, Shqipëria e pagoi më shumë lekë për taksën e anëtarësimit se sa projektet e përfituara.

 

Universitetet mbahen peng prej 30 vitesh, drejtuesit mbajnë nën tutelë edhe ata që i kundërvihen

 

“Ne kemi në institucionet e arsimit të lartë individë që drejtojnë prej 30 vitesh, sa e lehtë është për të që konsumon një pushtet kaq të madh për të prodhuar një pedagog të ri, që nuk do të mundet të ngrejë zërin mbi të” u shpreh Migen Qiraxhi, Qëndresa Qytetare.

 

Drejtimi nga e njëjta dorë prej dekadash, konsiderohet nga njohësit e kësaj fushe si ngërçi më i madh që nuk i lë universitete shqiptare të ecin përpara.

Duke i akuzuar se trashëgojnë reminishenca nga sistemi monist, ata argumentojnë se me të njëjtën frymë po mbajnë nën tutelë universitete dhe kërkimin shkencor.

Zgjidhja duket e vështirë sa kohë që shteti e trajton arsimin si një armë të fortë për të shpërblyer mbështetësit e saj.

 

Adnand Kastrati, kirurgu shqiptar në Gjermani që studiuesit i janë referuar 76 mijë herë

 

Universiteti i Tiranës ka vetëm 1270 publikime, dhe faktorin e impaktit e ka 43, referuar të dhënave të Web of science që nga viti 1990 kur ky site ka nisur fuksionimin.

Ky është një numër krejt minimal punimesh, duke marrë në konsideratë se pranë këtij institucione janë të punësuar një armatë e madhe profesorësh dhe deri në vitin 2013, pjesë e Universitetit të Tiranës ishte edhe fakulteti i Mjekësisë.

Për të kuptuar nivelin e dobët dhe inekzistencën e studimit shkencor në universitetet shqiptare, mjafton të bëjmë krahasim me një profesor të vetëm: kirurgun e njohur shqiptar që është zhvendosur në Gjermani, Adnan Kastrati.

I diplomuar dhe specializuar në Shqipëri për kardiologji, Kastrati mbajti postin e shefit të shërbimit në QSUT më më 1993, ndërsa aktualisht është ndër figurat më prestigjoze të kardiokirurgjisë në Gjermani.

Adnand Kastrati, vetëm si individ rezulton të ketë mbi 800 publikime më një faktor impakti 113. Ndërsa sipas Scopus ai e ka faktorin e impaktit 128 duke u cituar rreth 76 mijë herë.

Pra një autor i vetëm, vlen më shumë se sa i gjithë universiteti i Tiranës, që diplomon çdo vit mijëra të rinj shqiptarë.

“Për sa kohë që shteti nuk ka vizion për mënyrën se si do të orientohet kërkimi shkencor do të jemi në të njëjtën parodi që prej 30 vitesh, japim tituj akademikë të pavlerë, shpenzojmë taksat për produkte që nuk sjellin asgjë të re në kontekstin ekonomik, social apo kulturor” u shpreh studiuesi Taulant Muka.

 

 

Doktoraturat në lockdown, universitet dhanë mijëra çdo vit

 

Të dhënat tregojnë se asnjë prej problemeve nuk është adresuar. Një prej tyre ishte masivizimi, jashtë çdo lloj llogjike dhe nevoje që ka vendi. Të mbërthyer pas masivitetit, cilësisë së dobët, mungesës së transparencës qeveria e pa të arsyeshme në vitin 2013 të bënte një lockdown, pra të mbyllte doktoraturat.

Por duket se asgjë nuk është mësuar. Rasti tipik është fakulteti ekonomik, që në një ceremoni të bujshme njoftoi çeljen e 119 doktoraturave, ndërkohë që universitete më prestigjoze në botë nuk hapin më shumë se 30 doktoratura në vit.

Për të kuptuar se sa i deformuar ishte sistemi i doktoraturave, “Inside Story” hulumtoi në shifrat e dipolomave të lëshuara çdo vit.

Të dhënat treguan se edhe 7 vite pas mbylljes së këtij procesi kishte universitete shqiptare që jepnin qindra tituj në vit.

Të dhënat tregojnë se INSTAT harkun kohor 2016-2021 janë lëshuar mbi 8500 doktoratura. në këtë shifër nuk janë përfshirë doktoraturat e dhëna në sistemin privat.

Universiteti i Tiranës, i cili jep edhe numrin më të lartë të doktoraturave, vetëm për vitin ka doktoruar rreth 1000 kanditë çdo vit.

Pavarësisht nga kushtet që ofrojnë, 10 nga 12 universitete publike ofrojnë edhe ciklin e tretë të studimeve.

Por ky inflacioni i madh në shpërndarjen e doktoraturave, ka prodhuar doktorë shkencash të papunë në një numër të lartë.

“Në vitin 2019, nga INSTAT tregohet se 340 doktorant ishin regjistruar si të papunë, është një fenomen i çuditshëm kur ke këtë nivel të lartë arsimi, por kjo vjen si pasojë e deformit dhe masivizimit të këtij sistemi” u shpreh Migen Qiraxhi, Qëndresa Qytetare

Por ekspertët janë skeptikë për rrugën në të cilën iu duhet të ecin edhe doktorantët rinj.

“Ajo që është dramtike është se pasi e kemi stopuar një proces për ta shëruar e kemi vendos në anestezi , dhe në krye të 9 viteve, pasi nuk i kemi bërë asgjë, është e tepërt të pretendojmë se do të prodhojë doktorantë dhe shkencë kualtitaive që do ti vijë në ndihmë qytetarëve të këtij vendi” u shpreh Migen Qirxhi, Qëndresa Qytetare

Por të tjerë ekspertë mendojnë se nuk ka asgjë të keqe në masivizimin e doktoraturave. Madje bojkoti i këtij procesi, u hoqi mundësinë për të avancuar në studimet e mëtejshme një armate të madhe të interesuarish.

 

 

Shqipëria e fundit në rajon edhe për kërkimin shkencor, paguan më shumë lekë për pjesëmarrje sesa projektet e fituara

 

Shqipëria është më dobët se vendet e rajonit në kërkimin shkencor. Kjo konstatohet lehtësisht, mjafton të shohim se sa fonde arrin të thithin universitetet shqiptare nga fondet e BE-së.

Referuar censusit për shkencën të përgatitur nga ministria e arsimit, niveli i suksesit të projekteve të universiteteve shqiptare apo organizmat e tjerë për periudhën 2007-2013 të paraqitur në programin e BE-së FP7 është vetëm 14.4%, me një fond total të përfituar prej 2.36 mln euro.

Që prej vitit 2014, Shqipëria aplikon në programin e shkencës dhe inovacionit “Horizon 2020” që mbështetet nga BE me rreth 80 mln euro.

Gjatë viteve 2014-2016, universitetet, institutet dhe qendrat kërkimore në vend janë përpjekur të marrin pjesë e të përfitojnë nga ky program. Por, të dhënat dëshmojnë se Shqipëria ka nivele të ulëta të pjesëmarrjes e përthithjes së fondeve. Të dhënat janë negative edhe përkundrejt vendeve të tjera të Ballkanit.

Të dhënat e Komisionit Europian tregojnë se gjatë periudhës 2014-2016 që përkon me 2 vjecarin e parë të Programit Kuadër të BE Horizon 2020 kanë aplikuar gjithsej rreth 50 organizata nga Shqipëria me 140 projekte. Në fund, vetëm 6 prej tyre janë kualifikuar fitues, për një vlerë prej rreth 330.000 euro nga rreth 30 mln euro të kërkuara. Të dhënat e ofruara nga komisioni Evropian tregojnë se në total Shqipëria nuk udhëheq asnjë projekt të “Horizon 2020” që është një projekt mirëfilli kërkimi shkencor. Në total nga 381 aplikime të bëra nga institucionet shqiptare dhe organizata, vetëm 37 prej tyre kanë fituar grante nga programi “Horizon 2020’, me një vlerë prej 3.55 milionë euro. Një shifër kjo shumë herë më e vogël se disa vende të rajonit si Maqedonia që përfitoi 5.3 mln euro apo Serbia që arriti të merrte 60 milionë euro.

Gjatë së njëjtës periudhë, Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sportit pagoi 2.97 milionë euro, në formën e taksës për të marrë pjesë në këtë program.

“Shteti shqiptar nga këto fonde të BE-së ka investuar më shumë se ka përfituar që është një tregues që sa poshtë jemi me kërkimin shkencor. Ekspertët mendojnë se një pjesë të madhe të fajit për situatën ku janë zhytur universitetet shqiptare, është e qeverisë. Sipas tyre sa kohë që shteti është punëmarrësi më i madh dhe nuk vendos në punësimet asnjë kriter cilësie, atëherë universitetet ofertës së deformuar nga tregu”, u shpreh studiuesi Taulant Muka.

Një tjetër e dhënë interesante nga ky program është edhe ai që ka të bëjë me numrin e personelit shkencor. Sipas këtij programi Shqipëria është sërish në fund të listës. Vendi ynë ka 262 persona në fushën e kërkim-zhvillimit për 1 mln banorë ndërsa vendet fqinje si Maqedonia dhe Mali i Zi përkatësisht 754 dhe 847 persona.

I njëjti studim zbulon se universitetet dhe institucionet e tjera kërkimore në Shqipëri po ballafaqohen me një mungesë totale infrastrukturore në zhvillimin e shkencës, ndërsa mungon edhe infrastruktura e thjeshtë si laboratorët, zyrat dhe bibliotekat.

Edhe vetë Ministria e Arsimit pranon se pothuajse të gjitha standardet e një mësimdhënie cilësore, kërkimit shkencor real e efecient, mjediset e laboratorët, bibliotekat, librat mësimorë e botimet akademike etj., janë të mangëta, për mungesë fondesh. Si pasojë e këtij nënfinancimi universitetet janë shndërruar pothuajse totalisht në struktura formale mësimdhënëse. Referuar ligjeve çdo profesor që udhëheq doktoraturën paguhet me rreth 2 milionë lekë të vjetra, ndërsa kur e merr titullin fiton një rritje page prej 15-18 mijë lekësh.

 

Paradoksi! Në Shqipëri doktoratura kushton 10 mijë euro, shteti nuk mbështet studiuesit

 

Cila është rruga që duhet të ndjekësh për të marrë titujt shkencorë?

Referuar VKM-së 112 të vitit 2018, kriteret për përfitimin e gradës shkencore “Doktor” dhe titujve akademikë “Profesor i asociuar” dhe “Profesor” janë të përcaktuar në mënyrë strikte.

Për të marrë gradën “doktor” në fund të studimeve të ciklit të tretë kandidati, duhet të ketë realizuar 3 referime, 2 nga të cilat të jenë mbajtur në veprimtari shkencore ndërkombëtare (simpozium,konferencë, kongres), në një nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian ose G20-ës; të ketë botuar, së paku, 3 (tre) artikuj shkencorë në revista shkencore, nga të cilët 2 (dy) të jenë botuar ose pranuar për botim në revista të indeksuara;

Vkm-ja përcakton se revistat e indeksuara dhe me faktor impakti faktor impakti duhet të jënë të rankuara nga Thomson Reuters ose Scopus .

Por të gjitha këto botime kushtojnë, ndërkohë që në vendin tonë ka edhe një paradoks tjetër: doktoranti jo vetëm që nuk paguhet gjatë tre viteve që zgjat ky cikël studimesh, por madje ai duhet të paguajë që të pranohet.

Mesatarisht, përllogaritet që një doktorant ka një kosto prej afërsisht 10 mijë euro për të përfunduar ciklin. Nga të cilat 5 mijë euro tarifa që i paguan universitetit dhe 5 mijë euro për kërkim shkencor, pjesëmarrje në konferenca dhe botime të tyre, gjë që e kompromenton këtë proces.

“Kjo është një shumë jashtëzakonisht e lartë, në më të paktën ne do të kemi një ulje të cilësisë së doktorantëve, por në më të keqen do të kemi nxitje të korrupsionit pasi ata do të duan të kenë një mënyrë sa më të shpejtë për rikuperimin e të ardhurave që shpenzuan për marrjen e titullit shkencor” u shpreh Migen Qiraxhi, Qëndresa Qytetare

Sa kohë që shteti nuk ka vendosur ti financojë doktorantët, një pjesë e konsiderueshme nuk investohen në kërkimin shkencor, por bëjnë punime të përcipta që i çojnë në revista rajonale pa faktor impakti. Ndërtohen skema dhe aktivitete në kufijtë e fiktivitetit ku konferencat të konsiderohen ndërkombëtare dhe cilësia e punimeve lë për të dëshiruar.

“Sot në momentin që p.sh unë vij nga Zvicra, bëjmë një takim, e quajmë takim internacional dhe ty mund të të konvertohet në titull akademik, nuk ka reflektim mbi asgjë se çfarë ndodhi, as mbi plagjaturat, mbi protestat e studentëve”u shpreh studiuesi Taulant Muka

Në këtë panoramë të zymtë që është e dukshme, pyetja që ngrihet është se si janë me kërkimin shkencor elitat e universiteteve shqiptare, pra rektorët dhe dekanët? A bëhet kërkim shkencor cilësor në universitetet shqiptare.

 

Rektori dhe dekanët e universitetit të Tiranës “ngelin” në kërkimin shkencor, asnjë publikim serioz

Universiteti i Tiranës, më i madhi në vend, konsiderohet edhe universiteti elitë në Shqipëri. Ky universitet afron edhe numrin më të lartë të studentëve.

Kështu, sipas të dhënave të INSTAT, përgjatë vitit akademik 2021-2022, nga 94 mijë studentë që ndiqnin studimet e larta, 23 mijë ishin në universitetin e Tiranës.

Me rreth 1 mijë pedagogë, në këtë universitet duhet të gëlonte kërkimi shkencor.

Por e vërteta duket të jetë është krejt ndryshe. Për të parë se sa produktiv është ky universitet, që mban fronin e më të mirit në vend, “Inside Story” hulumtoi rreth punës kërkimore që kanë realizuar rektorët dhe dekanët e këtij universiteti, pra ata që qëndrojnë në majë të piramidës së hierarkisë.

“Nëse shikon figurën akademike dhe produktin shkencor të dekanëve dhe rektorët, jo vetëm në universitetin e mjekësisë por thuajse në të gjithë universitetet publike janë pothuajse nuk sa i përket kërkimit shkencor” u shpreh studiuesi Taulant Muka.

Për të parë publikimet iu referuam “Web-Of-Science”, një databazë ku indeksohen revistat cilësore me faktor impakti ose siç njihet ndryshe H-index . H- indeks është një parametër që tregon sasinë e publikimeve dhe cilësinë e një studiuesi. Ka disa site që rankojnë publikimet shkencore por “Inside Story” iu referua “Web of Science” pasi ai klasifikon vetëm revistat cilësore dhe me faktor të lartë impakti, ndërsa Scopus, një tjetër site akademik merr në konsideratë edhe botime në revista me faktor të vogël impakti.

Si rregull, një studiues publikon si autor i parë, dhe me marrjen e titujve si Asistent profesor apo profesor, synon gjithmonë të ketë më shumë publikime si autor i fundit. Të dhënat e përfituara janë vërtetë dramatike dhe dëshmojnë për një nivel krejt minimal të kërkimit shkencor që fillon nga maja e piramidës.

Më konkretisht juristi Artan Hoxha, mban postin e rektorit të Universitetit të Tiranës që prej vitit 2020. Në vitin 2009 ai ka marrë gradën “Doktor” në të Drejtën Penale, më 2010 ka marrë titullin “ Profesor i Asociuar” dhe në vitin 2015 titullin “Profesor”. Por pavarësisht këtij rrugëtimi të gjatë, rektori i Universitetit të Tiranës nuk ka asnjë botim shkencor, asnjë punë shkencore, asnjë kërkim në revistat prestigjoze.

Si rrjedhojë edhe faktorin e impaktit, pra që mat cilësinë dhe sasinë e ka zero . Emri i rektorit të universitetit lider në vend, nuk figuron as në Scopus që merr në konsideratë edhe botimet në revistat me faktor impakti të vogël.

E njëjta situatë dramatike paraqitet edhe me “kokat” që drejtojnë fakultetet e Universitetit të Tiranës.

Profesor doktor Dhori Kule, me një karrierë të gjatë 40 vjeçare në botën akademike, i cili ka qenë dy herë rektor i Universitetit të Tiranës dhe për të tretën herë mban postin e dekanit të fakultetit Ekonomik, po ashtu rezulton të ketë zero publikime shkencore në Web of Science Pavarësisht se në CV-në e tij të publikuar në faqen e universitetit të Tiranës, thuhet se është autor i mjaft artikujve shkencorë, brenda dhe jashtë vendit, asnjë prej tyre nuk figuron të jetë botuar në revista serioze. Vetëm në Skopus rezulton të jetë autor i një studimi.

Asnjë publikim shkencor, asnjë botim, apo artikull në revista me faktor impakti nuk kanë edhe Edmond Rapti, dekan i Fakultetit të Shkencave Sociale; Sokol Mëngjesi, dekan i Fakultetit të Drejtësisë; Artur Sula dekan i Fakultetit të Gjuhëve të huaja, si dhe Sabri Laci, dekan i Fakulteti të Histori Filologjisë.

Spiro Drushku, dekan i Fakultetit të Shkencave të Natyrës rezulton se ka 15 publikime dhe një factor impakti 4.

Brunilda Daci, dekane e Fakultetit të Institutit të Fizikës Bërthamore të Zbatuar rezulton me 7 botime, dhe një faktor impakt 2.

“Nëse ka një sitë, pra një filtrim duhet të fillojmë me dekanë, rektorë apo shefa departamenti. Në rast se pastrohet kjo pjesë e sistemit, nëse vjen një shef departamenti që ka një etikë profesionale fillon e ndërton në mënyrë të shëndetshme. Por në momentin që koka është e vështirë që të pastrosh ata poshtë, pasi përgjegjësia më e madhe qëndron tek kokat” u shpreh studiuesi Taulant Muka.

Kjo shkëputje totale e drejtuesve nga kërkimi shkencor, ka bërë që universiteti i Tiranës ti mungojnë themelet që e bëjnë një godinë të fortë duke e renditur shumë dobët.

 

 

Sfida e humbur me kërkimin shkencor, rektorët e universiteteve publike shumë pak publikime

 

Universiteti i Tiranës renditet dobët edhe krahasuar me fqinjët tanë modestë të rajonit. Më konkretisht Universiteti i Prishtinës numëron 2464 publikime me një faktor impakti 52, universiteti i Shkupit numëron 6648 publikime me faktor impakti 93, ndërsa universiteti i Beogradit është shumë larg me plot 74.725.

 

Duke qenë se dekani i Ekonomikut e krahasoi këtë fakultet me Oksfordin dhe Harvardin, le tu hedhim një sy edhe këtyre dy gjigantëve të dijes.

Universiteti i Oksfordit rezulton të ketë mbi 372 mijë publikime, ndërsa ai i Harvardit mbi 909 mijë publikime.

Edhe universitetet e tjera publike sa i përket kërkimit shkencor, renditen dobët. Kështu Universiteti Bujqësor, që ka një staf peej 450 pedagogësh rezulton me 370 publikime shkencore, Politekniku rezulton me 610 publikime shkencore dhe Mjekësia rezulton 590 publikime shkencore.

Deri më tani kaluam në sitë drejtuesit e universitetit të Tiranës, por a është i zhvilluar kërkimi shkencor në universitetet e tjera?

Arben Gjata, rektori i Universiteti i Mjekësisë, një sektor kyç sidomos dy vitet e fundit për shkak të pandemisë, rezulton të ketë 13 publikime shkencore me një faktor 11, ndërsa Xhelal Draçini, dekani i fakultetit të mjekësisë ka 3 publikime dhe faktorin e impaktit e ka 1.

Andrea Maliqari, rektori i universitetit Politeknik, një tjetër institucion i rëndësishëm, sidomos pas problematikave të shumta që dolën në dritë nga tërmeti i 26 nëntorit, nuk ka asnjë publikim apo punë shkencore të botuar jashtë.

Shumë pak kërkim shkencor kanë prodhuar edhe dekanët që drejtojnë 7 fakultetet e këtij universiteti.

Më konkretisht, Elinda Meçe, dekane e Fakultetit të teknologjisë se Informacionet ka vetëm 2 publikime shkencore, ndërsa Astrit Bardhi që udhëheq fakultetin e Inxhinierisë Elektrike ka zero publikime shkencore.

Genti Guxho, dekan i fakultetit të Inxhinierisë Mekanike rezulton të ketë 10 publikime shkencore, ndërsa Neritan Shkodrani që është në krye të fakultetit të Inxhinieriosë së Ndërtimit ka vetëm 4 publikime shkencore.

Armand Vokshi që drejton fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës ka zero publikime dhe po ashtu zero publikime ka edhe Vasil Jorgji, dekani i Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave.

Shkëlqim Kuka, dekani i fakultetit të Inxhinierisë Matematike dhe Fizike rezulton të ketë realizuar 3 botime shkencore në revista me factor impakti, ndërsa Ylber Muceku që ëhstë në krye të Institutit të Gjeoshkencave është autor në 7 punimeve shkencore që janë botuar jashtë.

Fatbardh Sallaku, rektori i Universitetit Bujqësor rezulton të jetë autor I 7 punimeve shkencore, Agron Kasa, rektori i Universitetit të Sporteve nuk ka asnjë publikim shkencor në revista me factor impakti. Po ashtu edhe Kseanela Sotirofski, rektore e Universitetit të Durrësit, ka zero publikime shkencore, pavarësisht se këto universitete çdo vit japin qindra doktoratura.

Asnjë publikim shkencor nuk ka Bektash Mema, rektor në Universitetin e Gjirokastrës, dhe me zero publikime shkencore rezultojnë edhe Roland Zisi, Rektor në Universitetin e Vlorës si dhe Dhimitër Bello, rektor në Universitetin e Korçës.

Suzana Golemi, rektore në Universitetin e Shkodrës rezulton të ketë 6 publikime shkencore, ndërsa në krye të listës sa i përket kërkimit shkencor në mesin e rektorëve, rendit Skënder Topi i Universitetit të Elbasanit me 26 publikime me faktor impakti 13.

“Në Shqipëri kemi shumë tituj akademikë por nuk ka kërkim shkencor, universitete pa kërkim shkencor janë thjesht gjimnaze. Ende nuk ka një reflektim. Kemi dy përgjegjës që janë universitete që brenda tyre duhet të kishte zhurmë dhe debat se si do të orientojmë, dhe është Ministria e Arsimit si autoriteti përgjegjës që kur kap shkelje merr masa. Por kjo nuk ka ndodhur me titujt akademikë”u shpreh studiuesi, Taulant Muka.

tch

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>