Rizgjedhja e Erdoganit varet nga Damasku dhe Moska

Recep Tayyip Erdogan dhe Bashar Assad, Damask, 17.11.2011Recep Tayyip Erdogan dhe Bashar Assad, Damask, 17.11.2011

Zgjedhjet turke do të zhvillohen në qershor. Për presidentin turk Erdogan, perspektiva nuk është e mirë. Një ndryshim në politikën siriane mund ta ndihmojë atë – dhe të favorizojë presidentin rus Putin.

Nuk kalon asnjë ditë që mediat turke të mos publikojnë rezultatet e fundit të sondazhit mbi sjelljen e pritshme elektorale. Qeveria ende heziton të shpallë datën e saktë të zgjedhjeve dhe për arsye taktike opozita nuk e tregon emrin e kundërshtarit të saj të përbashkët. Ndërkohë, sondazhet e kryera nga institutet e votimit janë larg së ngjalluri gëzim në kampin e qeverisë. Rexhep Tajip Erdogan, prej 20 vitesh në pushtet, ndodhet me shpatulla pas muri dhe skenarët e një disfate të mundshme elektorale po shumohen.

Presidenti dhe qeveria e tij po e kundërshtojnë këtë prirje me një mori iniciativash. Ky aktivizim politik nuk është i pazakontë në prag të zgjedhjeve të rëndësishme. Nuk bëhet fjalë vetëm për politikën ekonomike, e cila është në qendër të fushatës elektorale duke pasur parasysh evoluimin e krizës në vitet e fundit.

Politika e jashtme duket gjithashtu me rëndësi në luftën për favoret e votuesve: Presidenti Erdogan ka zotëruar artin e instrumentalizimit të politikës së jashtme për qëllime politike të brendshme. Krahas paraqitjeve në skenën e diplomacisë ndërkombëtare, të organizuara me bujë të madhe, si për shembull si ndërmjetëse mes palëve ndërluftuese në Ukrainë, politika siriane ka avancuar gjithnjë e më shumë në qendër të vëmendjes turke javët e fundit. 

Përmbysja e politikës ndaj Sirisë

Kjo nuk është hera e parë që lideri turk ndërmerr iniciativa ndaj fqinjit të tij arab për arsye të brendshme politike. “Siria zë një vend unik në strategjinë e mbijetesës politike të Erdoganit,” shkruan Gönül Tol në një libër të botuar së fundmi me titull “Erdogans Krieg. Lufta e një njeriu të pushtetit brenda vendit dhe në Siri”, në të cilin autori shpjegon në mbi 300 faqe se si politika siriane e Erdoganit përcaktohet në mënyrë vendimtare nga interesat e tij politike të brendshme.

Recep Tayyip Erdogan dhe Bashar Assad, Stamboll, 16.09.2009Recep Tayyip Erdogan dhe Bashar Assad, Stamboll, 16.09.2009

Prej disa javësh, ka pasur shenja në rritje të një ndryshimi që mund të cilësohet vetëm si radikale në qëndrimin turk ndaj regjimit në Damask. Në fillim të vitit, Presidenti Erdogan ngriti edhe një herë – dhe më qartë se më parë – mundësinë e një takimi të drejtpërdrejtë me diktatorin sirian Bashar al Assad. Një samit turko-sirian do të ishte kulmi i një procesi të zhvilluar me muaj në prapaskenë nga Moska dhe që duhet të çojë në normalizimin e marrëdhënieve midis Ankarasë dhe Damaskut.

Ky proces ka avancuar dukshëm: pak para fundit të vitit, në kryeqytetin rus u zhvillua një takim i ministrave të mbrojtjes turke, siriane dhe ruse. Ministri i Jashtëm turk, Mevlüt Cavusoglu njoftoi se në shkurt do të pasonte një takim i tre ministrave të Jashtëm, gjatë të cilit do të vendoseshin bazat për samitin e dëshiruar mes Asadit dhe Erdoganit. 

Putini përkrah Asadit

Drama diplomatike e një takimi kokë më kokë në nivelin më të lartë do të ishte e konsiderueshme. Pas luftës siriane që ka më shumë se dhjetë vjet, marrëdhëniet turko-siriane janë acaruar plotësisht. Nën udhëheqjen e Erdoganit, Turqia është bërë mbështetja kryesore e opozitës dhe përkohësisht zona kryesore e vendosjes së kundërshtarëve të armatosur të Asadit. Nga ana tjetër, Rusia e Putinit ka qenë dhe mbetet mbështetja kryesore e Asadit. Vetëm kjo rrethanë mund të shpjegojë interesin e veçantë të Moskës për një pajtim siriano-turk.

Një takim i nivelit të lartë midis Asadit dhe Erdoganit do të ishte një triumf politik për Vladimir Putinin – dhe një humbje për amerikanët.

Uashingtoni, i cili po lufton në Siri kundër “Shtetit Islamik” duke u bashkuar me milicitë kurde, për pakënaqësinë e madhe të Turqisë, nuk e ka fshehur refuzimin e tij për të normalizuar marrëdhëniet me regjimin e Asadit: “Ne nuk mbështesim një normalizim”, u tha si reagim ndaj zhvillimeve aktuale në trekëndëshin e veprimit Moskë – Ankara – Damask.

Recep Tayyip Erdogan dhe Vladimir Putin, Astana, 13.10.2022Recep Tayyip Erdogan dhe Vladimir Putin, Astana, 13.10.2022

Paralajmërimi i SHBA-së padyshim që nuk pati shumë efekt te Erdogani: Në politikën siriane, presidenti turk këto ditë dëgjon Putinin dhe jo Joe Biden-in, kjo është e sigurtë. 

Një lloj i veçantë shkëmbimi

Sipas mediave, baza politike e një marrëveshjeje turko-siriane është një shkëmbim i një lloji të veçantë: në këmbim të njohjes nga Ankaraja të Asadit si udhëheqës i Sirisë dhe normalizimit të marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha nivelet, Damasku thuhet se është angazhuar për shpërbërjen e strukturave kurde në Sirinë veriore dhe për të siguruar që këto të mos luajnë asnjë rol në negociatat e ardhshme të paqes.

Udhëheqësi sirian mund të jetë çelësi i suksesit në votime. Sondazhet tregojnë se pas krizës ekonomike, rreth katër milionë refugjatët sirianë që ikin nga lufta në Turqi janë tema më e rëndësishme për njerëzit. Në Anadoll, nuk ka mbetur shumë nga “kultura mikpritëse” e fillimit, një shumicë e madhe e turqve do të preferonin të shihnin sirianët të largohen sot dhe jo nesër. Një sondazh sapo ka treguar këtë qëndrim refuzimi. Edicioni i fundit i “Syrians Barometr”, një studim i vazhdueshëm nga politologu Murat Erdogan, i cili rregullisht përmbledh njohuritë më të fundit për sirianët në Turqi, tregon gjithashtu se pothuajse 70 për qind e të anketuarve janë të pakënaqur me politikën e qeverisë në Turqi ndaj sirianëve.

Një marrëveshje politike me Asadin që do të përmbajë kërkesën turke për riatdhesimin e refugjatëve, si dhe një traktat që do të vuloste fundin e milicive kurde në zonën kufitare siriane, do të përbënte një dhuratë politike për Erdoganin në prag të zgjedhjeve.

dw/ Ronald Meinardus

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>