Draft Statuti për Asociacionin e komunave serbe i hartuar nga fondacioni Friedrich Ebert (FES), publikohet në kohën kur janë shtuar thirrjet e komunitetit ndërkombëtar për një marrëveshje finale Kosovë-Serbi.
Fondacioni gjerman Friedrich Ebert Stiftung (FES) prezantoi në Prishtinë (30.01.2023) një draft-statut se si mund të dukej “Asociacioni i Komunave në të cilat komuniteti serb i Kosovës është shumicë”. Ky draft statut, i hartuar nga kjo organizatë në partneritet me Institutin Evropian për Paqe (EIP) publikohet në kohën kur janë shtuar përpjekjet e komunitetit ndërkombëtarë për arritjen e një marrëveshjeje finale Kosovë-Serbi dhe debatet rreth Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Rene Schlee, përfaqësues i FES për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, ka thënë se projekti për themelimin e draft statutit për Asociacionin është mbështetur në pragmatizëm politik. Ai ka thënë se tre objektivat e draft-statutit janë se “ai është në një linjë me Kushtetutën, merren parasysh shqetësimet dhe kërkesat e komunitetit serb dhe është në linjë me marrëveshjet e Brukselit, marrëveshjen e parimeve të vitit 2013”.
Në draft-statutin e fondacionit Friedrich Ebert, thuhet se “Asociacioni do të jetë si person juridik i themeluar në përputhje me Kushtetutën dhe sistemin juridik të Kosovës”.
“Asociacioni/Bashkësia përbëhet nga sa vijon, dhjetë komuna dhe përfaqëson interesat e tyre dhe të banorëve të tyre. Anëtarësimi në Asociacion/Komunitet është vullnetar. Procedurat për anëtarësim shtesë, largim nga anëtarësimi dhe shpërbërja e Asociacionit/Bashkësisë përcaktohen me Statut. Asociacioni/Bashkësia nuk do t’i zëvendësojë apo zvogëlojë të drejtat dhe interesat e komuniteteve në Republikën e Kosovës, siç parashihen në Kushtetutën e saj dhe të parashikuara me sistemin juridik”, thuhet në një ndër pikat e draftit.
Sipas draftit, një statut i Asociacionit që do të miratohet nga kuvendi themelues i Asociacionit, do të jetë akti më i lartë juridik, dhe ai “miratohet me akt juridik të Qeverisë së Kosovës dhe do të marrë pushtetin e një qeverie rregullore sipas sistemit juridik të Kosovës pas shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese”. Drafti përcakton se “aktivitetet e Asociacionit/Bashkësisë bazohen në parimet e pjesëmarrjes vullnetare nga anëtarët e saj, avancimin e demokracisë dhe qeverisjes lokale, si dhe respektimin e dispozitave për mbrojtjen dhe përfaqësimin e të drejtave dhe interesave të komuniteteve të ankoruara në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”.
Sipas këtij drafti, Asociacioni/Bashkësia mund të shpërndahet vetëm me vendim të Kuvendit të saj të miratuar nga 2/3 e shumicës së anëtarëve të saj, ndërkaq në rast se vendimi për shpërbërjen merret nga Kuvendi i Asociacionit/Bashkësisë, shpërbërja e Asociacionit/Bashkësisë bëhet nga qeveria.
Asociacioni/Bashkësia sipas draftit “ka të drejtën e vet, buxhetin integral, llogaritë bankare dhe ka të drejtë të zotërojnë pronë dhe angazhohet në transaksione financiare”.
Objektivat kryesore të Asociacionit janë: forcimi i demokracisë lokale, promovimi dhe mbrojtja e etnisë, gjuhës, fesë, dhe formave të tjera të identiteteve kulturore.
“Asociacioni/Bashkësia gjithashtu mund të sigurojë këshilla teknike, ligjore dhe profesionale për bashkitë pjesëmarrëse dhe autoritetet qendrore lidhur me legjislacionin, politikat, aktivitetet dhe angazhimet publike në sferën e kulturës dhe diversitetit kulturor”, thuhet në draft. Po ashtu thuhet se Asociacioni mund të ushtrojë pasqyrë të plotë për të zhvilluar ekonominë lokale. “Asociacioni/Bashkësia e ushtron këtë funksion nëpërmjet lehtësimit të bashkëpunimit ndërmjet bashkive pjesëmarrëse, duke i mbështetur ato në projektim të projekteve, politikave dhe masave që zhvillojnë ekonomitë lokale të tyre”.
Më tej thuhet se Asociacioni, ushtron një “pasqyrë të plotë për të përmirësuar kujdesin shëndetësor parësor dhe sekondar lokal dhe atë social”.
Asociacioni i komunave më shumicë serbe, sipas draftit të hartuar nga Fondacioni gjerman Friedrich Ebert, do t’i përmbahet plotësisht Kushtetutës dhe sistemit juridik të Republikës së Kosovës. Mandati i Kuvendit të Asociacionit, do të lidhet me mandatin e kuvendeve komunale të komunave pjesëmarrëse.
“Në çdo zgjedhje lokale, brenda një muaji pas themelimit të kuvendeve komunale, kuvendet komunale të themeluara do t’i nënshtrohen procedurës së zgjedhjes së përfaqësuesve të tyre në Kuvendin e Asociacionit/Bashkësisë sipas procedurave të përshkruara më lart dhe në përputhje me ligjin”, thuhet në draft.
Thirrjet drejtuar qeverisë së Kosovës që ta bëjë një propozim për themelimin e Asociaiconit të komunave serbe janë shtuar kohët e fundit, sidomos nga emisarët amerikan dhe evropian të përfshirë në dialogun Kosovë-Serbi. Një takim konsultativ për Asociacionin është thirrur për datën 31 janar, nga ambasadae SHBA-së me të gjithë aktorët politik dhe shoqërinë civile. Në këtë takim, kryeministri Albin Kurti, siç ka thënë ai vet, nuk është ftuar.
Partitë politike opozitare që marrin pjesë në takimin e 31 janarit në ambasadën e SHBA-së, nga ana e tyre kanë thënë se është përgjegjësi e qeverisë që të merret me Asociacionin.
Ndërsa partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, u deklarua kundër themelimit të një “Asociacioni dhe çdo marrëveshjeje tjetër mbi baza etnike”, sipas një njoftimi të kësaj partie. “Republika e Kosovës ka një nga sistemet më të mira në botë për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve jo shumicë, brenda kornizave ligjore-kushtetuese”.
Kryeministri Albin Kurti, deri tash është deklaruar disa herë kundër themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke e cilësuar po ashtu atë si një asociacion një-etnik dhe që rrezikon bosnjëzimin e Kosovës. Beogradi zyrtar kërkon me këmbëngulje që Prishtina zyrtare ta themelojë Asociacionin.
dw